BallinaBottom Për Kosovën

Liria e medias në Kosovë sipas Komisionit Evropian dhe Reporterëve pa kufij

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Para disa ditësh u publikua Raporti i Progresit i vitit 2024 për Kosovën, nga Komisioni Evropian. Raporti i Progresit është një instrument me të cilin KE vlerëson progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik. Ky raport publikohet një herë në vit, në fillim të tetorit të çdo viti. Raporti përfshin edhe të dhënat sa i përket lirisë së medias në Kosovë. Në këtë artikull janë paraqitur gjetjet në këtë sektor, duke i krahasur ato me raportin e Reporterëve pa kufj (RSF) të vitit 2023.

Ndërhyrja politike dhe pavarësia e medias

KE dhe RSF shprehin shqetësime të ngjashme për ndërhyrjet politike në median kosovare, por theksojnë aspekte të ndryshme. Komisioni Evropian kritikon ndërhyrjet e qeverisë kosovare në median publike dhe private, përfshirë emërimin e drejtuesve të lidhur me partinë në pushtet në RTK dhe pezullimin e licencës së Klan Kosova si presion ndaj mediave të pavarura. Ndërkohë, RSF theksojnë se mediat në gjuhën serbe janë nën presion të dyfishtë, si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi, dhe përballen me pengesa për qasje në informacion për shkak të mungesës së përkthimeve në gjuhën serbe. Të dy raportet e cilësojnë ndërhyrjen politike si kërcënim për lirinë e medias, me RSF që i kushton më shumë vëmendje tensioneve ndëretnike.

Korniza ligjore dhe SLAPP-et

KE vëren se liria e shprehjes dhe e medias janë të garantuara me ligj në Kosovë, duke përmendur se shpifja dhe fyerja janë dekriminalizuar. Megjithatë, raporti thekson se ligjet ekzistuese nuk përputhen plotësisht me standardet e BE-së dhe rekomandon përmirësime për të garantuar pavarësinë e rregullatorëve të medias dhe mbrojtjen e gazetarëve nga presionet. Ai gjithashtu nënvizon nevojën për reforma që forcojnë mbrojtjen e gazetarëve nga sulmet fizike dhe kërcënimet. Në të njëjtën linjë, RSF evidentojnë ndikimin negativ të SLAPP-ve (Strategic Litigation Against Public Participation) apo në shqip (Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike), të cilat përdoren nga figura të fuqishme për të heshtur gazetarinë e pavarur. RSF i cilëson këto padi si forma censure dhe sugjeron që qeveria të miratojë masa më të forta ligjore për mbrojtjen e gazetarëve.

Varësia Ekonomike dhe Transparenca e Pronësisë së Medias

Ky institucioni i Bashkimit Evropian (BE) vëren se media private në Kosovë varet kryesisht nga reklamat, duke përjetuar shpesh ndërhyrje nga pronarë me lidhje politike. Ai thekson sfidat si financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik RTK dhe transparenca e dobët në strukturën e pronësisë, duke shprehur shqetësimin se mungesa e burimeve të qëndrueshme financiare i bën mediat të prekshme ndaj presioneve politike dhe ekonomike. Nga ana tjetër, RSF përqendrohen në transparencën financiare dhe raportojnë se shumica e mediave të pavarura nuk do të mbijetonin pa financimin ndërkombëtar. RSF gjithashtu thekson se financimi nga qarqe biznesore dhe parti politike paraqet një rrezik që krijon varësi të mediave ndaj interesave ekonomike dhe politike. Ata bëjnë thirrje për një rregullim më të fortë të transparencës financiare dhe për politika që sigurojnë pavarësinë ekonomike të mediave.

Siguria e gazetarëve dhe kërcënimet Fizike

KE shpreh shqetësime serioze për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në Kosovë, duke vënë në dukje se organet e rendit dhe gjyqësori shpesh nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme, sidomos për ata që mbulojnë tema të ndjeshme si korrupsioni dhe krimi i organizuar. KE thekson nevojën për përmirësimin e kapaciteteve të organeve të drejtësisë për të ndjekur dhe hetuar rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Ndërsa, Reporterët pa Kufij e përshkruajnë mjedisin e sigurisë për gazetarët si veçanërisht të pasigurt. Ata raportojnë se gazetarët që raportojnë mbi çështje të ndjeshme janë objektiva të sulmeve fizike dhe kërcënimeve në rrjetet sociale, veçanërisht gjatë periudhave të tensioneve politike midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas RSF, hetimet për sulmet ndaj gazetarëve rrallë përfundojnë me dënime, duke krijuar një kulturë të pandëshkueshmërisë. RSF sugjeron trajnime dhe protokolle më të avancuara për mbrojtjen e gazetarëve, duke përfshirë mekanizma për parandalimin dhe reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve.

Rekomandimet për përmirësime

Trupi ekzekutiv i BE-së sugjeron përmirësimin e kuadrit ligjor për të forcuar pavarësinë e medias në Kosovë, duke përfshirë protokolle për parandalimin dhe përgjigjen ndaj kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe përputhjen e legjislacionit kosovar me standardet e BE-së. Ai rekomandon gjithashtu forcimin e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radio-Televizionin e Kosovës për të siguruar pavarësinë financiare dhe editoriale të këtij transmetuesi.

Në të njëjtën kohë, RSF theksojnë nevojën për mbrojtjen ligjore të gazetarëve nga SLAPP-et, të cilat përdoren nga individë të fuqishëm për të kufizuar raportimin e pavarur. Ata bëjnë thirrje që qeveria të ndërmarrë masa më të forta për të ndaluar ndërhyrjet administrative dhe presionin politik ndaj mediave. Po ashtu, RSF rekomandon forcimin e mbrojtjes së gazetarëve nga sulmet fizike dhe kërcënimet, duke krijuar një mjedis më të sigurt për gazetarinë e pavarur

Në përfundim, raportet e KE-së dhe të RSF-së japin një pamje të ngjashme për sfidat me të cilat përballen mediat në Kosovë, duke identifikuar ndikimet politike dhe ekonomike si kërcënimet kryesore për lirinë e medias. Megjithatë, Komisioni Evropian përqendrohet më shumë në reformimin e kuadrit ligjor dhe përputhjen me standardet e BE-së, ndërsa Reporterët pa Kufij vendosin theksin te siguria e gazetarëve dhe mbrojtjen nga SLAPP-et. Të dy raportet sugjerojnë qasje gjithëpërfshirëse për të përmirësuar lirinë e medias, duke kërkuar rritje të transparencës financiare, përmirësim të mbrojtjes së gazetarëve dhe pavarësi të plotë editoriale për median publike dhe private në Kosovë.