Përgatiti: Endrit Berisha
Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës është i vetmi institucion publik shëndetësor në të cilin ka pasur rritje të numrit të lindjeve në vitin 2023, sipas publikimit të Statistikave të Shëndetësisë nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK).
Sipas dokumentit të publikuar në ASK, në vitin 2023, në spitalet publike të Kosovës numri i fëmijëve të lindur ishte 18001. Kjo përbën rënie në krahasim me vitin 2022 (19482). Bazuar në krahasimin me vitet e shkuara, del se viti 2023 ishte me numrin më të ulët të lindjeve në spitalet publike.
Nga 18 mijë e 1 lindjet e kryera në spitalet publike më 2023, rreth 44 për qind u kryen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, apo 7926 lindje. Spitali i Prizrenit ishte i dyti me më së shumti lindje në sektorin publik, me 2622, pasuar nga ai i Mitrovicës që pati 1616 lindje.
Statistikat tregojnë se secili spital publik në Kosovë përjetoi rënie të numrit të lindjeve në vitin 2023, në raport me një vit më herët – pos atij të Mitrovicës. Në këtë spital në vitin 2022 ishin 33 lindje më pak se në vitin 2023.
Në raport të përgjithshëm, nga 17 mijë e 710 procese të lindjeve (përfshirë ato raste ku kishte binjakë), 6671 prej tyre ishin lindje me operim.
Ndërkaq në statistikat e përgjithshme, bazuar në regjistrimet në zyrat e Gjendjeve Civile në Kosovë, ASK-ja ka bërë të ditur se në vitin 2023 janë regjistruar 21 mijë e 654 lindje në Kosovë (përfshirë edhe spitalet private) dhe 9457 jashtë Kosovës (në total 31 mijë e 110). Nga 31 mijë e 110 të lindurit, 847 prej tyre janë binjakë. Në lindjet brenda Kosovës, 11 mijë e 207 ishin të gjinisë mashkullore dhe 10 mijë e 447 të gjinisë femërore.
Numri më i madh i nënave që kanë lindur fëmijë, është i grup-moshave 25-29 vjeç me 32.4%, grupmoshave 30-34 vjeç me 31.2%, grupmoshave 20-24 vjeç me 15.9%, dhe grup-moshat tjera përbëjnë 20% të numrit të përgjithshëm të lindjeve. Mosha mesatare e femrave që kanë lindur fëmijë në vitin 2023, është 29 vjeç.
Emri me frekuencë më të madhe (më i shpeshtë) për vitin 2023 për vajza ishte emri Dua 369, ndërsa për djem ishte emri Nil 269 etj.