Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Institucionet Për Kosovën Politikë

Kryetarët e Kuvendit të Kosovës nga 2001 deri më sot

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, doli legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, që nga paslufta. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i certifikoi të më 27 mars rezultatet e zgjedhjeve, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës (shih këtu). Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës caktoi 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare të dalë nga këto zgjedhje (lexo këtu). Por, një javë pas kësaj date, kur edhe u mblodhën deputetët, Kuvendi ende nuk është konstituuar.

Në bazë të Kreut IV të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituive parashihet formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Paragrafi 5 i nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të kësaj rregulloreje, përcakton se seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.

Deri më tani, seanca konstituive është ndërprerë katër herë dhe gjatë kësaj kohe është votuar raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve dhe është bërë betimi i deputetëve. Kushtetuta e Kosovës përcakton se kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave (61) të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Albulena Haxhiu, kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekti i parë i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk arriti të zgjedhet për këtë detyrë, pasi mori 57 vota (shih këtu dhe këtu). Që do të thotë se konstituimi i Kuvendit ende nuk ka përfunduar.

Por, kush udhëhoqi me detyrën e kryetarit të Kuvendit nga legjislatura e parë e deri më sot?

Nexhat Daci (2001-2004, 2004-2006)

Para shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008, Kosova ishte nën administrimin e UNMIKU-t, misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili vepronte në bazë të Rezolutës 1244, miratuar në vitin 1999 nga Këshilli i Sigurimit të kësaj organizate. Nga kjo rezolutë, ishte hartuar edhe Korniza Kushtetuese, e cila parashihte vetëqeverisje për Kosovën, deri në një zgjidhje përfundimtare (shih këtu).

Korniza përcaktonte sistem qeverisës parlamentar, pushteti i së cilës ushtrohej nëpërmjet Kuvendit, i dalë nga zgjedhjet parlamentare. Kohëzgjatja e mandatit të parlamentit ishte tre vjet, nga dita e e seancës së inaugurimit të tij.

Zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë, pas vendosjes së administrimit ndërkombëtar, u mbajtën më 17 nëntor, 2001. Korniza Kushtetuese përcaktonte se anëtari i Kryesisë, partia ose koalicioni i të cilit ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvend do të jetë Kryetar i Kuvendit. Nga këto zgjedhje, grupi më i madh parlamentar doli të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me 48 ulëse në Kuvend. Funksionin e kryetarit të Kuvendit në këtë legjislaturë, e ushtroi Nexhat Daci, nga LDK. Daci mbajti këtë pozitë nga 10 dhjetori, 2021 (këtu) deri më 23 nëntor, 2004 (këtu).

Kolë Berisha (2006-2007)

Daci e mori këtë pozitë edhe nga përbërja e legjislaturës e dytë, dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit të vitit 2004, deri më 1 mars, 2006, kur subjekti politik të cilit ai i takonte, vendosi ta shkarkojë nga kjo detyrë (shih këtu). Vendin e tij e zuri Kolë Berisha, po ashtu nga LDK (këtu). Berisha nga 10 marsi, 2006 deri më 12 dhjetor, 2007, ishte në krye të Kuvendit (shih këtu).

Jakup Krasniqi (2007-2010, 2010-2014)

Legjislatura e tretë ishte e fundit, që vepronte nën administrimin e UNMIK,ut, pasi që në këtë periudhë, Kosova deklaroi pavarësinë. Kuvendi i kësaj legjislature, doli nga zgjedhjet e 17 nëntorit të 2007. Këto zgjedhjet përcaktuan që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të ishte grupi më i madh parlamentar. Jakup Krasniqi nga PDK, u propozua dhe u votua për kryetar Kuvendi, i cili filloi detyrën e tij më 13 dhjetor, 2007. Pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt, 2008, Kosova miratoi kushtetutën, që u miratua më 9 prill dhe hyri në fuqi më 15 qershor, 2008 (shih këtu). Me kushtetutën e re, mandati i Kuvendit u zgjat nga tre në katër vjet. Por, Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 12 dhjetor, 2010, akt i cili i dha fund mandatit të Krasniqit si kryetar dhe i hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme (shih këtu).

Shpërndarja e kuvendit i dha fund mandatit të Krasniqit si kryetar edhe në periudhën e katërt legjislative, dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit. Krasniqi e mori detyrën për herë të dytë, më 21 shkurt, 2011. Jofunksionaliteti I krijuar me muaj për shkak se qeveria e Kosovës kishte humbur përkrahjen e shumicës, hapi rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, pas votimit në një seancë të jashtëzakonshme për shpërbërjen e kësaj legjislature (07 maj, 2014).

Kadri Veseli (2014-2017, 2017-2019)

Pas Jakup Krasniqit, radha për kryetar Kuvendi, i erdhi Kadri Veselit, që në atë kohë mbante pozitën e zëvendës kryetarit të PDK-së. Zhvillimet pas zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit, 2014, sollën shumë paqartësi. LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma kishin vendosur të lidhin koalicion pas zgjedhjeve, duke mos pranuar të përfshihen në një marrëveshje të mundshme me PDK-në, si subjekti i parë politikë nga rezultatet zgjedhore. Me 65 vota për, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit, gjatë një seance të mbajtur pa PDK-në (shih këtu). Ky vendim u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, e cila shpalli aktgjykimin ku tregohej se propozimi për kryetar të Kuvendit, i takonte grupit më të madh paralamentar (shih këtu).

Pas zhbllokimit të situatës, Veseli mori detyrën nga 8 dhjetori, 2014, të cilën e mbajti deri më 10 maj, 2017 (shih këtu), pas shkarkimit të qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa.

Veseli u rizgjodh kryetar edhe në legjislaturën e gjashtë, nga zgjedhjeve e parakohshme të 11 qershori, 2017. Ai mbajti pozitën këtë herë për diçka më shumë se dy vjet (03 gusht, 2017 – 22 gusht, 2019) (këtu).

Vjosa Osmani (2020-2021)

Legjislatura e shtatë pati jetëgjatësinë më të shkurtër. Nga seanca konstituive (26 dhjetor, 2019) pas zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, kryetar u zgjodh Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV-së). Arritja e marrëveshjes për koalicion ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, pas konstituimit, bëri që vendin e Konjufcës ta zë Vjosa Osmani, nga LDK, e cila u votua më 3 shkurt, 2020, për këtë pozitë (shih këtu). Osmani përfundoi mandatin më 6 janar, 2021, pas shpërndarjes së parlamentit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti në atë kohë, ishte shpallur jokushtetuese (shih këtu).

Glauk Konjufca (2019-2020, 2021-2025)

Legjislatura e fundit e riktheu në pozitën udhëheqëse të Kuvendit, Glauk Konjufcën. Konjufca këtë herë e çoi deri në fund mandatin e rregullt, pasi që koalicioni fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit, 2021, LVV dhe Lista Guxo, kishte arritur më shumë se 50% të votave, për të qeverisur dhe për të përfunduar mandatin e rregullt. Legjislatura e tetë parlamentare me Konjufcën në krye (22 mars, 2021 – 22 mars, 2025), është e para që nga pavarësia, e cila e përfundon mandatin e plotë.

Deputetët pritet të mblidhen nesër (23 prill, 2025) për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *