BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Mbledhjet e përbashkëta qeveritare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Në Prishtinë, më 18 nëntor, u mbajt mbledhja e dytë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky takim u zhvillua në kuadër të përforcimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke synuar përparim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Mbledhjes i parapriu një takim ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ku u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, mundësitë e reja të bashkëpunimit dhe rëndësinë strategjike të organizimit të një mbledhjeje të tillë.

Kryeministri Kurti, e cilësoi këtë mbledhje si një moment simbolik që përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë mbledhjes, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e të dy qeverive prezantuan progresin e bashkëpunimit në fushat përkatëse dhe identifikuan fusha të reja me potencial zhvillimi. Diskutimet u fokusuan në:

  • Lehtësimin e lëvizjes së lirë ndërmjet dy vendeve;
  • Bashkëpunimin në energji dhe arsimin profesional;
  • Projekte për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën ndërkufitare;
  • Luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Marrëveshjet e Nënshkruara:

  • Protokolli për Implementimin e Marrëveshjes për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar – Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë, që synon përmirësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve;
  • Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë, i cili do të ndihmojë në koordinimin e politikave energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm në sektorin energjetik;
  • Memorandumi për Bashkëpunim në Arsimin dhe Aftësimin Profesional, me fokus në zhvillimin e arsimit të të rriturve dhe përmirësimin e aftësive profesionale të qytetarëve të të dy vendeve.

Të dy kryeministrat theksuan se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është një model pozitiv për fqinjësinë e mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e tij përmbyllëse, Kryeministri Kurti theksoi se fatet dhe interesat e qytetarëve të dy vendeve janë të lidhura dhe se e ardhmja e përbashkët është e mbështetur në bashkëpunim dhe respekt reciprok. Kryeministri Mickoski nga ana e tij, u zotua për përkushtimin e qeverisë së tij në zbatimin e marrëveshjeve dhe për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Mbledhja e parë e përbashkët ndërmjet këtyre dy qeverive ishte mbajtur në Shkup, më 16 shtator të vitit 2021, siç thuhej, si konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ishte nikoqir i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj mbledhjeje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, integrimin rajonal dhe avancimin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

Gjatë takimit ishin nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme:

  • Memorandumet për Mirëkuptim mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë dhe për rehabilitimin e zonës tampon Bllacë mes dy objekteve kufitare të të dyja vendeve;
  • Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e diasporës;
  • Marrëveshja për Statusin e Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë së Veriut (SOFA);
  • Protokoll për Zbatimin e Marrëveshjes për realizimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor;
  • Memorandum për Bashkëpunim në Sektorin Energjetik;
  • Marrëveshje për Bashkëpunim në fushën e turizmit;
  • Memorandum për Bashkëpunim në fushën e inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe sipërmarrësish;
  • Marrëveshje për Partneritet ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Administratës për Vetëqeverisje Lokale si partner-lider i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale si partner për menaxhim me grant marrëveshjen për ndihmë teknike 2019/410-322, në kuadër të programit IPA Kosovë – Maqedonia e Veriut 2014/2020;
  • Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë për Zhvillim Rajonal të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  • Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut ka njohur Republikën e Kosovës më 9 tetor 2008, ndërsa vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë më 17 tetor 2009.