Përgatiti: Fatbardh Dema
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të hënën (27 janar) i kanë dhënë pëlqimin përfundimtar Peter Sorensenit për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Politikani nga Danimarka u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post.
Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët, Sorensen do të nisë mandatin më 1 shkurt.
Emisarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.
Por, kush është Sorensen?
Këshilli i BE-së, në ditën kur Sorensen mori pëlqimin e ministrave të jashtëm për ta udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi, publikoi një CV të tijën në ueb-faqen zyrtare.
Detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së (EUSR) thuhet se do të jenë të lehtësojë dialogun që do të kontribuojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj të miratuar në shkurt dhe mars 2023. Sorensen do të marrë detyrat e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh.
Sorensen është një diplomat danez me përvojë të gjerë, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai shërbeu nga viti 2011-2014 si Përfaqësues Special/Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe gjithashtu ka mbajtur pozita si ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Shkup dhe shef i delegacionit në Gjenevë. Në këtë të fundit, Sorensen përfaqësoi BE-në në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke përfshirë edhe si përfaqësues të Unionit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Përfaqësuesit Specialë të BE-së promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të caktuara, si dhe çështjet me shqetësim ose interes të veçantë për BE-në. Ata luajnë një rol aktiv në përpjekjet për të konsoliduar reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Përfaqësuesit e parë Specialë të BE-së u emëruan në vitin 1996.
Aktualisht, njëmbëdhjetë EUSR mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.