Ballina BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

Hapi i parë i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Me 31 vota për, katër vota kundër dhe një abstenim, Komiteti rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Me datë 27 mars, pas vendimit të Komitetit, Asambleja parlamentare pritet të votojë gjatë muajit prill ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet të merret në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.

Çka u tha në deklaratën e publikuar nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci?

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.

Në deklaratën e publikuar nga Komiteti thuhet se ai mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës dhe vë në dukje se “anëtarësimi do të çonte drejt forcimit të standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.

Komiteti e vlerësoi si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e manastirit të Deçanit, duke nënvizuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe që shpronësimet duhet të kryhen “me respektimin më të rreptë të ligjit” dhe në përputhje të plotë me planin e (Martti) Ahtisaarit.

Komiteti tërheq vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa thekson se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis”, duke i bërë thirrje Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa “paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

Kosova e mirëpret vendimin

Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, shkroi në rrjete sociale se opinioni i raportueses Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “pa asnjë parakusht shtesë”. Në raportin e Bakoyyanis, tha zëvendësministri Ahmeti, kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, “fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, dhe jo si vend sipas nenit 5”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se autoritetet “do të vazhdojnë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë të drejtë në instrumentet e Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës”.

Kush ishte kundër?

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të saj nga Këshilli i Europës, nëse Kosova bëhet anëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, e quajti vendimin për rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “të turpshëm dhe skandaloz”.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se kundër raportit kanë votuar dy deputetë nga Serbia, një votë kundër ishte nga deputetët e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq një deputet i Greqisë ka abstenuar.

Njëra nga përfaqësueset që ka votuara kundër është Snezhana Novakoviq – Bursaq, përfaqësuese në Këshillin e Evropës nga Bosnja e Hercegovina, e cila vjen nga partia SNDS (Partia e Social Demokratëve të Pavarur).

Ndërsa, Maja Vukiçeviq, përfaqësuese nga Mali i Zi që ka votuar kundër është nga partia serbe “ Partia Popullore Demokratike” në Mal të Zi.

Dy votat kundër kanë ardhur nga Serbia me përfaqësueset e saj Biljana Pantiq – Pilja nga partia SNS dhe Dunja Simonoviq- Bratiq nga partia SPS.

Hapat e mëtutjeshëm

Asambleja e plotë – duke mbledhur parlamentarë nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës – do të debatojë rekomandimin e komitetit të enjten më 18 prill, gjatë seancës së ardhshme plenare të pranverës, kur do të votojë për një Opinion përfundimtar mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Vendimi përfundimtar për anëtarësimin merret nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës, themeluar në 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

X