Ballina BallinaBottom Demografi Fakte për... Për Kosovën

Kosova ndër vendet me tkurrjen më të shpejtë të popullsisë në botë

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Kosova është një nga vendet që po humbin popullsinë më shpejt në botë me 1.0% rënie të popullsisë nga viti 2022 deri në vitin 2023. Sipas të dhënave të publikuara nga Statista.com, ajo renditet në mesin e dhjetë vendeve me rënien më të madhe të popullsisë në vitin 2023, përkrah Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Greqisë dhe vendeve të tjera evropiane. Emigrimi, lindshmëria e ulët dhe plakja e popullsisë po ndikojnë ndjeshëm në strukturën demografike të këtyre vendeve.

Në vitin 2023, Ukraina ishte vendi i parë që po humbte popullsinë më shpejt me rënie prej 8.1%, ndërsa pushtimi rus detyroi miliona qytetarë të largohen nga vendi. Konfliktet luajnë një rol të madh në ndryshimet demografike, por listat e vendeve me tkurrje të shpejtë të popullsisë tregojnë gjithashtu histori të izolimit ekonomik dhe largimit masiv të banorëve për shkak të mungesës së perspektivës, vlerëson platforma e specializuar në mbledhjen dhe vizualizimin e të dhënave.

Evropa është aktualisht kontinenti i vetëm që po humbet popullsi në tërësi, me një rënie prej 0.2% në vitin 2023 krahasuar me 2022-n. Sipas Divizionit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara, ky trend ka nisur që në vitin 2021. Gjashtë nga dhjetë vendet që po tkurren më shpejt janë evropiane: Greqia, San Marino dhe Bjellorusia, si dhe tre shtete të Ballkanit – Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina. Në Evropë, rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë janë faktorë kryesorë, ndërsa në Ballkan, emigrimi është veçanërisht i theksuar.

Greqia renditet e treta në listën globale. Në fillim të vitit 2024, autoritetet greke paralajmëruan për mundësinë e një kolapsi demografik. Nga 10 milionë banorë, vendi pritet të humbasë 1 milion deri në vitin 2050. Kjo mund të ndikojë negativisht në financat publike, tregun e punës dhe funksionimin e institucioneve. Ndërmjet viteve 2011 dhe 2021, norma e lindjeve në Greqi ra me 30 për qind. Ndërsa faktorët socialë kanë ndikuar në rënien e lindshmërisë në nivel global, kriza financiare greke dhe masat shtrënguese besohet se e përshpejtuan këtë proces duke dekurajuar të rinjtë të krijojnë familje ose duke i shtyrë të emigrojnë.

Ngjarje të ngjashme kanë ndikuar edhe në Kosovë, Bosnjë dhe Shqipëri. Pas rënies së komunizmit dhe luftërave të viteve ’90, këto vende kanë krijuar diasporat më të mëdha në botë në raport me popullsinë. Largimi i vazhdueshëm i qytetarëve ka ndikuar ndjeshëm në strukturën e moshës dhe në të ardhmen demografike të tyre.

Në fund të listës së vendeve që po humbin popullsi me shpejtësi gjenden edhe vende ishullore si Tuvalu. Atje, izolimi, mungesa e mundësive ekonomike dhe ndërrimet klimatike janë faktorët kryesorë që shtyjnë emigrimin. Në vitin 2021, ministri i jashtëm i Tuvalus mbajti një fjalim me ujë deri në gjunjë për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj rrezikut që i kanoset vendit nga rritja e nivelit të detit.

Sipas raportit me të dhëna, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK nga regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë,  popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2024 arrin në 1,585,566 banorë, në krahasim, në regjistrimin e vitit 2011, kur Kosova kishte 1,739,825 banorë, çka tregon për një rënie të numrit të popullsisë rezidente ndër vite (shih këtu).

Ndërsa, raporti i ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, i publikuar sot (30 prill) nga organizata joqeveritare, “Instituti GAP”, ka treguar të dhëna se nga viti 2010 deri në vitin 2023, numri gjithsej i emigrantëve nga Kosova ka arritur në 359 mijë persona, që përbëjnë rreth 22.6% të gjithsej popullsisë së Kosovës. Në anën tjetër, kategoria e imigrantëve ku përfshihen shtetasit kosovarë të kthyer si dhe të huajt që jetojnë në Kosovë është ekuivalent me 99 mijë persona apo 6.2% të gjithsej popullsisë. Kjo reflekton dallimin e madh në mes të personave të cilët emigrojnë nga Kosova dhe personave të cilët imigrojnë drejt Kosovës. Raporti thekson se trendi i emigrimit ka sjellë sfida të shumta dhe komplekse, ndër të cilat më e dukshmja është ndryshimi në strukturën e fuqisë punëtore, një faktor që ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës dhe potencialin për rritje ekonomike të vendit (shih këtu).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *