Përgatiti: Etrit Rexhepi
Në 25 vite që nga përfundimi i luftës, në Kosovë kanë udhëhequr me qeverinë e vendit gjithsej tetë kryeministra. Madje tre prej tyre kanë qenë në krye të ekzekutivit kosovar në dy raste (Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Albin Kurti). Aktualisht, Albin Kurti është në krye të pushtetit qëndror dhe ka gjasa ta çojë deri në fund mandatin e tij. E përbashkëta e kryeministrave të tjerë para Albin Kurtit, është se asnjëri nuk ta nuk ka arritur ta përfundojë mandatin e plotë. Por, sa ditë ishin në detyrë secili nga kryeministrat?
Mandatet e kryeministrave në Kosovë
Hashim Thaçi ishte më së gjati në pozitën e kryeministrit. Me dy mandate rresht, njëri 1387 ditë e tjetrin 1141 ditë, Thaçi udhëhoqi nga 9 janari i vitit 2008 deri më 9 dhjetor të 2014-ës. Thaçi, që më vonë shërbeu edhe në detyrën e presidentit të vendit, ishte në krye të qeverisë, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, më 17 shkurt të vitit 2008.
Bajram Rexhepi ishte kryeministri i parë i Kosovës së pasluftës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa Isa Mustafa e mori detyrën pas qeverisjes më shumë se gjashtë vjeçare të Hashim Thaçit, nga fundi i vitit 2014. E përbashkëta e këtyre dy kryeministrave është se të dy e mbajtën pozitën e shefit të ekzekutivit për 1006 ditë. Rexhepi shërbeu në këtë post nga 4 marsi 2002 deri më 3 dhjetor 2004, kurse Mustafa qëndroi në këtë detyrë nga 9 dhjetori i 2014-së deri më 9 shtator të 2017-së.
Një tjetër kryeministër para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte edhe Ramush Haradinaj. Pas përfundimit të mandatit të Bajram Rexhepit, Haradinaj e zëvendësoi atë dhe qëndroi në detyrë për 96 ditë, pasi u desh të përballej me aktakuzën për krimet e luftës nga Gjykata e Hagës. Kjo do ta bënte Haradinajn, kryeministrin më jetëshkurt në Kosovë, por i njëjti u kthye në këtë post 13 vite më vonë, për të qeverisur për 878 ditë.
Më pak ditë se Haradinaj ishte kryeministë Agim Çeku. Çeku, i cili erdhi në qeveri nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) prej 10 marsit 2006 deri më 9 janar të 2007, pati mandat prej 671 ditësh.
Ndërsa Avdullah Hoti dhe Bajram Kosumi janë ata, të cilët qëndruan më së paku ulur në karrigen e kryeministrit. Hoti mbajti pozitën për 293 ditë, ndërsa Kosumi për 10 ditë, nuk arriti të mbushë një vit si kryeministër.
Kryeministri aktual
Aktualisht me vendin qeverisë Albin Kurti. Kurti mori këtë detyrë për herë të parë më 3 shkurt të vitit 2020, për ta mbajtur pozitën katër muaj, deri më 3 qershor. Nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit të vitit 2021, koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, i udhëhequr nga Kurti mori shumicën e votave, çka i mundësoi atij rizgjedhjen në këtë pozitë. Lideri i LVV-së e nisi punën e kryeministrit për herë të dytë nga 22 marsi i 2021 dhe vazhdon ta mbajë pozitën në ditën e 1233-të të mandatit të tij.