Mediumet serbe në bazë të zhvillimeve të ndryshme që ndodhin në Kosovë ndërtojnë ose ri-sjellin narrativat e tyre dezinformuse në përdorim medial. Aktiviteti i organizuar për nder të ditës së pavarësisë së Shqipërisë ku u bënë bashkë deputetët e Kosovës dhe Shqipërisë në një mbledhje të përbashkët parlamentare, bëri që mediat në gjuhën serbe ta vënë në përdorim narrativin dezinformues për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Me rastin e mbledhjes simbolike në mes të udhëheqësve politikë në një seancë të përbashkët në ditën e flamurit, e përditshmja serbe “Novosti” me 27 nëntor publikoi një artikull me titull tendencioz se në Tiranë paralajmërohet “Shqipëria e Madhe”. Ky artikull u bazua në deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në seancën e përbashkët parlamentare në mes dy kuvendeve, ku thotë “Të parët tanë luftuan për shtëpinë e të gjithë shqiptarëve”. (këtu)
Gazeta “Novosti” më 28 nëntor publikoi një artikull tjetër, ndërlidhur me narrativen dezinformuse mbi “Shqipërinë e Madhe”. Kësaj radhe artikulli për bazë mori deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili deklaroi se “Kosova sigurisht nuk do të presë gjatë për njohjen përfundimtare” nga Serbia. E përditshmja serbe këtë e interpretoi në titull të artikullit si “Ëndrra të mëdha për ‘Shqipërinë e madhe’” duke pretenduar se kjo është vetëm si paralajmërim për qëllimin përfundimtar e që është krijimi i “Shqipërisë së Madhe”. (këtu) Ky artikull zuri vend edhe në ballinë të gazetës së datës 28 nëntor. (këtu)
Përderisa dy artikujt e mësipërm përbënin një pretendim tendencioz, artikulli i publikuar më 29 nëntor, u shtrua si ankesë ndaj Perëndimit që, sipas gazetës, kundrejt vendosmërisë së Shqipërisë dhe Kosovës për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Gazeta “Novosti” në artikullin e publikuar pretendon se, përderisa Perëndimi zemërohet për çdo formë bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Banja Lukës (Republika Srpska), qendrat e pushtetit perëndimor mbetën të shurdhër dhe memec ndaj demonstratës së fundit të hapur të planeve të Prishtinës dhe Tiranës për të fshirë kufijtë ekzistues dhe për të arritur ëndrrën e një “Shqipërie të Madhe”. (këtu) Ky artikull zuri vend edhe në ballinë të gazetës së datës 29 nëntor. (këtu)
Sigurisht që narracionet dezinformuese ngritën me idenë e legjitimimit të reagimeve nga strukturat e pushtetit, konkretisht në këtë rast, të Serbisë. Për të zgjuar kureshtje tek publiku narrativi i shpërndarë, “Novosti” publikon reagimin e liderit të Lëvizjes Socialiste (Pokret Socijalista), për të shprehur rrezikun e planit të Tiranës dhe Prishtinës. Bazuar në deklaratat e tij gazeta pretendon se, përderisa Perëndimi e përkrah bashkimin e shqiptarëve, e që përbën një kërcënim për Ballkanin, krijimi i “botës serbe” do të ruante paqen dhe nuk do të lejonte përhapjen e shqiptarëve në zonat ku nuk jetojnë. (këtu)
Së fundmi, e përditshmja serbe “Novosti” nëpërmjet një artikulli të publikuar më 29 nëntor, hodhi pretendimin se fshihet një plan në nxitimin e Kurtit për arritjen e marrëveshjes me Serbinë për të siguruar një ulëse në OKB. Sipas pretendimeve të kësaj gazete, plani i fshehur i Kurtit është që së pari të sigurojë një ulëse në OKB e pastaj të bashkohet me Shqipërinë. (këtu). Ky artikull zuri vend edhe në ballinë të gazetës së datës 30 nëntor. (këtu)
Në vazhdën e plasimit të narrativit dezinformues për “Shqipërinë e Madhe” janë përfshirë edhe disa media në gjuhën serbe, si dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Kjo Zyrë, vendosjen e flamujve kuq e zi në Kllokot për nder të ditës së flamurit e interpretoi si veprim tjetër për të frikësuar popullin serb, si dhe një hap tjetër drejt krijimit të “Shqipërisë së Madhe”. (këtu)
Ky veprim dhe interpretim i Zyrës për Kosovën, zuri vend në mediat në gjuhën serbe e cila u interpretua në formë të njëjtë. E përditshmja “Kurir” në artikullin e publikuar më 29 nëntor pretendon në titull se “Qeveria e Kurtit e shtyn përpara ‘Shqipërinë e Madhe’”, duke u bazuar në disa zhvillime për këtë ditë. (këtu)