Numri i pjesëtarëve të përkatësisë etnike serbe në Kosovë, ka ndryshuar disa herë që nga vitet e 90-a, dhe ka qenë një prej temave më të diskutueshme.
Kosova në njërën anë, dhe Serbia në anën tjetër kanë dhënë shifra që nuk përputhen me njëra – tjetrën. Shifra që është përmendur më së shumti për numrin e serbëve në Kosovë, para luftës ka qenë rreth 200.000. Një pjesë e tyre kanë ikur nga Kosova me përfundimin e luftës, dhe edhe pse ka pasur një proces të kthimit dhe integrimit, një numër i kufizuar i tyre e kanë përdorur mundësinë, që ka përfshirë edhe rindërtimin e shtëpive të tyre.
Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ESI – me zyre në Berlin, Bruksel dhe Stamboll, ka botuar një hulumtim të cilin e ka quajtur “Pogromet e shpikura – statistika, gënjeshtra dhe konfuzion në Kosovë”. (këtu)
Në të, kjo organizatë me renome në Evropë, jep shifra dhe krahason lëvizjet e serbëve në tri shtete, Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Sipas statistikave serbe që ESI i referohet në vitin 2002 në Kosovë jetonin 129,000 serbë, kurse në vitin 2024, 100,000. Kjo shënon një rënie prej 22 % të banorëve serbë në Kosovë, në më shumë se dy dekada.
Por, duke iu referuar regjistrimit të popullësisë në Serbi, ESI vëren numër të vazhdueshëm të rënies së banorëve në këtë shtet. Nga viti 2002 në vitin 2022, popullësia e Serbisë është zvogëluar për 851.000 njerëzëz, nga 7.5 milionë në 6.6 milionë, ose për 11 %.
Për të vërtetuar numrin rreth 100.000 të serbëve që besohet se jetojnë në Kosovë sot, ESI citon numrat që presidenti serb Vucic i përmendi në mbledhjen e Këshilli të Sigurimit në OKB, kur foli për rrogat dhe pensionet që Serbia i dërgon me dinarë në Kosovë.
Pensionistë dhe të punësuar janë 60.946 serbë, ndihmë tjetër financiare marrin 13.931 persona, kurse numri zyrtar i nxënësve serbë nëpër shkolla është 15.000. Totali del 89.877. Duke shtuar numrin e fëmijëve që nuk janë në shkollë, dhe të tjerë që mund të punojnë në sektor privat, shifra del rreth 100.000
Se nuk ka lëvizje të popullësisë serbe në Kosovë, ESI i referohet edhe numri të lindjeve në sistemin shëndetësor që menaxhohet nga Serbia në Kosovë. Bebe serbe në Kosovë në vitin 2020 lindën 919, në vitin 2021 ishin 911 dhe në vitin 2023 numri total i fëmijëve ishte 926.
Në total sipas matjeve të ESI numri i serbëve në Kosovë ka lëvizur nga 209.437 në regjistrimin e vitit 1981, në 194.190 në regjistrimin e vitit 1991 dhe sipas matjeve të Qendrës Koordinuese të Qeverisë së Serbisë për Kosovën, 129.474 në vitin 2002.
Në vitin 2011, Kosova e ka organizuar regjistrimin e fundit të popullësisë, i cili është bojkotuar nga serbët e 4 komunave në veriun e Kosovës. Sipas shifrave, në Kosovë jetojnë 1,739,825 banorë, dhe 92 % e tyre janë shqiptarë. (këtu)