Ballina BallinaBottom Fakte për... Gjeografi Për Institucionet

Hidrosistemi “Ibër-Lepenc”

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Hidrocentralet janë centrale elektrike ku energjia e gravitetit të ujit shndërrohet në energji elektrike. Kosova ka potenciale të kufizuara të ujit për prodhim të energjise elektrike. Hidrocentralet në Kosovë ishin prona të Elektroekonomisë së Kosovës ndërsa tani u janë dhënë me koncesion firmave private për një periudhë 20 vjeçare. 

Hidrocentrali i Ujmanit është pronë e Ndërmarrjës Publike “Ibër-Lepenc” dhe është ndërtuar në pendën e liqenit të Ujmanit (1983) me kapacitet prej 35 MW dhe prodhim vjetor rreth 102 GWh .

Hidrocentrali i Ujmanit është një burim i rëndësishëm i energjisë së rinovueshme në Kosovë, duke përmbushur një pjesë të nevojave energjetike të vendit dhe duke kontribuar në diversifikimin e burimeve të energjisë.

Hidrosistemi “Ibër-Lepenc” është ndërmarrje komplekse, shoqeri aksionare në pronësi publike me seli në Prishtinë, e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar, si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.

U themelua me vendim të Kuvendit të Kosovës më 28 shkurt të vitit 1967, ndërsa në vitin 1986 u konstitiua si ndërmjarrje shoqërore me qëllim të operimit dhe mirëmbajtjes së se infrastrukturës të këtij sistemi kompleks. Ndërtimi i hidrosistemit “Ibër-Lepenc” ishte paraparë të bëhej në dy faza: faza e Ibrit, e cila ka përfunduar në vitin 1986 dhe faza e Lepencit, që nuk është realizuar.

Pas luftës hidrosistemi “Ibër-Lepenc” është transformuar në ndërmarrje publike nga administrata e UNMIK-ut dhe më 1 janar 2008, u shndërrua në shoqëri aksionare në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Ndërmarrja përfshin disa objekte me rëndësi, si Penda e Ujmanit (mundëson akumulimin e ujit në sasi prej 375 mil. m³ që shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike), furnizimin e industrisë me ujë të papërpunuar (KEK-u dhe Feronikeli)  si dhe furnizimin e ujësjellësve rajonalë në Mitrovicë dhe Prishtinë me ujë të papërpunuar.

Infrastruktura përfshin:

  • Penda Ujman: Me një lartësi prej 107.5 m dhe kapacitet akumulimi prej 375 milion m³.
  • Penda Pridvoricë: Me një lartësi prej 10 m dhe kapacitet akumulimi prej 480,000 m³.
  • Hidrocentrali Ujman: Kapacitet total prej 35 MW (2 turbina me nga 17.5 MW).
  • Kanale kryesore: 146 km, të cilat sigurojnë furnizimin e vazhdueshëm me ujë.
  • Rrjeti nëntokësor për ujitje: 766 km, i përshtatur për shpërndarjen efikase të ujit.
  • Stacione pompike për ujitje: 14, të shpërndara në zona strategjike.
  • Linjat largpërçuese: 120 km për transportin e ujit dhe energjisë.

Një sasi e konsiderueshme e ujit shfrytëzohet për ujitjen e tokave bujqësore. Objektet e ndërmarrjes shtrhen në territorin e shtatë komunave (Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Drenas), posedon kanale kryesore në gjatësi rreth 146 km, 14 stacione pompimi për ujitje, katër objekte ndarëse, rrjetin nëntokësor për ujitje në gjatësi 766 km si dhe rreth 120 km larg përçues.

Me aktivitet mbi 40 vjet, ndërmarrja ofron shërbimet për ujitjen e kulturave bujqësore, duke përdorur teknologji moderne dhe procese të standardizuara për të siguruar ujitjen efikase, në komunat Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë dhe Gllogoc (Drenas). Ndërmarrja furnizon me ujë të papërpunuar konsumatorë kyç, duke përfshirë:

  • KRU Mitrovica: 650 l/s
  • KRU Mitrovica-Vushtrri: 240 l/s
  • KRU Prishtina: 600 l/s
  • KRU Prishtina-Drenas: 121 l/s
  • Feronikeli: 80 l/s
  • Termocentrali Kosova B: 350 l/s

Në total, furnizimi arrin mesatarisht 2000 litra ujë për sekondë, ose 7.2 milion litra ujë në orë, duke mbështetur jetesën dhe ekonominë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *