Këtë shkurt, Hibrid.info-s, platformës së etabluar për kontrollin e lajmeve dhe informacioneve po i shtohet një produkt i ri. Quhet Kosovofacts.com, dhe nga emri lehtë kuptohet që do të sjellë fakte për Kosovën.
Në një kohë të tensioneve dhe zhvillime të vrullshme politike në Kosovë dhe rajon, lansimi i Kosovofacts.com bëhet edhe më i domosdoshëm.
Faqja e re online do ta komplimentojë Hibridin, por në vend të verifikimit të lajmeve ditore, do të sjellë analiza më të thella për dhe rreth Kosovës, bazuar në fakte dhe evidenca kredibile.
Kosovofacts.com do të sjellë publikime që janë të kontekstalizuara dhe japin një pasqyrë të mirinformuar për Kosovën. Do të publikojë fakte e informacione për Kosovën të nevojshme për audiencën kurdo që ka nevojë, të tilla që i rezistojnë kohës.
Opinioni në Kosovë dhe rajon vërshohet nga propagandë dhe lajme të rrejshme për Kosovën, luftën, intervenimin e NATO-s, dialogun Kosovë – Serbi dhe të tjera tema të ndejshme. Përhapjes së informacionit të çrregulluar që vjen kryesisht nga Rusia, duhet përgjigjur me përmbajtje të saktë e të verifikuar.
Kosovofacts.com do t’i shërbejë jo vetëm audiencës në Kosovë, por edhe më shumë asaj ndërkombëtare, për t’u bërë adresë e parë e kuptimit të realitetit aktual dhe të viteve të fundit në Kosovë.
Çdo përmbajtje e publikuar në Kosovofacts.com do të jetë e përcjellë me referenca, praktikë kjo që është ndjekë edhe në Hibrid.info.
Do të jetë hapësirë edhe për bashkëpunëtorë nga jashtë, që mund të japin kontributin duke ofruar fakte e informacione relevante për Kosovën.
Kosovofacts.com vjen si vazhdim i bashkëpunimit dhe besimit që Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikimin e Informacionit (IFCN) ka për Hibrid.info, anëtar krenar i së cilës jemi që nga viti 2021.