BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

Lëvizja e lirë: Fakte rreth kushteve dhe procedurave

Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës kanë tashmë mundësinë të lëvizin pa viza drejt vendeve të zonës Schengen. Qeveria e Kosovës, përkatësisht Sekretariati për Liberalizimin e Vizave i përbërë nga Zyra e Zëvendëskryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, kanë publikuar informacione udhëzuese për rregullat, të drejtat dhe detyrimet, procedurat dhe mundësitë gjatë udhëtimit në vendet e zonës Shengen.

Shtetet  e BE-së ku mund të udhëtohet pa vizë janë: (këtu)

  1. Shtetet Anëtare të BE-së që janë pjesë e zonës Shengen: Për më shumë rreth zonës Shengen dhe listën e shteteve vizitoni linkun https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/schengen-borders-and-visa/schengen-area_en
  2. b) Shtetet Anëtare të BE-së që nuk janë ende pjesë e zonës Shengen, por e zbatojnë legjislacionin acquis të Shengenit: Bullgaria, Qipro dhe Rumania
  3. c) Shtetet tjera të Shengenit të cilat nuk janë anëtare të BE-së: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
  4. d) Vendi i fundit i BE-së dhe zonës Shengen që ka lejuar hyrjen është Spanja, pas vendimit për të njohur për herë të parë pasaportat e Kosovës, por duke mbajtur qëndrimin për mospranimin e pavarësisë. (këtu)

Koha e qëndrimit pa vizë në zonën Shengen? (këtu)

Udhëtimi pa vizë mundëson qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda periudhës prej 180 ditësh (çdo gjashtë muaj). Pra, brenda 180 ditëve nga data e hyrjes në zonën Shengen, ju mund të qëndroni vetëm deri në 90 ditë. Periudha e referencës 180-ditore nuk është fikse, varet nga hyrja në zonën Shengen. Për shembull, nëse më datë 1 janar 2024 ju hyni për herë të parë në zonën Shengen ju keni të drejtë qëndrimi vetëm deri me 30 mars, 2024. Periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon pas 180 ditësh ose më saktë me 29 qershor 2024, kur ju përsëri mund të udhëtoni.  (këtu)

Cilat dokumente udhëtimi nevojiten për të shfrytëzuar udhëtimin pa viza në zonën Shengen? 

– Pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen);Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars, 2024 dhe deklaroni tek policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars, 2024 atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor, 2024 pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit. (këtu)

– Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit  në zonën Shengen;

– Dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendit ku do të qëndroni;

– Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;

– Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;

– Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare:Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit tuaj.Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartment apo çfardo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person. (këtu)

– Sigurimi mjekësor (shëndetësor): Sigurimi mjekësor i udhëtimit nuk është i detyrueshëm. Megjithatë, rekomandohet të merrni një në rast të udhëtimit në vendet e Shengenit.

Çfarë nuk ju lejon liberalizimi i vizave: (këtu)

Nuk ju lejohet të punoni apo të ndiqni shkollimin/studimet.

Për qëllime punësimi, shumica e shteteve në zonën Shengen kërkojnë vizë dhe leje pune – qoftë edhe për më pak se 90 ditë

Për studime afatgjata dhe punësim ju duhet viza nga ambasadat përkatëse e të cilat paraqesin pastaj bazën që ju të pajiseni atje me leje qëndrim (ResidencePermit) që ju mundëson të qëndroni  më shumë se 90 ditë.

Liberalizimi i vizave nuk ofron të drejtën për të kërkuar azil në asnjërën prej vendeve të zonës Shengen.

Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja serioze, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen për deri në 5 vite.