Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Fakte për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Më 12 dhjetor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte njoftuar për përmbylljen e periudhës për aplikim të subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Ky proces, ishte zhvilluar nga data 1 shtator deri më 11 dhjetor 2024, duke rezultuar me aplikimin e 28 subjekteve politike, ku përfshihen:

  • 20 parti politike,
  • 5 koalicione,
  • 2 nisma qytetare, dhe
  • 1 kandidat të pavarur.

Numri total i kandidatëve për deputetë nga këto subjekte është 1,280 kandidatë.

Partitë politike kryesore kanë dorëzuar listat e mëposhtme të kandidatëve:

  • Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV): 110 kandidatë
  • Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 110 kandidatë
  • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 110 kandidatë
  • Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar (PBKDSH): 95 kandidatë
  • Partia Liberale Egjiptiane (PLE): 60 kandidatë
  • Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK): 56 kandidatë
  • Srpska Lista: 48 kandidatë
  • Nova Demokratska Stranka (NDS): 46 kandidatë

Ndërkohë, koalicionet dhe nismat qytetare kanë propozuar gjithashtu kandidatë, ndër të cilët spikasin:

  • Koalicioni AAK – NISMA – Lista Konservatore – Forumi Intelektual – E-30: 110 kandidatë
  • PDAK – LPB: 100 kandidatë
  • Koalicioni për Familje: 72 kandidatë

Të gjitha aplikimet janë dorëzuar në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, e cila kishte shqyrtuar dhe rekomanduar certifikimin për secilin subjekt dhe kandidat. Gjithashtu, në përputhje me nenin 30 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ kishte kërkuar nga institucionet përkatëse verifikimin e përshtatshmërisë së kandidatëve për t’u certifikuar.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ votuan kundër certifikimit të Listës Serbe, ndërsa përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PZAP-ja vendosi në favor të Listës Serbe, duke mos gjetur shkelje dhe urdhëroi certifikimin e saj. LVV iu drejtua Gjykatës Supreme për të kundërshtuar këtë vendim, por ankesa u hodh poshtë. Më 2 janar, LVV paraqiti një tjetër ankesë në PZAP, duke argumentuar se certifikimi u bë pa miratimin e anëtarëve të KQZ-së dhe se Lista Serbe nuk njeh shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë, Lista Serbe vazhdoi pjesëmarrjen dhe u përfshi në shortin për renditjen në fletëvotim.

Më 6 janar 2025, KQZ organizoi ceremoninë e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, ku u theksua rëndësia e këtij aktiviteti në kuadër të përgatitjeve për zgjedhje, përfshirë miratimin e dizajnit të fletëvotimit dhe u bë thirrje për respektimin e ligjeve dhe rregullave zgjedhore, duke u theksuar rëndësia e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Renditja përfundimtare e subjekteve politike në fletëvotim u përcaktua sipas shortit, ku disa prej numrave kryesorë janë:

111         INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS – IRDK

112         SRPSKA LISTA

113         Jedinstvena Goranska Partija

114         PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS

115         PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE-PLE

116         SRPSKA DEMOKRATIJA

117         Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar

118         Lëvizja VETËVENDOSJE!

119         NOVA DEMOKRATSKA STRANKA

120         Partija kosovskih Srba

121         Naša Bošnjačka Koalicija (Naša Inicijativa i Bošnjačka stranka)

122         Kosova Adalet Türk Partisi

123         PARTIA E ASHKALINJËVE PËR INTEGRIM

124         LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK

125         PDAK-LPB

126         GRADJANSKA INICIJATIVA NARODNA PRAVDA

127         SOCIJALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU

128         FATMIR BYTYQI

129         Koalicioni për Familje

130         Yenilikçi Türk Hareket Partisi

131         PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK

132         Za Slobodu Pravdu i Opstanak

133         Srpski narodni pokret

134         KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ

135         Koalicija Vakat

136         Opre Roma Kosova

137         AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA – Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore,

Forumi intelektual – E- 30

138         FJALA

KQZ gjithashtu certifikoi listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ku të drejtë vote kanë 2,075,868 qytetarë. Prej tyre, 1,970,944 do të votojnë në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 104,924 janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.

KQZ-ja ka vendosur që numri maksimal i votuesve në një vendvotim të jetë 999 në zonat rurale dhe 950 në ato urbane, për të lehtësuar organizimin e procesit zgjedhor. Në Tiranë dhe Podgoricë, për shkak të regjistrimit të më pak se 50 votuesve, nuk do të ketë vendvotime, por votimi do të bëhet përmes postës.

Këtë vit, shtetasit jashtë vendit mund të votojnë në 17 ambasada dhe 15 konsullata në 19 shtete. Në zgjedhje do të marrin pjesë 27 subjekte politike, përfshirë 19 parti, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat të pavarur.

Pasi të miratohet fletëvotimi më 9 janar 2025, do të nisë procesi i votimit përmes postës për diasporën. Ndërkohë, më 11 janar 2025, do të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore.

Këto zgjedhje shënojnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë në 2008, duke pasuar një seri zgjedhjesh të parakohshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *