Përgatiti: Etrit Rexhepi
Lideri botëror për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet, Starlink, është në dispozicion në tërë territorin e Kosovës, nga 21 dhjetori 2024.
Me ardhjen e Starlinkut, Kosova përfiton internet pa ndërprerje në çdo pjesë të territorit.
Starlinku është rrjet satelitor i krijuar nga kompania amerikane e hapësirës “SpaceX” me pronar, njeriun më të pasur në botë aktualisht, Elon Musk. Rrjeti synon të ofrojë shërbime interneti me shpejtësi të lartë në të gjithë botën, veçanërisht në zonat ku interneti me lidhje të zakonshme ka vështirësi në realizim.
Satelitët Starlink janë lansuar më 2019. Sipas të dhënave në Wikipedia, deri në shtator 2024, rrjeti kishte mbi 7000 satelitë të vegjël në orbitën e ulët të Tokës, që dërgojnë sinjalin e internetit tek pajisjet që i marrin përdoruesit.
Varësisht nga marrëveshjet, pajisje për rezidenca apo edhe portative, porositë mund të bëhen direkt në uebfaqen e Starlinkut. Çmimet përcaktohen varësisht prej fuqisë blerëse të secilit shtet. Sipas uebfaqes së Starlinkut, pako mujore e internetit në Prishtinë është 60 euro, ndërsa pajisja harduerike 360 euro.
Starlink ka njoftuar se deri në shtator sivjet i ka katër milionë përdorues në botë në mbi 100 shtete e territore. Në mesin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, Starlinku është funksional edhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut (Harta).
Sipas uebfaqes, shpejtësia e internetit për shkarkim është mes 25 dhe 220 megabitëve për sekondë. Shumica e përdoruesve përjetojnë internet me shpejtësi mbi 100 Mbps. Ngarkimi arrin në shpejtësi prej 5 deri 20 Mbps.
Starlinku nisi funksionimin në Kosovë pasi më 18 tetor iu lëshua autorizimi nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Kosova ka shtrirje të gjerë të internetit aktualisht. Qasja në internet nga shtëpitë në Kosovë gjatë vitit 2023 ishte 98.6 për qind, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në “Vjetarin Statistikor 2024”. Në krahasim me një vit më herët, shtrirja është rritur për 1 për qind (Detaje).