Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Drejtuesit e NATO-s që vizituan Kosovën

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Pas masakrës së Reçakut ku ishin vrarë 42 civilë më 15 janar 1999, një mision verifikues i OSBE-së nën udhëheqjen e ambasadorit William Walker, e quajti atë “një krim të papërshkrueshëm, një krim të qartë kundër njerëzimit”. Kjo e kishte shtyrë bashkësinë ndërkombëtare të veprojë ushtarakisht për të ndalur luftën.

Më 24 mars 1999 – NATO-ja (Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior) nisi fushatën ajrore kundër Jugosllavisë, e cila zgjati deri më 12 qershor 1999, duke goditur caqe ushtarake dhe policore në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës (9 qershor 1999), ndërmjet NATO-s dhe Jugosllavisë, lufta përfundon. Të gjitha trupat serbe tërhiqen nga Kosova dhe NATO-ja me misionin e vet, KFOR, mori përsipër ofrimin e sigurisë për Kosovën.

Kosova, që nga ajo kohë, ka qenë në fokusin e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO. Këtë e dëshmojnë edhe vizitat e shpeshta të sekretarëve të përgjithshëm të kësaj organizate në Kosovë.

Mark Rutte, Sekretari aktual i Përgjithshëm i NATO-s, viziton sot (11 mars) Kosovën, që shënon edhe vizitën e tij të parë në vend që nga marrja e detyrës, më 1 tetor 2024. Kjo vizitë vjen në kohën e raporteve të tensionuara mes Evropës dhe ShBA-së, pas hapave të ndërmarrë nga administrata amerikane me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë (lexo).

Por, kush ishte udhëheqësi i parë i NATO-s që vizitoi Kosovën?

Javier Solana, që ishte në krye të kësaj aleance ushtarake gjatë kohës së bombardimeve kundër Jugosllavisë, bashkë me Wesley Clark, komandantin suprem dhe Jamie Shea, zëdhënës, vizituan Kosovën pas përfundimit të luftës, më 24 qershor 1999. Qëllimi i vizitës, siç patën theksuar udhëheqësit e lartë të Aleancës, ishte vlerësimi i gjendjes pas dislokimit të forcave paqeruajtëse në Kosovë. (shih këtu).

Vizitën e fundit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Solana e kishte bërë disa muaj më vonë, më 24 shtator të atij viti. Ai kishte pasur takime me drejtuesit civilë ndërkombëtarë, përfaqësues të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës (shih më shumë).

Më 14 tetor 1999, Solana përfundon mandatin në krye të Aleancës Veriatlantike.

Pas Solanës, mandatin për të drejtuar NATO-n e mori britaniku George Robertson. Me të marrë pozitën, Robertson vizitoi Kosovën në tetor të 1999-ës. Lordi Robertson shoqërohej nga ambasadorët e 19 vendeve të NATO-s, nga kryetari i komitetit ushtarak të Këshillit të NATO-s dhe komandanti suprem i aleatëve.

Bernard Kouchner, kryeadministrator i Kosovës kryesoi takimin me delegacionin e NATO-s dhe liderët politikë vendorë nga Këshilli Tranzitor i Kosovës. Në takim ishte i pranishëm edhe udhëheqësi shpirtëror i komunitetit serb, peshkopi Artemije (këtu).

Një vit pas fillimi të sulmeve ajrore ndaj Jugosllavisë, Robertson erdhi përsëri në Kosovë (këtu).

Më të shpeshta vizitat në Kosovë gjatë detyrës së tij si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, i pati Jaap de Hoop Scheffer, ish-diplomat holandez. Në mandatin e Scheffer, Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Ai kishte vizituar Kosovën në prill 2007, ku kishte shprehur mbështetjen për pakon e Ahtisaarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe kundër ndarjes së Kosovës (për më shumë).

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Schefer në tri vizita, dy në vitin 2008 (shih këtu dhe këtu) dhe një në vitin 2010, vazhdimisht kishte theksuar rëndësinë e rolit të NATO-s në shtetin më të ri në Evropë.

Radha i erdhi Anders Fogh Rasmussen, ish-kryeministrit danez, i cili po ashtu gjatë mandatit të tij (2009-2014) si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu ishte në Kosovë. Më 26 shkurt 2010 – Rasmusen në Prishtinë, gjatë takimeve që kishte me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, kishte thënë se Kosova mbetet prioritet i lartë i Aleancës që ai e drejtonte dhe këtë e tregonte fakti se Kosova ishte vendi i dytë që po vizitohej nga ai, që nga ardhja e tij në këtë post (lexo).

Tre vjet më vonë, Rasmussen e kishte vizituar Shtabin Qendror të KFOR-it në Prishtinë dhe ishte takuar me përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë dhe ata të shtetit të Kosovës (këtu).

Ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, i cili qëndroi dhjetë vjet (më së gjati) si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s (2014-2024), gjithashtu qëndroi në Kosovë në disa raste (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Kosova është anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Kosova kërkoi anëtarësim të përshpejtuar në NATO. Gjatë atij viti, Kosova shprehu synimin për anëtarësim në një nga programet e NATO-s, Partneriteti për Paqe. Megjithatë, anëtarësimi në NATO kërkon konsensus të plotë të të gjithë anëtarëve. E kjo konsiderohet pengesa kryesore për Kosovën, pasi nga shtetet anëtare, katër nuk ia njohin pavarësinë: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja (shih këtu).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *