Ballina BallinaBottom Ekonomi Fakte për...

Niveli i pagave në Kosovë më 2023

Përgatiti: Endrit Berisha

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Kosovë në vitin 2023 ka qenë 570 euro, ndërsa paga neto 506 euro, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) më 11 shtator.

Paga bruto është shuma e përgjithshme e pagës pa tatim dhe pa kontributet e zbritura, ndërsa paga neto është shuma finale pas tatimit dhe kontributeve të zbritura nga paga bruto. ASK-ja i ka ndarë kalkulimet në tre sektorë: ata që marrin paga nga Buxheti i shtetit në sektorin publik, ata që punojnë në biznese private në sektorin privat dhe ata që punojnë në ndërmarrje publike. Për kalkulim janë marrë të dhënat e Ministrisë së Financave dhe të Administratës Tatimore të Kosovës.

Bazuar në këto kalkulime, sipas ASK-së, paga mesatare mujore bruto në nivel të përgjithshëm është rritur për 9.4 për qind në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022 dhe për 13.4 për qind në pagën mesatare neto.

Punëtorët e ndërmarrjeve publike kanë nivelin më të lartë të pagave. Në vitin 2023 te ndërmarrjet publike, paga mesatare bruto për një të punësuar ishte 789 euro. Sektori publik, në vitin 2023 kishte pagë mesatare bruto për një të punësuar 713 euro. Ndërsa sektori privat ishte sektori me pagën më të ulët mesatare bruto me 515 Euro.

Rritjen më të madhe të pagës mesatare e ka pasur sektori publik. Sipas ASK-së, paga mesatare në këtë sektor u rrit për 18 për qind. Në këtë sektor paga mesatare mujore bruto në vitin 2023 ishte 713 euro, ndërsa ajo neto 630.

Te ndërmarrjet publike, paga mesatare bruto mujore për një muaj ishte 789 euro, ndërsa ajo neto 691 euro.

 Sektori privat ka pagën mesatare më të ulët me 515 euro bruto dhe 459 euro neto.

Punëtorët që hyjnë në kuadër të aktivitetit ekonomik të furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, sipas të dhënave të publikuara në Kosovë, përbëjnë sektorin me pagën mesatare më të lartë në Kosovë me 1039 euro bruto dhe 870 euro neto. Paga më e ulët ishte tek aktiviteti i Akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim me 345 euro bruto dhe 312 euro neto.