Në muajin dhjetor, qytetarë të shumtë në Kosovë, kryesisht përmes rrjeteve sociale, u ankuan për fatura të papërballueshme të energjisë e madje edhe për mashtrime nga ana e Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS).
Qytetarët, sipas të cilëve, fatura e energjisë në dhjetor u kishte ardhur dyfishi i asaj në nëntor, akuzuan KEDS-in se kishte kurdisur faturat dhe si rrjedhojë, faturat e dhjetorit nuk reflektonin shpenzimet e tyre.
“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve”. “Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, u tha në njoftimin e KESCO-s, teksa kjo kompani publikoi edhe vendimin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë për ndryshimin e tarifave.
Ndonëse rrjetet sociale u mbushën me ankesa, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) tha se nuk ka pranuar asnjë ankesë nga qytetarët në lidhje me leximin e faturave të këtij muaji.
Faturat e dhjetorit shërbyen si material për parti politike e për disa medie që t’ia bartin fajin qeverisë së Kosovës, anipse KEDS dhe KESCO janë kompani private që nuk janë nën mbikëqyrje të qeverisë, dhe tregu i energjisë rregullohet nga ZRrE. (shih KËTU për më shumë)
E me vendim të ZRrE, çmimi i energjisë në Kosovë ka pësuar rritje dy herë brenda dy viteve të fundit. Megjithatë, qytetarët mund të mos e kenë vënë re rritjen për shkak se ndryshimet kanë ndodhur o gjatë sezonit pranveror, kur konsumi është më i ulët, o gjatë periudhave kur shpenzimi i energjisë subvencionohej nga qeveria e Kosovës. (shtrenjtimi i parë – lexoni KËTU; shtrenjtimi i dytë – lexoni KËTU)
Rritja e çmimit të energjisë në Kosovë ishte e pashmangshme për shkak të çrregullimit global të zinxhirit furnizues që prej pandemisë COVID-19 në 2020 e deri te pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë (shih KËTU), që nisi më 24 shkurt, 2022. Si pasojë e kësaj të fundit, prodhimi i energjisë qysh në muajt e parë të luftës atje u shtrenjtua për 20% (shih KËTU).
Kriza me energji elektrike në Evropë u thellua kah mesi i vitit 2021, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit, si pasojë e pandemisë Covid-19. E meqë Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji për t’i përmbushur kërkesat e brendshme, i duhet të importojë diferencën, çka ndikohet drejtpërdrejt nga çmimet globale të energjisë.
Kapaciteti i Kosovës për prodhim të energjisë elektrike përmes termoelektranave Kosova A dhe Kosova B është rreth 800 megavat rrymë në orë. Ndërsa kërkesat në pikun e dimrit shkojnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, KEDS-i e importon nga jashtë sipas çmimit të energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX. (më gjerësisht KËTU)
Në gushtin e vitit 2021, çmimi për megavat në bursën ndërkombëtare ishte 150 euro, kurse në po të njëjtin muaj të vitit pasues çmimi arriti në rreth 430 euro për megavat (më gjerësisht KËTU).
Në shkurt të vitit 2022, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) kishte miratuar rritjen e parë të tarifave të energjisë elektrike, ku prekeshin konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë që shpenzonin mbi 800 kilovatë në orë. Me tarifat e reja, këta konsumatorë faturoheshin me 12.5 cent për kilovat në tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.
Për ta përballuar këtë rritje të tarifave për qytetarët, qeveria e Kosovës kishte miratuar një program për të subvencionuar konsumatorët që e kursejnë energjinë elektrike. (shih njoftimin e ministrit Hekuran Murati)
Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se përfitues të kësaj mase janë të gjithë ata qytetarë që në muajt e ardhshëm (pra, pas vendimit të qeverisë) do të shpenzonin më pak energji elektrike sesa që kishin shpenzuar në muajt e njëjtë të vitit të kaluar.
Subvencionimi i energjisë elektrike për muajt shtator, tetor dhe nëntor 2022 është bërë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa për dhjetor (2022), janar, shkurt dhe mars (2023) është mbuluar nga fondet e Bashkimit Evropian.
Por, rritja tjetër e tarifave erdhi përsëri në marsin e vitit 2023 – rritje kjo prej 15.4%, që i shtohej rritjes paraprake të vitit 2022.
Kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, këtë shtrenjtim të tarifave e pati arsyetuar me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. (shih deklaratën e Fejzullahut KËTU)
“Ne konsiderojmë se nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm me energji, kostoja do të jetë shumëfish më e madhe sesa përqindja e propozuar. Ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, pati thënë ai më 30 mars.
Eksperti i energjisë elektrike, Trim Tërnava, në televizionin “Dukagjini”, ka thënë se qytetarët nuk e kanë vënë re rritjen e çmimit (që ka ndodhur më 1 prill, 2023) meqë kur janë rritur tarifat, kemi qenë në sezonin pranveror dhe konsumi nuk ka qenë i lartë.
Ai thotë se shtrenjtim të tarifave nga muaji nëntor në dhjetor nuk ka pasur, por se është rritur konsumi dhe është tejkaluar blloktarifa e parë prej 800 megavatë rrymë në orë, ku pastaj llogariten tarifat e shtrenjta.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga Prokuroria që të nisin hetime mbi dyshimet për fryrje të faturave të muajit dhjetor. (shih reagimin e KMDLNj-së KËTU)
Edhe partitë politike opozitare kanë kërkuar të njëjtën gjë.
Deri më tani, nga Prokuroria nuk ka ndonjë deklarim mbi këtë çështje.
Artikull analitik nga Agon Osmani.