Ballina BallinaBottom Demografi Fakte për... Për Kosovën

Kosova me popullsinë më të re në Evropë

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Kosova ka moshën mesatare më të re në Evropë (31.1 vjeç). Kjo sipas platformës gjermane të specializuar në mbledhjen dhe vizualizimin e të dhënave “Statista.com”, ku janë publikuar statistikat për moshën mesatare të popullsisë evropiane 2024, për 47 shtete, duke përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian (BE), si entitet i vetëm.

Pas Kosovës janë renditur shtetet si Armenia (33.7 vjeç), Turqia (34 vjeç), Azerbajxhani (34.5 vjeç) dhe Islanda (37 vjeç) që  mbyll top pesëshen e vendeve me moshën më të re në kontinentin evropian.

Në fund të listës qëndron Italia si vendi evropian me popullsinë më të vjetër, duke regjistruar një moshë mesatare prej 48.7 vjeç. Popullsi më të vjetër kanë regjistruar gjithashtu vendet si Bullgaria dhe Portugalia me një mesatare 47.1 vjeç, Greqia (46.9 vjeç) dhe Spanja (45.6 vjeç).

Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, më mirë qëndron Shqipëria, e cila renditet si e gjashta në Evropë, me mesatare 38.8 vjeç, pastaj vjen Mali i Zi të cilin moshatare mesatare 40.1 vjeç, e ka renditur si të 12-in. Në pjesën e parë të listës me popullatë më të re është edhe Maqedonia e Veriut, e cila me moshën mesatare 41.5 vjeç renditet si e 18-ta, ndërsa Serbia (45.2 vjeç) është e fundit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke qëndruar dhjetë pozita larg Italisë. Të dhënat për Bosnja dhe Hercegovinën mungojnë.

Në përgjithësi, pothuajse të gjitha vendet evropiane kanë një moshë mesatare mbi 40 vjeç. Vetëm Azerbajxhani, Turqia, Armenia dhe Kosova kishin një moshë mesatare nën 35 vjeç.

Mosha mesatare e popullsisë së vendeve te BE-së është 44.7 vjeç, me Irlandën e cila gjendet në krye (39.4 vjeç).

Nga prezantimi i të dhënave të para finale nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2024, i cili u realizua nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), u tregua se mosha mesatare e popullsisë është 34.84 vjeç, mosha mesatare e femrave 35.66 vjeç ndërsa e meshkujve 34.03 vjeç (shih këtu).

Regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 në Kosovë, tregonte moshë mesatare 29.97 vjeç, çka tregon se që nga atëherë mosha mesatare e popullsisë, është rritur (këtu).

Screenshot nga Statista.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *