BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën

Aeroportet dhe fushat ajrore në Kosovë

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) është themeluar me Ligjin për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil. AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës.

Aktivitetet në aviacionin civil në hapësirën ajrore të Kosovës zhvillohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Aviacionin Civil, Konventën për Aviacionin Civil Ndërkombëtar të datës 7 dhjetor 1944 dhe Marrëveshjen për Themelimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit.

Hapësira ajrore e Kosovës që nga viti 1999 është nën kontrollin e NATO-s dhe menaxhohet nga CAOC TJ në Torrejon, Spanjë. Hapësira e ulët ajrore (nën nivelin e fluturimit 205) menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe ofron shërbime për trafikun civil, KFOR-in, EULEX-in dhe aviacionin e përgjithshëm. Hapësira e lartë ajrore (mbi nivelin 205) është hapur për trafikun komercial që nga prilli 2014. Aktualisht, janë dy korridore ajrore për aeroportin e Prishtinës, ndërsa normalizimi i hapësirës ajrore është ende në bisedime me NATO-n.

Sipas Ligjit per Aviacionin Civil, aerodrom do të thotë një zonë e caktuar mbi tokë ose ujë (duke përfshirë të gjitha ndërtesat, instalimet dhe pajisjet) të cilat përdoren plotësisht apo pjesërisht për arritjen, ngritjen dhe lëvizjen sipërfaqësore të avionëve; termi “aerodrom” përfshin, por nuk kufizohet, të gjitha aeroportet, fushat ajrore dhe/ose fushat e planerimit.

Në artikull do të tregohet për aerodromët në Kosovë, duke përfshirë aeroportet dhe fushat ajrore funksionale dhe jo funksionale.

Aeroportet:

Aeroporti Ndërkombëtar i PrishtinësAdem Jashari” është aeroporti kryesor dhe i vetëm ndërkombëtar në Kosovë, që shërben si pika kryesore për udhëtarët dhe ngarkesat ajrore në vend. Menaxhohet nga Limak Kosovo International Airport Sh.A (LKIA) që nga viti 2011, pas një marrëveshjeje për koncesion. Aeroporti është zhvilluar me përmirësime të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e një terminali të ri në vitin 2013 dhe zgjerimin e pistës, duke e bërë atë të përshtatshëm për fluturime më të mëdha dhe më komplekse, përmes kategorisë III B.

Të dhënat nga internet (“Google”) tregojnë se Aeroporti i Gjakovës “Amiko” ndodhet në Qerim, afër Gjakovës dhe deri në shtator 1999 ka shërbyer si aeroport bujqësor. Aktualisht, është nën mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe është përdorur për fluturime ushtarake dhe humanitare. Pista e tij është e asfaltuar dhe ka gjatësi prej 1800 metrash. Me gjithë operimin sipas rregullave të fluturimit vizual (VFR), ka plane për kalimin në rregullat e fluturimit instrumental (IFR). Parashikohet që “Amiko” të bëhet aeroporti primar i Kosovës, për shkak të kushteve atmosferike më të favorshme krahasuar me Aeroportin e Prishtinës.

Fushat ajrore:

Sipas një raporti të AAC-së të publikuar më 2015, në Kosovë janë identifikuar gjithsej 12 fusha ajrore. Këto fusha janë ndërtuar për nevojat primare të ish kompanisë shoqërore Agro-Kosova, e formuar si ombrellë e të gjitha kombinateve bujqësore, në fund te viteve ‘70 dhe fillimin e viteve ‘80. Karakteristikë e përbashkët e këtyre fushave janë dimensionet e pistës, të cilat në shumicën e rasteve kanë një gjatësi prej afërsisht 450m dhe 18m gjerësi.

Informatat tregojnë se përveç fushës ajrore në Malishevë, të tjerat janë jashtë funksionit.

Fusha ajrore në Malishevë ndodhet 45 km nga Prishtina dhe 20 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Me një lartësi mbidetare prej 595-602 metrash, pista është solide dhe ka fusha të punuara afër saj. Qasja deri te fusha ajrore është pak e vështirë, por nuk ka pengesa për aterrime dhe ngritje. Më 14 qershor të vitit 2024, kjo fushë ajrore u bë e para që u regjistrua nga AAC.

Fusha ajrore në Koreticë, Drenas, ndodhet 25 km nga Prishtina dhe 10 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Me një lartësi mbidetare prej 599 metrash, pista ka drejtimin 1700 dhe 3500. Megjithëse e shtruar me asfalt, fusha është e mbuluar me mbeturina dhe gurë të mëdhenj, dhe në afërsi të saj ndodhen rrethoja të arave që shkojnë deri pranë pistës.

Fusha ajrore në Marinë, Skënderaj, ndodhet 40 km nga Prishtina dhe 20 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, me një lartësi mbidetare prej 651 m në drejtimin 0100 dhe 642 m në drejtimin 1900. Baza e pistës duket solide, por ka nevojë për riparim ose rishtresim me asfalt. Në pjesën veriore ka vrima në sipërfaqe, dhe pista përdoret nga një autoshkollë lokale për trajnimin e vozitësve. Përreth pistës nuk ka rrethoja, uzurpime apo objekte që pengojnë ngritjet dhe aterrimet.

