Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Joe Biden në raport me Kosovën

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden, do ta përfundojë mandatin më 5 janar të 2025, atëherë kur do ta dorëzojë detyrën te Donald Trump, kandidati republikan që mori shumicën e votave nga zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Presidenti Biden, u tërhoq më 21 korrik nga gara presidenciale për vitin 2024. Përballë trysnisë për t’u tërhequr, ai vendosi të heqë dorë nga kandidimi pas debatit të parë presidencial me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, në fund të qershorit. Gjatë atij debati, Biden pranoi se performanca e tij nuk kishte qenë e kënaqshme.

Biden, në moshën 81 vjeçare, kishte një karrierë të gjatë politike që zgjaste më shumë se pesëdhjetë vjet. Ai shërbeu për më shumë se tri dekada si senator i shtetit të Delaware, dy mandate si zv/president nën administratën e Barack Obama dhe një mandat si president i SHBA-së.

Presidenti aktual vlerësohej si mik i Kosovës. Mbështetjen e tij ndaj Kosovës e kishte shprehur gjithmonë në deklaratat e tij. Qysh në tetor të vitit 1998, Biden ishte në mesin e senatorëve, që mbështetën sulmet ajrore kundër Serbisë, për të ndaluar dhunën ndaj civilëve etnikë shqiptarë.

Dy ditë para fushatës së bombardimeve më 24 mars të vitit 1999 nga NATO, qëndrimi i Biden ishte se SHBA-të kishin interesa të rëndësishme kombëtare në Kosovë dhe se ndërhyrja ushtarake, edhe pse e diskutueshme, ishte e nevojshme për të mbrojtur ato interesa. Ai e cilësoi situatën si një test të vendosmërisë së SHBA-së dhe besueshmërisë së NATO-s, dhe ai argumentoi se situata në Ballkan përbën një kërcënim më të gjerë për stabilitetin ndërkombëtar.

Në një deklaratë të transmetuar nga Zëri i Amerikës, ai dikur tha se puna e tij për t’i dhënë fund luftërave jugosllave ishte një nga “momentet më krenare” të karrierës së tij të gjatë politike.

Po ashtu, opinionin e tij për Kosovën e kishte dhënë në një shkrim autorial për gazetën Washington Times në vitin 2004. Biden, si senator i atëhershëm, ishte shprehur se Kosova, megjithatë, nuk do të rikthehet nën kontrollin e Beogradit dhe se ShBA-ja ka mundësinë të mbështes zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe të ndihmojë në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës, duke emëruar një dërguar të posaçëm për Ballkanin.

Senatori Joseph Biden gjithashtu e kishte përshëndetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 dhe njoftoi se do të ftojë kolegët e tij për të shprehur mbështetje të Senatit për pavarësinë e Kosovës.

Më 6 mars të vitit 2008, në një fjalim si kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan, senatori Biden kishte thënë se ndihej krenar që SHBA-të njohën ndër të parat pavarësinë e Kosovës. Sipas Biden, shpallja e pavarësisë, edhe pse e njëanshme, ishte e nevojshme. Kosova nuk mund të mbetej nën sovranitetin serb, pasi Serbia nuk arriti të tregonte se si do të përmirësonte jetën e shumicës shqiptare në Kosovë.

Në vitin 2009, Biden vizitoi Kosovën, por këtë herë si zv-president i ShBA-së. Zv-presidenti amerikan gjatë vizitës, deklaroi mbështetje të pakushtëzuar për pavarësinë e Kosovës, duke deklaruar se njohja e saj nga Shtetet e Bashkuara është e pakthyeshme. Ai theksoi gjithashtu se Kosova duhet të mbetet e bashkuar dhe e pandarë, një qëndrim ky i rëndësishëm për politikën amerikane. Pas mbërritjes në Prishtinë, Biden ishte pritur me një ceremoni të ngrohtë dhe ishte përshëndetur nga qytetarët dhe fëmijët që mbanin flamuj amerikanë dhe kosovarë. Vizita e tij ishte cilësuar si një riafirmim i mbështetjes së ShBA-së për pavarësinë dhe stabilitetin e Kosovës, si dhe për paqen në rajon.

