Javën që shkoi Kosova dështoi të pranohet në Këshillin e Evropës. Kjo situate shkaktoi një debat intensiv në vend, me një kritikë të madhe ndaj Qeverisë Kurti. Përveç kësaj, gjatë javës u takuan kryeministri, Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ku diskutuan për mundësinë e zgjedhjeve. Ndërsa takimi ne Bruksel për çështjen e dinarit nuk solli zgjidhje.”
Mospërshirja e Kosovës në votim për pranim në KiE
Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Ministrave.
Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.
Mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë po konsiderohet si një dështim historik nga opozita dhe shoqëria civile, ndërsa Qeveria ka fajësuar disa vende anëtare të KiE-së për këtë situatë, duke mos marrë asnjë përgjegjësi.
Pas mbylljes së takimit të Komitetit të Ministrave, kryediplomatja Donika Gërvalla ka reaguar shpejt, duke fajësuar disa aleatë të Kosovës se kanë mbajtur anën e Serbisë.
“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj në “Facebook”.
Gërvalla, dërgoi një letër ku zotonte se Kosova do të përpilojë një statut të Asociacionit dhe do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese jo më larg se fundi i muajit maj.
“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres Gërvalla.
Pavarësisht dështimit, Presidentja Osmani është shprehur optimiste, duke thënë se anëtarësimi është vetëm çështje kohe.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka shkruar Osmani në “X”.
Partitë opozitare kanë bërë përgjegjëse Qeverinë Kurti për këtë dështim.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se kjo qeveri ka dështuar ta finalizojë një punë thuajse të kryer.
“Sot, është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Sot, do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës. Në vend se të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar mospërfshirjen e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave si një dështim të madh, duke ia faturuar këtë kryeministrit Albin Kurti.
“Mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit.” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si një dështim spektakolar dhe turpërim ndërkombëtar mospërfshirjen e Kosovës në votimin e Këshillit të Ministrave. Ai ka kritikuar qeverinë për gabime strategjike dhe për dështim në diplomaci, duke thënë se kjo ka lënë Kosovën të humbur, të turpëruar dhe të kushtëzuar rëndë.
“Një dështim spektakular. Një turpërim ndërkombëtarë. Një dëm historik. Pasi gabuan adresën e pranuesve të letrës – merreni me mend – pasi ndryshuan në finish gjithë strategjinë dialoguse, zhbënë të gjitha qëndrimet dhe me të humbën të gjitha argumentet e mosveprimit me kohë; pasi e konsideruan diplomacinë si një kafe militantësh ku shiten gjepurat e tyre populiste, Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.
Me rregullore, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, që përbëhet prej 46 vendesh anëtare, mblidhet një herë në vit. Por, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, që përcolli nga afër rrugëtimin e Kosovës, pret një takim të jashtëzakonshëm – ndoshta edhe brenda javësh.
Pak ditë para takimit të Komitetit të Ministrave të premten, Qeveria e Kosovës kishte bërë përpjekje për t’i kënaqur vendet skeptike, duke iu drejtuar me një letër Këshillit të Evropës, ku thoshte se zotohej për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për themelimin e Asociacionit.
Takimi Kurti-Krasniqi
Gjatë kësaj jave, kryeministri Albin Kurti pati një darkë me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, ku u diskutua edhe data e zgjedhjeve, ndërsa kryetarët e dy partive të tjera opozitare (LDK dhe AAK) nuk morën pjesë në takim.
“Krahas kësaj, u diskutua edhe për aktualitetin politik, ecjen e Republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, dhe për mundësitë për zgjedhjet e reja në të ardhmen e afërt, teksa Qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj.” – kanë thënë për takimin nga Qeveria Kurti.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, pas takimit, ka shkruar në Facebook se “zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike – por një domosdoshmëri nacionale. PDK është gati! I gjithë vendi është gati!”
Pas takimit, PDK-ja në seancën e Kuvendit votoi për marrëveshjet ndërkombëtare që kishin qenë të bllokuara, ndërsa LDK-ja akuzoi PDK-në për marrëveshje me Kurtin dhe kërkoi dorëheqjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat ende nuk dihet kur do të mbahen.
Takimi në Bruksel për çështjen e dinarit
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me kryenegociatorin e Serisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të bllokut Mirosllav Lajçak, për herë të shtatë të mërkurën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit serb në Kosovë.
Kosova fajësoi Serbinë, Serbia Kosovën, BE-ja që të dyja; teksa njoftoi se takim tjetër për të njëjtën çështje do të ketë atëherë “kur palët të sinjalizojnë gatishmëri” që sot, sipas tyre, nuk kishte.
“Për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi pas mbylljes së takimit në Bruksel.
Homologu i tij Petar Petkoviq, tha se shkoi me “gjashtë propozime të reja konstruktive…që Prishtina i refuzoi të gjitha”.
“Takimi i fundit i sotëm dëshmoi se palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje kompromisi për çështjet e mbetura të hapura. BE shpreh keqardhjen që sot nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje. BE vlerëson se nuk ka gatishmëri për të gjetur një marrëveshje kompromisi për të ecur para”, thanë në anën tjetër nga BE.
Banka Qendrore e Kosovës kishte dhënë tre muaj periudhë kalimtare për çështjen e dinarit, prej 1 shkurtit efektivisht dhe esencialisht të ndaluar si mjet i ligjshëm pagese.