Përgatiti: Etrit Rexhepi
Për 12.7 për qind është rritur numri i mjeteve motorike dhe jomotorike të regjistruara në Kosovë në vitin 2024, në raport me një vit më herët.
Siç bëhet e ditur në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2024 janë regjistruar 518 mijë e 861 mjete të tilla.
Të dhënat kanë treguar se në këtë listë, mbi 411 mijë janë vetura. Automjetet transportuese nën 3.5 tonë janë grupi i dytë më i madh i mjeteve në transportin rrugor me mbi 60 mijë njësi. Automjetet transportuese 3.5 tonë dhe mbi këtë peshë janë grupi i tretë me 27 mijë njësi. Në Kosovë janë të regjistruara edhe afro 8 mijë motoçikleta. Janë edhe mbi 2600 autobusë e afro 1700 kombibusë.
Bazuar në “statistikat e transportit 2024”, të publikuar nga ASK-ja, të dhënat tregojnë se ky ishte viti me numrin më të madh të mjeteve motorike dhe jomotorike të regjistruara ndonjëherë në Kosovë.

Të dhënat po ashtu kanë treguar se në territorin e Kosovës janë 2434 kilometra rrugë.
Regjistrimi i automjeteve në Kosovë bëhet në qendrat për regjistrim të automjeteve në kuadër të Agjencisë së Regjistrimit Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Automjetet në pronësi të personave fizikë regjistrohen në bazë të vendbanimit ose vendqëndrimit të pronarit e ata të personave juridikë në bazë të certifikatës së biznesit. (Shih këtu)