Zvpresidenti amerikan, Joe Biden, e kishte pritur në Shtëpinë e Bardhë, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, në vitin 2013, ku kishte riafirmuar mbështetjen e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Biden e kishte lavdëruar udhëheqjen e Thaçit dhe Qeverisë së Kosovës për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke theksuar rëndësinë e implementimit të shpejtë të saj për të siguruar paqe dhe prosperitet për të dyja vendet dhe avancimin e aspiratave evropiane.

Joe Biden, ishte takuar edhe në vitin 2016 me Thaçin, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku kishte shprehur mbështetje të fortë për pavarësinë e Kosovës dhe kishte theksuar progresin e vendit. Ai e vlerësonte udhëheqjen e presidentit Thaçi dhe angazhimin e tij për zhvillimin e Kosovës si një shtet demokratik dhe multietnik. Biden theksonte se sukseset e Kosovës janë të rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe integrimin e plotë të Evropës.

Biden po ashtu siguronte Kosovën për mbështetje të vazhdueshme nga SHBA dhe përkushtimin për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ai e cilësoi Kosovën një shembull të rëndësishëm për stabilitetin dhe progresin në rajon.

Ai e kishte kujtuar angazhimin e djalit të tij, Beau Biden, që kishte kontribuar në periudhën pas luftës për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, emri i të cilit i ishte vendosur rrugës së inauguruar Ferizaj-Gjilan. Biden theksonte nevojën për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur rritjen ekonomike, duke theksuar se këto janë thelbësore për të tërhequr investime dhe për të siguruar zhvillimin afatgjatë të vendit.

Pesë vite më vonë, këtë herë në detyrën e presidentit të ShBA-së, Joe Biden, shprehu gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ai theksonte nevojën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke u fokusuar në njohjen e ndërsjellë, forcimin e sundimit të ligjit, dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Biden vuri në dukje se lidhjet mes dy vendeve janë të fuqishme dhe SHBA mbeten partner i përkushtuar i Kosovës në përpjekjet e saj për zhvillim dhe stabilitet.

Në letrën që i kishte dërguar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmanit, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovë, Biden e kishte përmendur veçantinë që Kosova ka për familjen Biden, duke rikujtuar angazhimin e djalit të tij, Beau Biden, për paqe dhe drejtësi në Kosovë. Ai kishte vënë në dukje gjithashtu investimet e SHBA-së prej rreth 2 miliardë dollarësh në Kosovë që nga viti 1999.

Përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE dhe mbështetura nga SHBA, Biden theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe për arritjen e njohjes reciproke.

Dy muaj më vonë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shprehu mbështetje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që fokusohet në njohjen reciproke. Ai premtonte që SHBA-ja do të mbështesë përpjekjet për normalizimin e raporteve dhe integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike. Biden uronte presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për zgjedhjen në detyrë dhe theksonte partneritetin e fortë mes dy vendeve, duke u angazhuar për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike.

Në letrën e tij, Biden gjithashtu premtonte mbështetje për ndihmën e Kosovës me vaksina, duke u angazhuar për shpërndarjen e sasisë të shtuar të vaksinave në bashkëpunim me partnerët.

Po atë vit, në korrik, Biden pranoi Medalje Presidenciale nga Kosova për djalin e ndjerë.

Duke e falënderuar presidenten Osmani përmes një video-mesazhi, Biden tha se djali i tij e ka dashur Kosovën dhe shtoi se SHBA-ja do të mbetet “partnere e palëkundur” e saj.

Edhe në urimin e fundit, për 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, presidenti amerikan, kishte inkurajuar udhëheqjen e Kosovës të përmbushë obligimet e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke përfshirë marrëveshjet e arritura deri tani.