Gjatë muajve të fundit, TikTok si platformë sociale ka regjistruar rritje në përhapjen e keqinformatave, duke u bërë burim shqetësues i informacionit të pasaktë dhe manipulues në Kosovë. Kjo platformë, me përdorueshmërinë dhe popullaritetin e saj të gjerë, po ndikon gjithnjë e më shumë në formësimin e opinioneve përmes përmbajtjeve të dyshimta dhe të pabazuara.
Përgatiti: Etrit Rexhepi
Që nga qershori i vitit 2024, Qeveria e Kosovës ka ndaluarpërdorimin dhe funksionimin e platformës sociale TikTok në institucionet shtetërore të vendit, me arsyetimin për rreziqet kibernetike që paraqet platforma (shih këtu).
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, më 11 dhjetor të vitit të kaluar kishte diskutuar çështjen e rrjetit social TikTok dhe mundësinë për ta mbyllur atë në tërë territorin (lexo).
Këto diskutime ndodhën pas raportimeve për një numër të madh të rasteve të tjera të lëndimit a vetëlëndimit të nxënësve, gjatë realizimit të sfidave që shpërndahen në rrjete sociale (shiko këtu).
Por, për herë të parë shqyrtimi për ndalimin e TikTok në Kosovë, kishte filluar në prill të vitit 2023. Krenare Sogojeva-Dermaku, komisionere në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), kishte deklaruar se do të fillojnë analizat dhe vlerësimet me institucionet e sigurisë për mundësinë e ndalimit të TikTok në Kosovë, pas shqetësimeve të ngritura nga disa shtete për rreziqet që lidhen me këtë platformë.
Ajo theksonte se AIP nuk mund të marrë vendime për ndalimin e platformës, pasi ky vendim është në kompetencë të Qeverisë. Sogojeva-Dermaku po ashtu e pranonte se TikTok-u mundëson mbledhjen e të dhënave personale dhe ka shkaktuar keqpërdorime, duke përmendur raste që janë referuar në Polici (shih vegëzën).
Rritja e keqinformatave në TikTok, zgjedhjet në fokus
Monitorimi i përmbajtjeve në mediat sociale në gjuhën shqipe nga hibrid.info zbulon një trend të vazhdueshëm në përdorimin e këtyre platformave për shpërndarjen e informacionit të pasaktë dhe manipulues.
Gjatë muajve të fundit, TikTok ka regjistruar rritje në përhapjen e keqinformatave, duke u bërë burim shqetësues i informacionit të pasaktë dhe manipulues. Kjo platformë, me përdorueshmërinë dhe popullaritetin e saj të gjerë, po ndikon gjithnjë e më shumë në formësimin e opinioneve përmes përmbajtjeve të dyshimta dhe të pabazuara.
Gjatë muajit shtator, rreth 70% e përmbajtjeve të klasifikuara si keqinformuese ishin të pranishme në mediat sociale. 35% e keqinformatave u shpërndanë përmes platformës TikTok. Ky trend vijoi të rritet gjatë tetorit, kur 73% e përmbajtjeve të ngjashme u publikuan në mediat sociale, dhe TikToku përbënte 38%. Ndërkaq, në muajin nëntor, përqindja e përgjithshme e keqinformatave në mediat sociale u rrit në 81%, ndërsa TikTok u shqua veçanërisht si platformë kryesore, duke kontribuar me 57% të përmbajtjeve të pasakta të shpërndara gjatë atij muaji. Këto shifra tregojnë një rritje të vazhdueshme të përdorimit të TikTokut për përhapjen e keqinformatave (shih artikullin).
Shqipëria mbyll TikTok-un
Nga sot hyri në fuqi vendimi i Qeverisë së Shqipërisë, e cila më 6 mars miratoi mbylljen e medias sociale TikTok për një periudhë 1-vjeçare në Shqipëri, në të gjithë territorin e vendit. Propozimi për mbylljen e TikTok-ut ishte bërë në fund të vitit të kaluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas Qeverisë, vendimi është marrë pas konsultimit me prindër dhe mësues dhe rekomandimi për mbylljen e përkohshme të kësaj platforme është bërë nga një grup ndërinstitucional (lexo më shumë).
Shqipëria u bashkohet vendeve si India, Afganistani, Irani, Nepali, Pakistani në të cilat TikTok-u është i ndaluar plotësisht. Ndërsa shumë nga vendet e Bashkimit Evropian e edhe institucionet e bllokut evropian, kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisje shtetërore dhe brenda institucioneve shtetërore (për më shumë).
TikToku në SHBA
Në të gjithë botën në TikTok janë hapur mbi 1.9 miliard llogari.
Më 17 janar, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vendosi njëzëri që të miratojë ligjin federal që e ndalon TikTok-un duke filluar nga 19 janari, përveçse nëse shitet nga kompania e saj amë me bazë në Kinë (lexo më shumë).
Gjykata argumentoi se rreziku për sigurinë kombëtare i shkaktuar nga lidhjet me Kinën, vend i cili nuk e njeh Kosovën, tejkalon shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes nga aplikacioni.
Por, TikTok-u i riktheu shërbimet për 170 milionë përdoruesit e vet në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, u zotua se do ta përdorë një urdhër ekzekutiv për ta pezulluar ndalesën federale ndaj platformës në momentin që do ta merrte pushtetin (lexo).
TikTok-u është aplikacion për shpërndarjen e videove të shkurtra, në pronësi të kompanisë ByteDance, me bazë në Kinë.