Intervenimi para 25 vjetësh i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë për të shpëtuar Kosovën vazhdon të diskutohet dhe të shihet nga pikëvështrime të ndryshme. I konsideruar si intervenimi më i susesshëm në historinë moderne të Aleancës Veri-Atlantike, misioni kontesohet vazhdimisht nga Serbia dhe Rusia.
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, më 8 shkurt 2024, përfaqësuesi rus, Dmitry Polyanskiy e akuzoi NATO-n për “agresion me përmasa katastrofike”
“Në mars e shënojmë 25 vjetorin e zhdukjes johumane të civilëve në zemër të Evropës nga Amerika dhe aleatët e saj. ‘Kampionët e demokracisë’ e bombarduan një shtet me uranium të varfëruar, që rezultoi në vrasje të shumta dhe dëmtim të infrastrukturës civile. NATO-ja do të jetë e mallkuar nga 60 gjeneratat e ardhshme që janë të dënuara për të pasur probleme shëndetësore për shkak të veprimeve kriminale të Washingtonit”, ka thënë ai. (këtu)
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur përfaqësuesit rus duke thënë se intervenimi në Kosovë, i kishte bërë bashkë si asnjëherë më parë 19 shtete.
“Këtu kemi dëgjuar një kritikë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s, e cila shpëtoi popullin tim. 25 vjet më parë, 19 shtete u bashkuan për të ndaluar gjenocidin e forcave të Millosheviqit në Kosovë. 19 shtete u bashkuan për të bombarduar një vend evropian. Duhet të ketë qenë shumë keq. Përndryshe, nuk ndodh. Ndonjëherë 19 vende nuk mund të bien dakord për një deklaratë për shtyp. Si ndodhi që në vitin 1999, 19 vende ranë dakord të bombardojnë Jugosllavinë e Millosheviqit? Ishte shumë keq. Edhe atëherë, presidenti i Federatës Ruse, Boris Yeltsin, e dinte se sa e keqe ishte gjendja në Kosovë. Ai fliste me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton disa herë në javë. Duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje paqësore. Ishte shumë keq në vendin tim, ndërhyrja e NATO-s na shpëtoi”, ka thënë Kurti. (këtu)
Ish-gjenerali që udhëhoqi bombardimin e Jugosllavisë, Wesley Clark ka folur disa herë për rëndësinë e intervenimit, dhe duke marrë shkas nga pushtimi rus i Ukrainës, ka thënë se Krimea nuk mund të krahasohet me Kosovën. “Ajo cfarë Rusia po bën në Ukrainë nuk ka asnjë paralele me atë që NATO-ja bëri në Kosovë, sepse në Kosovë ju kishit një popull që po luftonte për të ruajtur kulturën e vet kundër represionit serb. Ajo që po ndodhë në Ukrainë nuk ka të bëjë asgjë me këtë. Popullata ruse nuk është nën asnjë lloj represioni nga Ukraina”, i tha Clark, Zërit të Amerikës në shqip. (këtu)
Edhe ish-shefi i NATO-s, spanjolli Javier Solana e kishte quajtur intervenimin në disa raste si sukses, dhe kishte njohur rolin e forcave të KFOR-it, për të ruajtur paqen në terren. (këtu)
Për rëndësinë e intervenimit të NATO-s për të shpëtuar një popull ka folur disa herë edhe ish-zëdhënësi Jamie Shea. (këtu)
Propagandën ruse kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë, e ka ndihmuar agjencia shtetëroe e lajmeve, Sputnik, që është e ndaluar në Kosovë, pas vendimit të Komisionit Evropian që të ndaloet qasja në vendet e Bashkimit Evropian. Në marsin e vitit 2023, Sputnik kishte publikuar një artikull ku pretendonte pa ofruar fakte se gjatë bombardimeve janë gjuajtur 37.000 bomba thërmuese. (këtu)
Në shumë raste fushatës i është bashkuar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq. Në një rast ai kishte folur për 82 fëmijë serbë të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s, pa oftuar dëshmi për këtë. Rrjeti për Ripajtim në Serbi – “RECOM”, përmes një reagimi, kishte demantuar Vuçiqin, duke i kërkuar që të mos i paraqesë vetëm si serbë viktimat e moshës minore gjatë intervenimit të NATO-s në vitin 1999. “RECOM” listoi 101 viktima të NATO-s nën moshën 18 vjeç me emrat e tyre: 66 fëmijë shqiptarë, 25 me kombësi serbe dhe 10 me kombësi rome. Ndër fëmijët e vrarë, 66 ishin nën moshën 14 vjeç. (këtu)
Politika serbe e ka shfrytëzuar luftën në Ukrainë duke bërë krahasime të Krimesë me Kosovës, në këtë mënyrë duke e arsyetuar pushtimin e rajonit ukrainas nga Rusia.
“Kjo është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe presidenti Vuçiq do të flasë për këtë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së… Të gjithë tani po flasin për shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, dhe kjo është pikërisht ajo që i ndodhi Serbisë në çështjen e Kosovës dhe Metohisë”, kishte thënë shefi i Zyrës për Kosovën, në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. (këtu)
Masakra e Recakut e 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë përshpejtoi reagimin ndërkombëtar, duke vendosur nisjen e bombardimit të caqeve ushtarake në Jugosllavi, më 24 mars 1999.