Fakte për...

Rishikimi i javës (15-20 janar 2024): Clickbait artikuj nga mediat reale, dezinformata në media reale dhe ato sociale, teori konspirative nga mediat në gjuhën serbe

Dezinformatat kanë mbizotëruar në ekosistemin keqinformues gjatë javës që shkoi.

Përmbajtjet të cilat u vlerësuan si dezinformatë u publikuan në media sociale dhe media reale. Në mediat sociale u publikuan dezinformata me pretendimet se ushtria serbe është vendosur në afërsi të kufirit me Kosovën dhe se ambasadori amerikan, Hovenier të ketë thënë për këtë se “NATO është gati”, dhe rreth konfliktit Izrael-Hamas ku me imazh nga Siria (2018) pretendohet se është aktuale nga konflikti. Ndërsa në media reale u publikuan dezinformata me pretendimin se “Mediat serbe: Pas ndalimit të dinarit, ushtria serbe duhet të hyjë në Kosovë”, dhe lajmit të vjetër për vdekje nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut.

Artikujt clickbait me tituj përgjithësues dhe çorientus janë publikuar në media reale me pretendimet se “Tabloidi që kontrollohet nga Vuçiq përhap panik: Afër kufirit me Serbinë, NATO po strehon rreth 5000 ushtarë të Aleancës”; se “Tragjike! Përmbyset autobuzi plotë me pasagjer, raportohet për viktima dhe të plagosur”.

Lajmet e rreme janë publikuar në mediat sociale dhe portale të dyshimta me pretendimet se Zvicra kërkon 1 milion punëtorë dhe se Qeveria e Kosovës ka marr vendim që në muajin shkurt të ndajë nga 100 euro për të gjithë qytetarët që jetojnë në qytete, e jo edhe për ata që jetojnë në fshatra.

Në mediat në gjuhën serbe janë publikuar teori konspirative duke u bazuar në komunikatat e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me pretendimet se plaçkitjet e shtëpive të serbëve në Kosovë po bëhen nga ekstremistët shqiptarë të frymëzuar nga Prishtina zyrtare me qëllim dëbimin e tyre.

Përmbajtje të pa verifikuara janë publikuar në mediat sociale me pretendimet se Kosova do të pajiset nga Turqia me avionë luftarakë F-16, dhe imazhin e montuar të një treni me mbishkrimin “Kosovo is Albania”.

Përmbajtje mashtruese është publikuar përmes mesazheve në Facebook me pretendimin e rremë për mundësinë e përmisimit të llogarisë së bizneseve të përdoruesit.

Dezinformatë:

Një llogari në Tiktok ka publikuar një video-material ku thotë se ushtria serbe është vendosur në afërsi të kufirit me Kosovën dhe përmes një fotografie të ambasadorit amerikan, Hovenier pretendon se ai ka thënë: “NATO është gati”. Por, pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, është vërtetuar se asnjëra nga këto dy pretendime nuk qëndron dhe se fotografia e përdorur në video-material është e vjetër. (këtu)

Portali informativ “Kosovapost.net” ka publikuar një artikull me titull “6 të vdekur në 24 orë në Maqedoninë e Veriut, paralajmërohet kufizimi i lëvizjes”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi për numrin e personave të vdekur brenda 24 orëve në Maqedoninë e Veriut, është i vjetër, i publikuar në vitin 2020, dhe nuk përkon me gjendjen aktuale të janarit 2024 kur është botuar. (këtu)

Portali informativ “Frontonline.net” ka publikuar një artikull me titull “Mediat serbe: Pas ndalimit të dinarit, ushtria serbe duhet të hyjë në Kosovë”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk i korrespondon përmbajtjes për faktin se brenda artikullit në asnjë vend nuk ceket ushtria, as mundësia e hyrjes së saj brenda territorit të Kosovës. (këtu)

Disa faqe në median sociale Facebook kanë publikuar një imazh ku shihen dy fëmijë të shtrirë përderisa njëri nga ta i mban një maskë oksigjeni fëmijës tjetër. Përmes mbishkrimit që mbart fotografia, thuhet: “Motra Palestineze nderroi jetë duke i dhan oksigjen vëllaut të saj”. Pas hulumtimit dhe verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron dhe se imazhi është realizuar në vitin 2018, në kryeqytetin Damask të Sirisë. Gjithashtu, atëkohë nuk ishte raportuar se fëmija ka ndërruar jetë. (këtu)

