Në javën që po e lëmë pas diksutimi kryesor në sferën politike u zhvillua rreth kushtëzimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës. Franca, Gjermania dhe Italia kanë përsëritur se procedimi i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj. Britania e Madhe është shteti që i ka ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë. Derisa shtetet e QUINT-it ia kanë përmendur Asociacionin si parakusht, kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar mbështetjen pa kushte edhe të Holandës, Suedisë, Belgjikës dhe Finlandës
Kushti i Francës, Gjermanisë dhe Italisë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.
Macron gjatë bisedës, theksoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë për KOHËN se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm që Kosova ta sigurojë mbështetjen në votimin final për anëtarësim.
“Franca rekomandon që Qeveria e Kosovës ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit në një mënyrë të pranueshme për Gjykatën. Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës për të përmbushur këtë çështje dhe do të demonstronte më tej përkushtimin e Kosovës ndaj të drejtave të pakicave, që është një nga shtyllat e Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Guérot.
Krahas Francës, edhe Gjermania ka kërkuar dërgimin e draftstatutit të BE-së për shqyrtim në Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të kalojë me sukses votimin për anëtarësim në KiE.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV ka potencuar se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.
“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.
Ambasada e Italisë ka mbajtur qëndrimin e njëjtë me të Francës e Gjermanisë në atë që lipset miratimi i draft-Statutit të Asociacionit dhe dërgimi i saj për rishikim kushtetues, që Kosova të arrijë të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për votim pro anëtarësim.
“Sipas mendimit tonë, dërgimi në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit të BE-së për Asociacionin e ardhshëm të Komunave me shumicë serbe (ASM), në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, do të dërgonte një sinjal të fortë të synimit të Qeverisë për të përmbushur këtë zotim dhe më tej të demonstrojë përkushtimin e Kosovës ndaj të drejtave të pakicave. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se vetëm hapat konkretë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe– siç u tha më lart – duhet të çojnë në përfshirjen e pikës së Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të ardhshëm të KiE-së”, kanë thënë ambasada italiane për Express.
Reagimi i Kurti dhe Osmanit
Të martën, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se autoritete kosovare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).
Ai në fjalimin e tij para ministrave ka thënë se është për keqardhje mungesa e përkrahjes “nga shtetet demokratike”.
“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde dhe përkundër kësaj tri herë gjatë këtij procesi u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim”.
Britania e Madhe dhe shtetet e Quint-it
Gjatë javës që shkoi, Kurti priti në zyrën e tij përfaqësues të QUINT-it, prej ku ka lënë të kuptohet se ka kërkesa që të procedohet me Asociacionin. Kurti është cituar të ketë thënë se përzierja eventuale e procesit të anëtarësimit me obligimet nga dialogu i Brukselit do të shkaktonte dëme të pariparueshme në të dyja proceset.
Ndryshe prej shteteve të QUINT-it, Kurti ka njoftuar të martën për mbështetjen që i është ofruar nga disa shtete të tjera në prag të votimit në Këshill. Pas takimit që ka zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e BE-së në Kosovë, ai ka pritur në takim ambasadorët e Holandës, Suedisë, Belgjikës dhe Finlandës.
Edhe Britania e Madhe nëpërmjet Ambasadës në Prishtinë ka bërë të ditur se e mbështet Kosovën për anëtarësim në KiE. Në një përgjigje për KOHËN, shefi i Zyrës për Komunikim, Richard Le Vay, ka thënë se e inkurajon Kosovën në rrugën për anëtarësim në këtë organizatë evropiane.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe e inkurajon të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar mbështetjen e nevojshme për një votim të suksesshëm në Komitetin e Ministrave”, ka thënë Le Vay.