Përgatiti: Etrit Rexhepi
Të dhënat e regjistrimit të popullsisë të realizuar në vitin 2024, përveç numrit të banorëve rezidentë në Kosovë, kanë treguar edhe karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë sonë. Njëra nga to që është përfshirë në këtë proces, është edhe arsimimi në Kosovë. Banorët që i janë nënshtruar pyetjeve rreth arsimimit janë popullsia mbi moshën 10 vjeçare.
Rezultatet tregojnë një rritje, krahasuar me vitin 2011, të numrit të popullsisë me arsim të lartë të përfunduar, si dhe një rënie të numrit të banorëve që kanë përfunduar vetëm nivelin fillor ose të mesëm. Gjithashtu, është vërejtur një ulje në numrin e popullsisë analfabete.
Popullsia e përgjithshme mbi 10 vjeç
- 2011: 1,429,174
- Meshkuj: 715,059
- Femra: 714,115
- 2024: 1,360,584
- Meshkuj: 677,780
- Femra: 682,804
Të dhënat tregojnë se numri i kësaj popullsie është 1,360,584, krahasuar me regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, që shënonte një total prej 1,429,174 banorësh të kësaj moshe. Siç shihet, numri i banorëve të kësaj grupmoshe ka pësuar rënie krahasuar me regjistrimin e vitit 2011. Megjithatë, përqindja e kësaj grupmoshe në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë ka shënuar një rritje, nga 82.14% në vitin 2011 në 85.81% sipas të dhënave të fundit.
Popullsia me arsim të lartë të përfunduar
- 2011: 116,912 (8.18% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- 2024: 233,559 (17.17% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- Femra në mesin e të diplomuarve:
- 2011: 3.02%
- 2024: 8.64%
Ndryshe nga numri i personave mbi 10 vjeç, të dhënat për arsimin e lartë të përfunduar tregojnë rritje të shifrave, që nga viti 2011, si në numër ashtu edhe në përqindje. Numri (233,559) dhe përqindja (17.17%), tregojnë se popullata, e cila ka përfunduar shkollimin e lartë, është dyfishuar në raport me vitin 2011. Rritja vërehet edhe në përqindjen e grave, në këtë nivel arsimi, ku nga 3.02% sa ishte në vitin 2011, përqindja ka shkuar në 8.64%.
Popullsia me arsim të mesëm të lartë të përfunduar
- 2011: 427,905 (29.94% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- 2024: 475,809 (34.97% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- Femra në mesin e kësaj popullsie:
- 2011: 10.72%
- 2024: 13.05%
Nga viti 2011 deri në vitin 2024, edhe popullsia me arsim të mesëm të lartë të përfunduar ka shënuar një rritje më të lehtë në raport me nivelin paraprak të arsimit, duke u rritur nga 427,905 individë (29.94% e popullsisë mbi 10 vjeç) në 475,809 individë (34.97% e popullsisë mbi 10 vjeç). Ndërkohë, pjesëmarrja e femrave edhe në këtë grup është rritur gjithashtu, nga 10.72% në vitin 2011 në 13.05% në vitin 2024, duke reflektuar një përmirësim në përfshirjen e grave në arsim të mesëm të lartë gjatë kësaj periudhe.
Popullsia me arsim të mesëm të ulët të përfunduar
- 2011: 501,617 (35.10% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- 2024: 389,030 (28.59% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- Femra në mesin e kësaj popullsie:
- 2011: 20.14%
- 2024: 16.68%
Rënie është vërejtur në nivelin e arsimit të mesëm të ulët, ku nga 501,617 individë (35.10% e popullsisë mbi 10 vjeç), sa ishte në vitin 2011, ka shkuar në 389,030 individë (28.59% e popullsisë mbi 10 vjeç). Në të njëjtën periudhë, pjesa e femrave brenda këtij grupi është ulur nga 20.14% në vitin 2011 në 16.68% në vitin 2024. Rënia e këtij niveli arsimor, mund të lidhet me rritjen e individëve që vijojnë nivele më të larta të arsimit.
Popullsia me arsim fillor të përfunduar
- 2011: 245,552 (17.18% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- 2024: 186,020 (13.67% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- Femra në mesin e kësaj popullsie:
- 2011: 9.98%
- 2024: 8.28%
Rënie të konsiderueshme nga viti 2011 në vitin 2024, vërehet edhe në popullsinë me arsim fillor të përfunduar, duke përfshirë edhe gratë e duke kaluar nga 245,552 individë (17.18% e popullsisë mbi 10 vjeç) në 186,020 individë (13.67% e popullsisë mbi 10 vjeç). Këto të dhëna tregojnë një tendencë drejt përmirësimit të nivelit të përgjithshëm arsimor, me gjithnjë e më pak individë që përfundojnë arsimin vetëm në nivel fillor.
Popullsia me shkollim tjetër
- 2024: 5,831 (0.43% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- Femra në këtë kategori: 0.20%
Popullsia pa arsim formal/pa nivel të përfunduar të arsimit, por që dinë shkrim-lexim
- 2011: 82,188 (5.75% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- 2024: 24,408 (1.79% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- Femra në këtë kategori:
- 2011: 3.06%
- 2024: 1.13%
Popullsia me shkollim tjetër përbën një pjesë të vogël të popullsisë mbi 10 vjeç, me vetëm 5,831 individë (0.43%), nga të cilët femrat zënë 0.20%. Ndërkohë, popullsia pa arsim formal ose pa nivel të përfunduar të arsimit, por që zotërojnë aftësi të shkrim-leximit, ka pësuar një rënie të madhe nga 82,188 individë (5.75%) në vitin 2011 në 24,408 individë (1.79%) në vitin 2024. Brenda këtij grupi, pjesa e femrave është ulur nga 3.06% në vitin 2011 në 1.13% në vitin 2024.
Popullsia analfabete
- 2011: 55,001 (3.85% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- 2024: 30,902 (2.27% e popullsisë mbi 10 vjeç)
- Femra në mesin e analfabetëve:
- 2011: 79.70%
- 2024: 73.58%
Edhe niveli i analfabetizmit në Kosovë, ka shënuar një ulje të dukshme nga viti 2011 deri në vitin 2024, duke kaluar nga 55,001 individë (3.85% e popullsisë mbi 10 vjeç) në 30,902 individë (2.27% e popullsisë mbi 10 vjeç). Megjithatë, femrat vazhdojnë të përbëjnë shumicën e këtij grupi, edhe pse përqindja e tyre ka rënë nga 79.70% në vitin 2011 në 73.58% në vitin 2024.