BallinaBottom Fakte për... Kulturë

Institucionet e kulturës në Kosovë

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Në kuptim të Ligjit për Institucionet e Kulturës në Kosovë, fusha të veprimtarisë artistike dhe kulturore konsiderohen: artet pamore, artet skenike, muzika, filmi dhe vepra audio-vizuale, letërsia, veprimtaritë bibliotekare, kreativiteti digjital dhe multimedia, veprimtaritë kërkimore-shkencore dhe arsimore në kulturë, institucionet muzeore dhe format e tjera alternative të shprehjes artistike.

Sipas nenit 7 të po këtij ligj, këto institucione janë të themeluara për të ushtruar veprimtari kulturore dhe për të siguruar realizimin e interesave publike në fushat specifike të kulturës, të radhitura më lartë.

Institucionet e artit dhe kulturës mund të jenë institucione publike dhe të pavarura. Institucionet publike të artit dhe kulturës ndahen po ashtu në institucione qendrore dhe institucione lokale.

Ligji po ashtu përcakton se në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës përfshihen: Teatri Kombëtar i Kosovës, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar, Filharmonia e Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Teari Kombëtar i Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës është institucioni kryesor teatror në vend, duke shfaqur vepra nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Teatri financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Teatri Kombëtar i Kosovës (fillimisht i njohur si Teatri Popullor Rajonal, më pas Teatri Popullor Krahinor) u themelua në tetor të vitit 1946 në Prizren nga Kuvendi i Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës. Ky ishte institucioni i parë teatror profesionist në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas disa muajsh, teatri u transferua në Prishtinë.

Ky institucion përjetoi presione politike, sidomos pas vitit 1981. Në vitin 1990, regjimi serb vendosi teatrit administrim të dhunshëm, duke larguar shumicën e artistëve shqiptarë.

Pas luftës së Kosovës në vitin 1999, teatri mori emrin ekzistues, Teatri Kombëtar i Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës

Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972, me balerinë të shkolluar në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup. Pasi përfunduan shkollimin, shumica e balerinëve u kthyen në Prishtinë, ku Baleti i Kosovës u themelua brenda Teatrit Kombëtar. Trupa e parë vendosi në skenë shumë produksione të suksesshme dhe performoi në festivale ndërkombëtare. Në vitin 1991, aktivitetet e baletit u ndërprenë nga regjimi serb. Pas luftës, në vitin 2001, baleti rifilloi aktivitetet me një gjeneratë të re artistësh.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” u themelua më 30 shtator 1950 si një nga ansamblet e para kulturore dhe artistike në Kosovë. Detyra e tij ishte ruajtja dhe zhvillimi i folklorit burimor shqiptar. Pas një ndërprerjeje në vitin 1954 për shkak të presioneve politike, ansambli u riaktivizua në vitin 1964. “Shota” luajti një rol të rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare përmes këngëve, valleve dhe kostumeve tradicionale, duke performuar në mbi 7500 koncerte në më shumë se 50 shtete. Që nga viti 1994, funksionon me emrin “Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota'”.

Filharmonia e Kosovës

Filharmonia e Kosovës është institucioni më i lartë i muzikës klasike në Republikën e Kosovës. Brenda tij funksionojnë dy njësi, orkestra simfonike dhe kori i Filharmonisë të cilat së bashku numërojnë rreth 120 anëtarë.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u themelua në vitin 2000, pas luftës, nga muzikantë kosovarë të dalluar. Ajo përfaqëson vazhdimësinë e ish-Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës, e cila u mbyll në vitin 1990 nga regjimi serb. Filharmonia zhvillon koncerte simfonike dhe operistike, duke interpretuar vepra të kompozitorëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë.

Kori i Filharmonisë së Kosovës, një ansambël profesionist me 50 anëtarë, është vazhdim i Korit Profesional të Radiotelevizionit të Prishtinës, i cili veproi në vitet 1980-1990 nën drejtimin e Rafet Rudit. Kori u ndërpre me dhunë nga regjimi serb në fillim të viteve 90 dhe u ri-themelua në vitin 2003 si pjesë e Filharmonisë së Kosovës. Repertori përfshin vepra nga epoka të ndryshme, duke përfshirë edhe muzikën shqiptare.

Galeria Kombëtare e Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës u themelua në vitin 1979, pas themelimit të Akademisë së Arteve në 1973. Artistët kosovarë kanë diplomuar në fusha të ndryshme artistike dhe kanë promovuar veprat e tyre në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare deri në vitin 1990. Në vitet 1990, për shkak të regjimit serb, ekspozitat u zhvendosën në hapësira alternative. Gjatë luftës, shumë vepra u shkatërruan. Pas vitit 1999, Galeria ka organizuar mbi 350 ekspozita

Qendra Kinematografike e Kosovës

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) është institucion publik përgjegjës për zbatimin e politikave kombëtare të filmit në Kosovë. Ai ofron mundësi vjetore financimi për filma të shkurtër dhe të metrazhit të gjatë, dokumentarë, animacione, zhvillim të skenarit, post-produksion dhe bashkëprodhime ndërkombëtare. Përveç kësaj, QKK promovon industrinë e filmit të Kosovës në festivalet dhe tregjet kryesore botërore.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic dhe e ndërtuar në vitin 1974, është një shembull unik i arkitekturës së “rajonalizmit të ri”. Struktura e saj mahnitëse përbëhet nga 99 kupola që ngjajnë me segmente të trurit, që simbolizojnë njohurinë. Me një sipërfaqe prej 16,500 m², ndërtesa katërkatëshe përmban dhoma leximi, zona të specializuara, një laborator fotografish dhe depo. Mund të presë 400 lexues dhe strehon koleksione të veçanta dhe hapësira kërkimore.

Insitucione tjera të kulturës në Kosovë janë edhe Galeria e Ministrisë së Kulturës (Qafa) dhe Opera e Kosovës.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image
Choose Video
X