Përgatiti: Etrit Rexhepi
Në vitin 2023, u trajtuan disa nga përmbajtjet mediatike, të identifikuara si përmbajtje keqinformuese si dhe të vlerësuara si dezinformata në bazë të metodologjisë vlerësuese të hibrid.info.Në mesin e kategorive të përcaktuara të metodologjisë janë edhe ato përmbajtje që hibrid.info i vlerëson si “Dezinformatë”. “Dezinformatë” është ai raportim mediatik, i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu edhe raportet që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit, hyjnë në këtë kategori.Bazuar në raportin vjetor të hibrid.info, për gjendjen e çrregullimit informativ, për periudhën gjashtëmujore janar-qershor 2023 (shih këtu), 21% e publikimeve të trajtuara kanë marrë vlerësimin si “Dezinformatë”.Ky raport thotë se shqyrtimi i të dhënave në baza mujore tregon se dezinformatat kanë të mbizotëruar gjatë muajit janar 2023, si vazhdimësi e tendencës së muajit dhjetorit 2022, por nga muaji shkurt e deri në fund të muajit qershor, publikimet nga kjo kategori kanë rënë në vendin e dytë.Sipas po të njëjtit raport rënia e numrit të publikimeve në kategorinë e dezinformatës i atribuohet numrit më të ulët të të raportimeve keqinformuese për fushat tematike (politikë dhe siguri) në këtë periudhë. Gjë e cila nënkupton se këto dy fushat prijnë sa i përket temave për të cilat ka pasur më së shumti keqinformime për kategorinë “Dezinformatë”.Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, në bazë të raporteve mujore, përmbajtjet keqinformuese të kategorizuara si dezinformatë kanë mbajtur vendin e dytë me sasi të përmbajtjeve, përjashto muajin shtator, në të cilin kjo kategori mori vendin e tretë.Gjatë muajit korrik publikues të ndryshëm në mediat sociale kanë publikuar më së shumti dezinformata në fushën e politikës dhe sigurisë. Dezinformatat në fushën e sigurisë ndërlidhen me veriun, ndërkaq në fushën e politikës me pretendimet e pavërteta për rrëzimin e Qeverisë Kurti (shih këtu).Ndërsa në muajin gusht përmbajtjet dezinformuese janë publikuar në mediat sociale dhe portale të dyshimta, kryesisht në gjuhën shqipe në fushën politike dhe të sigurisë. Dezinformatat në gjuhën shqipe, në fushën e politikës, ndërlidheshin me deklaratat e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinakut për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe rreth dorëheqjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. (shih këtu)Derisa në muajin shtator (këtu) pothuajse të gjitha dezinformatat janë publikuar në fushën e sigurisë nga faqe në mediat sociale në gjuhën shqipe dhe media reale në gjuhën serbe, pa dominuar ndonjë temë specifike, në muajt tetor dhe nëntor (shih këtu dhe këtu), dezinformatat e publikuara kryesisht lidhen me konfliktin Izrael-Hamas.