Clickbait

Mediumi online “Gazeta Express” ka publikuar një artikull me titull “Tabloidi që kontrollohet nga Vuçiq përhap panik: Afër kufirit me Serbinë, NATO po strehon rreth 5000 ushtarë të Aleancës”. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e artikullit duke treguar se flitet për kufirin në Bullgari. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se për cilin vend bëhet fjalë në përmbajtje, duke lënë të kuptohet se lajmi flet për ushtarët e NATO-s në kufirin Kosovë-Serbi. (këtu)

Një portal informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Tragjike! Përmbyset autobuzi plotë me pasagjer, raportohet për viktima dhe të plagosur”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja, duke lënë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqip-folës, sikurse gjuha e portalit që e ka publikuar. (këtu)

Lajm i rremë

Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material me anë të cilit pretendohet se Zvicra kërkon 1 milionë punëtorë. Pas verifikimit të hibrid.info, janë gjetur të dhëna që tregojnë për rreth 250 mijë vende të lira pune, shifër kjo që nuk përputhet me pretendimin më lartë. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “makamuki.com” ka publikuar me datë 13 janar një artikull me pretendimin se Qeveria e Kosovës ka marr vendim që në muajin shkurt të ndajë nga 100 euro për të gjithë qytetarët që jetojnë në qytete, e jo edhe për ata që jetojnë në fshatra. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli është i fabrikuar, dhe se një vendim i tillë nuk është marr nga Qeveria e Kosovës. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka publikuar një komunikatë lidhur me plaçkitjen në shtëpinë e familjes së Miodrag Kostiqit në fshatin Plemetin të Obiliqit. Lidhur me këtë rast, ky institucion ka deklaruar se veprimi është kryer si “praktikë e frikësimit të serbëveqë nga ardhja e Kurtit në pushtet, me qëllim të kërcënimit të mbijetesës së popullit serb në Kosovë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ende nuk dihet se kush janë kryerësit e kësaj veprës dhe me çfarë qëllimi. (këtu)

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me pretendimin se plaçkitja e shtëpive të familjeve serbe në fshatin Lubozhdë të Istogut është bërë nga ekstremistët shqiptarë me qëllim të dëbimit të serbëve nga Kosova. Artikulli është i bazuar në një komunikatë të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cila rastin e plaçkitjes së shtëpive të Marinko Blagojeviq dhe Tomislav Radivojeviq në Lubozhdë e interpreton si “mesazh më se i qartë nga ekstremistët shqiptarë se ata nuk duan të ndërtojnë paqe, bashkëjetesë dhe se po bëjnë gjithçka për të trembur dhe dëbuar serbët”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ende nuk dihet se kush janë kryerësit e kësaj vepre dhe për çfarë qëllimi është bërë. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Një llogari në TikTok me emrin “7s.02” ka publikuar (14 janar) një video-material ku tregohen pamjet e një avioni ushtarak. Në mbishkrimin e videos pretendohet se Kosova do të pajiset nga Turqia me avionë luftarakë F-16. Hibrid.info ka hulumtuar pretendimin, por nuk ka gjetur prova mbështetëse. (këtu)

Përmes një imazhi ku shihet një tren me mbishkrimin “Kosovo is Albania”, një faqe në Facebook ka pretenduar pa fakte se është imazh nga një tren në Zvicër si shenjë përkrahje për shqiptarët dhe futbollistët shqiptarë atje. Por, hibrid.info pas verifikimit të fakteve ka gjetur se pretendimi i dhënë nuk qëndron dhe se imazhi i paraqitur është i montuar dhe qarkullon në rrjet qysh nga viti 2017. (këtu)

Mashtrim

Mesazhe mashtruese anonime në gjuhën shqipe u janë dërguar disa përdoruesve të medias sociale Facebook, mesazhe këto që përmbanin një vegëz të rreme me qëllim të klikimit të saj. Në mesazh pretendohej se kjo vegëz përmban gjoja mundësinë për përmirësimin e llogarisë së biznesit të përdoruesit. Pas hulumtimit është vërtetuar se vegëza të tilla shërbejnë për marrjen e informacioneve të ndjeshme, të cilat mashtruesit pastaj mund t’i përdorin ato për qëllime mashtruese. (këtu)