Përgatiti: Endrit Berisha
Me një medalje të argjendtë dhe një të bronztë, Kosova është renditur në vendin e 73-të nga 206 delegacione pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Verore “Parisi 2024”. Gjithsej në këto LO medalje fituan 91 delegacione (lista e medaljeve). Pra, Kosova ka lënë prapa 133 delegacione sportive në këto lojëra olimpike.
Kosova i fitoi medaljet në sportin e xhudos. Distria Krasniqi mori të argjendtën në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu të bronztën në kategorinë deri 63 kilogramë. Kosova në këto lojëra u përfaqësua nga nëntë sportistë: Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka (xhudo), Donjeta Sadiku (boks), Gresa Bakraçi (atletikë), Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi (not).
Renditja e shteteve medaliste bëhet varësisht nga numri i medaljeve të arta. Nëse dy shtete kanë numër të barabartë të medaljeve të arta, atëherë faktor në renditje bëhen medaljet e argjendta e më pas ato të bronzta.
Në vend të parë kanë përfunduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 40 medalje të arta, aq sa kishte edhe Kina. Dallim bënë medaljet e argjendta në të cilat printe SHBA-ja. Shtetet e Bashkuara kanë marrë 126 medalje në total.
Vendin e tretë e ka zënë Japonia me 20 medalje të arta, e pasuar nga Australia dhe Franca nikoqire. Holanda, Britania e Madhe, Koreja e Jugut, Italia dhe Gjermania mbyllin top-dhjetëshen e shteteve më të suksesshme në këto Lojëra Olimpike. Në listën zyrtare të shteteve medaliste, të publikuar në uebfaqen e Lojërave Olimpike “Parisi 2024” nuk janë përfshirë atletët individualë-neutralë. Ky ka qenë termi që është përdorur për atletët rusë e bjellorusë që garuan në emër të vetin, pasi delegacionet e të dyja komiteteve olimpike ishin përjashtuar si pasojë e luftës në Ukrainë. Në listë është përfshirë ekipi i refugjatëve.
Për Kosovën ka qenë pjesëmarrja e tretë në Lojëra Olimpike Verore pas “Rio 2016” dhe “Tokio 2020”, që nga anëtarësimi në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik (IOC) më 2014.
Lojërat Olimpike “Parisi 2024” u mbajtën nga 26 korriku deri më 11 gusht. Aty garuan më shumë se 10 mijë e 700 sportistë. U zhvilluan 329 ngjarje në 48 disiplina sportive.
Lojërat e Ardhshme Olimpike Verore do të mbahen në Los Angeles 2028.