Përgatiti: Endrit Berisha
Të shtunën e 20 korrikut ka përfunduar vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) i cili lironte nga puna kategoritë e ndjeshme, për shkak të temperaturave të larta që mbizotëruan në Kosovë këto ditë. Nga 13 korriku, si pasojë e temperaturave të larta që u konsideruan të rrezikshme për kategoritë e cenueshme, për një javë u liruan nga puna gratë shtatzëna; personat me sëmundje kronike u kërkua të punonin me orar të shkurtuar si dhe u ndal puna në ndërtimtari në orarin 11-17 në ambiente të hapura.
Që nga fundi i qershorit, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë thirrje për kujdes nga kontakti direkt me rrezet e diellit për shkak të indeksit ultraviolet të lartë. Në parashikimin për javën e dytë të korrikut (8-12), në një komunikatë, IHMK-ja në parashikimin e rregullt paralajmëroi 60 orë me diell në këtë periudhë.
Ndërsa më 9 korrik, Besim Aliu, koordinator dhe parashikues i motit në IHMK, paralajmëroi se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe disa ditë. “Kjo situatë u krijua si rezultat i masave të nxehta të ajrit me origjinë nga jugu. Gjithashtu prezenca e anticiklonit afrikan do të vazhdojë të mbetet i stacionuar mbi vendin tonë edhe në ditët vijuese”, kishte thënë ai në një komunikatë për media. Sipas paralajmërimit, rrezikoheshin kushte për alarm të kuq (mbi 37 gradë celsius, kur temperatura e ajrit tejkalon temperaturën e trupit të njeriut).
E alarmi i kuq u arrit në mes të korrikut. Siç ka bërë të ditur Besim Aliu për platformën “Kosovofacts.com”, korriku i sivjetmë specifikohet për numër më të madh të ditëve me temperatura mbi 35 gradë celsius. Ai ka thënë se temperatura maksimale nuk ka prekur 39 gradë celsiusin sivjet. Sipas tij, temperatura më e lartë e arritur ka qenë 38.6 gradë celsius. Ai ka bërë të ditur se vendet me temperaturat më të larta janë Prizreni, Gjakova dhe Kamenica.
“Specifikë e korrikut të sivjetmë është se ka pasur më shumë ditë mbi 35 gradë celsius. Intervali kohor me temperatura mbi 35 gradë celsius deri më 20 korrik, ka qenë më i larti deri tash”, ka thënë ai, duke shtuar se megjithatë kjo nuk do të thotë se maksimalet kanë qenë më të lartat ndonjëherë.
I nxehti jo i zakonshëm e kishte prekur Kosovën edhe viteve të kaluara. Në korrik të vitit të shkuar, mesatarja e temperaturave maksimale arriti në 31.2 gradë celsius, sipas të dhënave të kompanisë amerikane që ofron parashikim të motit në mbarë botën, “Accuweather”. Korriku i vitit 2023, ishte me temperaturën maksimale mesatare më të lartë në së paku gjashtë vjetët e fundit në Kosovë.
Burimi: Radio Evropa e Lirë
Sipas të dhënave të publikuara nga Radio Evropa e Lirë e që për burim kanë pasur IHMK-në dhe “Accuweather”, korrik me temperatura maksimale mesatare mbi 31 gradë ka pasur në vitet 2007, 2012, 2015 dhe 2021.
Ndërsa, siç ka thënë meteorologu Mendim Rugova, në një intervistë për “Kosovo2.0”, prej korrikut të vitit të shkuar (2023) deri në qershor të sivjetmë (2024) është temperatura më e lartë që është regjistruar, për 2.5 gradë celsius mbi vlerat e periudhës shumëvjeçare 1981-2010.
Nga fundjava, 20-21 korrik, parashihet rënie e lehtë e temperaturave sipas parashikimeve. Kjo ka bërë që autoritetet t’i japin fund vendimeve për lirim nga puna të kategorive të cenueshme. Po ashtu gjatë javës së nxehtë, ishte ndaluar edhe qarkullimi në autoudhë, rrugë nacionale e rajonale për automjetet me peshë më shumë se 7.5 tonë.
Në këtë korrik, Evropa jugore dhe qendrore ka qenë epiqendër e temperaturave të larta. Në disa shtete temperaturat kanë mbërritur në 40 gradë celsius.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka publikuar listë me këshilla e rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta.
“Periudhat e zgjatura me temperature të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres të grumbulluar në trupin e njeriut dhe rrisin rrezikun e sëmundjes dhe vdekjes nga ekspozimi ndaj nxehtësisë. Paaftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme dhe për të eliminuar nxehtësinë e grumbulluar gjatë temperaturave të larta e rrit rrezikun e rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes nga nxehtësia. Tendosja që i bëhet trupit ndërsa përpiqet të ftohet, streson gjithashtu zemrën dhe veshkat. Si rezultat, nxehtësia ekstreme mund të përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të personave që kanë sëmundje kronike (kardiovaskulare, mendore, respiratore dhe sëmundje të lidhura me diabetin) dhe të shkaktojnë dëmtim të shpejtë të veshkave”, thuhet në publikimin e IKSHPK-së në Facebook.
Ky institut ka rekomanduar që qytetarët të shmangin daljen jashtë dhe aktivitetet në periudhën më të nxehtë të ditës; që të qëndrojnë në hije; të kalojnë 2-3 orë në vend të freskët; të rrinë të informuar për paralajmërimet zyrtare rreth temperaturave të larta; t’i mbajnë shtëpitë e freskëta kryesisht natës e ditën t’i mbyllin dritaret; të fikin sa më shumë pajisje elektronike; të mbahet trupi i freskët dhe hidratuar; të pihet ujë rregullisht (shih këtu).