BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën

Sa ka Kosova tokë bujqësore dhe cilat kafshë shtëpiake dominojnë

Shkroi: Fatbardh Dema

Në qershor të këtij viti, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) për vitin 2023.

Në këtë publikim jepen të dhëna mbi sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore për vitin 2023, krahasuar me të një viti më parë, por edhe krahasime mbi sipërfaqet e tokës me kultura shumëvjeçare.

Veç këtyre, jepen edhe të dhëna mbi numrin e kafshëve sipas llojeve për vitet 2022 – 2023.

Më shumë sipërfaqe e shfrytëzuar e tokës bujqësore në 2023 sesa në 2022

Gjatë vitit 2023, rezultatet e kësaj ankete tregojnë se sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 688,21ha (përfshirë tokën e përbashkët), ku krahasuar me vitin paraprak 2022 (që ishte 420 482,46 ha) ka një rritje të sipërfaqes së tokës në shfrytëzim prej 205,76 ha.

Rënie e lehtë e vërehet te toka e përbashkët

Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2023, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët), e cila në vitin 2023 ishte 216 979,55 ha (51,58%), krahasuar me vitin paraprak 2022 (që ishte 216 979,55 ha) ose 51,61%.

Vërehet një rënie e lehtë te toka e përbashkët, ndërsa toka e punueshme – arat – marrin pjesë me 44,79 % dhe kopshtet me 0,25%.

Rritje e lehtë e sipërfaqes së tokës me kultura shumëvjeçare

Sipërfaqja e tokës me kultura shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanët) në vitin 2023 ishte 14 210,86 ha me pjesëmarrje prej 3,38 % të sipërfaqes së përgjithshme, ku krahasuar me vitin 2022 (që ishte13 999,84 ha, me pjesëmarrje 3,33 %), vërehet një rritje e lehtë e kulturave shumëvjeçare në tokën e shfrytëzuar bujqësore.

Gjatë vitit 2023, gjithsej toka e punueshme – arat, ishte 188 435,41 ha, pjesa më e madhe ishte me: drithëra (124 680,68 ha, ose 66,17%); bimë foragjere (37 563,77 ha, ose 19,93%); perime 10 234,81 ha në fushë të hapur, në serra dhe kopshte (prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 9 172,42 ha, ose 4,87%); patate (3 917,53 ha, ose 2,08%); bishtajore (3 078,11 ha, ose 1,63%); bimë industriale (970,05 ha, ose 0,51%); kultura të tjera (2 778,23 ha, ose 1,47%) dhe tokë djerrinë ishte 6 274,62 ha ose 3,33%.

Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës në vitin 2022, ishte 34 247,97 ha. Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide në vitin 2023 ishte 122 752,16 ha.

Rënie e lehtë e fondit blegtoral

Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se blegtoria në Kosovë, gjatë vitit 2023, sa i përket numrit të gjedheve ishte 247 493, ku krahasuar me vitin paraprak 2022 (që ishte 250 899), ka një rënie të lehtë.

Numri i kafshëve sipas llojeve 2022 – 2023

Rritje e lehtë vërehet te numri i deleve

Sa i përket numrit të deleve gjatë vitit 2023 ishte 207 123, ku krahasuar me vitin paraprak 2022 (që ishte 204 110), ka një rritje të lehtë.

Ky publikim ofron të dhëna në formë përmbledhëse për kulturat bujqësore bimore (shfrytëzimin e tokës bujqësore, prodhimtarinë bimore, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet)); blegtorinë: therjet, shitjet, produktet blegtorale dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.

Metodologjia dhe standardet e aplikuara në AEB 2023 (përkufizimet – definicionet, pyetësori, dhe udhëzuesi) janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.

X