Fusha ajrore në Jashanicë, Klinë, ndodhet 65 km nga Prishtina dhe 30 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Lartësia mbidetare arrin deri në 551 m në drejtimin 0600 dhe 555 m në drejtimin 2400. Përreth pistës ka toka bujqësore, dhe në anën jugore ndodhet një ngritje terreni prej 4 metrash, 285 metra nga pragu perëndimor. Nuk ka objekte të larta që të pengojnë ngritjet dhe aterrimet.

Fusha ajrore në Krushevë, Klinë, ndodhet 80 km nga Prishtina dhe 40 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Lartësia mbidetare arrin 505 m në drejtimin 1700 dhe 502 m në drejtimin 3500. Pista ka një bazë solide, por kërkon riparim ose shtresim të ri me asfalt. Tokat bujqësore janë mbjellë deri në pistë, dhe një rrugë kalon përmes saj. Në anën perëndimore të pistës, toka është e ngritur deri në 50 cm, dhe në veri-lindje, 550 m larg, gjendet një antenë 30 m e lartë. Në veri-perëndim ndodhen dy trafo dhe një objekt i dëmtuar.

Fusha ajrore e Rahovecit ndodhet 65 km nga Prishtina dhe 40 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, me lartësi mbidetare prej 389 m në drejtimin 0500 dhe 380 m në drejtimin 2300. Pista është pothuajse tërësisht e dëmtuar, me objekte të ngritura në të, dhe 50 metrat e para të saj në anën perëndimore janë të dëmtuara. Përreth pistës ndodhen rrethoja dhe objekte të tjera pranë perimetrit të fushës ajrore.

Fusha ajrore e Prizrenit ndodhet 76 km nga Prishtina dhe 45 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Ajo duket të jetë privatizuar dhe ndarë në parcela të ndryshme, duke e bërë të pamundur identifikimin e saj si fushë ajrore. Nuk ka pistë të dukshme të shtruar me beton, asfalt, apo shtresë bari që mund të identifikohet si pistë.

Fusha ajrore në Topliçan, Therandë, ndodhet 66 km nga Prishtina dhe 35 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, me lartësi mbidetare prej 411 m në drejtimet 1800 dhe 3600. Gjatë vizitës vlerësuese, u takua pronari aktual, i cili e ka privatizuar këtë fushë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Në fushë ndodhet një hangar i ndërtuar nga KFOR-i për nevojat e tij. Pronari shprehu interes për bashkëpunim në shfrytëzimin e kësaj fushe për aktivitete aeronautike.

Fusha ajrore në Ferizaj ndodhet 35 km nga Prishtina dhe 26 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, me lartësi mbidetare prej 587 m në drejtimin 1600 dhe 581 m në drejtimin 3400. Baza e saj është solide, por pista ka dëmtime sipërfaqësore. Në pjesën lindore të pistës gjenden dy linja të largpërçuesve, dhe nga metri 200 deri në 210, pista është e prerë dhe e dëmtuar. Një strukturë betoni, 350 metra nga veriu i pistës, paraqet një pengesë. Pragu jugor i pistës ka dimensione 10×25 metra, dhe qasja në fushë është e lehtë për shkak të afërsisë me rrugën tranzitore Ferizaj – Shkup.

Fusha ajrore në Gjilan ndodhet 42 km nga Prishtina dhe 35 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, me lartësi mbidetare prej 575 m në drejtimin 1100 dhe 565 m në drejtimin 2900. Baza e saj është solide, dhe para pistës ndodhet një rampë (laurë) me roje që menaxhon hyrjen dhe daljen. Përgjatë pistës ka shtëpi të ndërtuara, dhe sipas informatave, pista përdoret nga pronarët e shtëpive për të arritur pronat e tyre dhe nga auto-shkollat për trajnimin e vozitësve të rinj. Ajo gjithashtu shfrytëzohet si treg i veturave. Në afërsi të pistës ka shtylla elektrike, dhe qasja është e lehtë për shkak të afërsisë me rrugën tranzitore.

Fusha ajrore në Dubravë, Istog, ndodhet 83 km nga Prishtina dhe 45 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Lartësia mbidetare është 534 m në drejtimin 1800 dhe 517 m në drejtimin 3600. Sipërfaqja e saj është e mbuluar me bar, por mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që bari të arrijë deri në 50 cm, duke e vështirësuar vlerësimin e tokës. Pjesa jugore e pistës ka 100 metra të rrethuar me gardh, ndërsa në anën perëndimore ka një rrugë dytësore. Qasja në këtë fushë ajrore është e lehtë për shkak të afërsisë me rrugën tranzitore.

Fusha ajrore në Dumosh, Batllavë, ndodhet 25 km nga Prishtina dhe 32 km në vijë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Lartësia mbidetare arrin në 615 m në drejtimin 1700 dhe 604 m në drejtimin 3500. Sipërfaqja e fushës është me bar, por mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që toka të mos jetë e rrafshët. Në anën veriore, ka shtylla për futboll dhe një pus me grumbuj dheu. Pjesa jugore e pistës është shumë e dëmtuar, me ngritje të rrethojave dhe objekte të EULEX-it. Qasja në fushën ajrore është e lehtë për shkak të afërsisë me rrugën.