Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe shefi i zyrës së saj, Petar Petkoviq, vazhdojnë ta përdorin në diskursin e tyre të shpeshtë me pretendimin se “po synohet dëbimi i serbëve nga vendbanimet e tyre në Kosovë”. Ky narrativ po përdoret zakonisht në ngjarje e zhvillime në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, si rastet me mbishkrime “UÇK” në tabelat e vendbanimeve me shumicë serbe, apo edhe dëmtime të varrezave të komunitetit serb.
Hibrid.info i ka trajtuar e analizuar disa raste të bëra kohëve të fundit të ndërlidhura me këtë narrativ. Analiza korrespondon me faktin se ky narrativ po përdoret në mënyrë të shpeshtë nga Zyra për Kosovën dhe shefi i saj, ndërlidhur me ngjarjet e mbishkrimeve dhe dëmtimeve të varrezave.
Narrativi i lartcekur se “po synohet dëbimi i serbëve nga vendbanimet e tyre në Kosovë”, edhe pse nuk mbështetet në fakte konkrete, në të përfshihen edhe nën-narrativa të tilla se “kjo po bëhet nga shqiptarët ekstremist” të “nxitur nga Prishtina zyrtare” me shkas “urrejtjen ndëretnike”.
Ky narrativ që pikë-referimi e ka institucion serb, zë vend të përhershëm në mediat serbe që konsiderohen të afërta me pushtetin.
Në disa analiza të më hershme, hibrid.info ka trajtuar narrativat e fundit nga pushteti në Serbi e të transmetuara nga disa media të këtij shteti, që konsiderohen si të afërta me pushtetin.
Narrativat e analizuara më parë kishin për synim të “shtynin përpara” pretendime të pabazuara për “zbatimin e marrëveshjes fundit për kalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë me letërnjoftime”, për “përgatitje të shqiptarëve për sulm ndaj serbëve në Kosovë”apo “thirrjet e kryeministrit Kurti për luftë.
Narrativi i fundit: sulm ndaj komunitetit serb me qëllim dëbimin e tyre
Së fundmi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka përsëritur narrativin e lartcekur në një rast të dëmtimit të gurit memorialit të një varreze serbë në Kllokot. Kjo zyre, ndërlidhur me këtë ngjarje, hedh pretendime të pabaza së dëmtimi është bërë nga shqiptarët ekstremist, si shprehje e urrejtjes ndaj komunitetit serb, e nxitur nga Prishtina zyrtare me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova.
Përkundër faktit që nuk dihet se kush e ka dëmtuar varrin dhe se familjarët e të ndjerit nuk dyshojnë në askënd me rastin, institucion serb këtë ngjarje e interpreton në narrativin tashmë të njohur, “synohet dëbimi i serbëve të Kosovës nga vendbanimet e tyre”. (këtu)
Kronologjia e këtij narrativi gjatë periudhës së fundit
Në rrjedhën e informacioneve që kanë përmbajtje këtë narrativ e që hibirid.info i ka trajtuar kanë rinisur këtë vit, saktësisht me 31 janar, atëherë kur Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë publikoi një fotografi ku shihet një flamur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i vendosur në gardhin nën kishën e Shën Gjon Pagëzorit në Hoçë të Madhe, e cila është e banuar me popullatë serbe.
Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyre ka krijuar një teori të pa bazuar në asnjë fakt se “ekstremistët shqiptarë po rrezikojnë sigurinë dhe po i frikësojnë serbët me qëllim të dëbimit të tyre nga Kosova dhe Metohia”. (këtu)
Nga ana tjetër, shefi i kësaj zyre, Petkoviq, në një interviste për Radio Televizionin e Serbisë më 17 mars, pati deklaruar se Trazirat e Marsit të vitit 2004, kishin për qëllim spastrimin etnik të serbëve në Kosovë, duke mos u bazuar në asnjë dokument apo raport të bërë nga ndonjë burim kredibil. (këtu)
Petkoviq, shumicën e aksioneve të policisë për rend dhe ligj në komuna me shumicë serbe e interpreton nëpërmjet narrativit së lartcekur. Gjatë komentimit të bërë më 8 prill një aksioni të policisë së Kosovës në Shtërpcë për kontrabandë të mallrave, Petkoviq e interpreton si veprim të autoriteteve të Kosovës për t’i dëbuar serbët lokalë. (këtu)
Grabitjet dhe sulmet ndaj kishave ortodokse serbe në Kosovë, u interpretuan me narrativin të standardizuar tashmë, që përdoret në raste të caktuara edhe nga zyrtarë rusë. Gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur më 20 prill, përfaqësuesja ruse Anna Evstigneeva, në fjalimin e saj ka përmendur pa fakte se po vazhdojnë përpjekjet e Kosovës që të detyrojë serbët të largohen nga Kosova. Ajo pretendon në mënyrë të paargumentuar se Kosova ka qëllim që të shkatërrojë identitetin kulturor dhe fetar të serbëve, duke kërcënuar edhe objektet fetare dhe kulturore që janë trashëgimi në UNESCO. (këtu)
Narrativi për “dëbimin e serbëve nga vendbanimet e tyre” përdoret edhe nga kryeministrja aktuale e Serbisë, Ana Bërnabiq. Kryeministrja e Serbisë, më 27 prill të këtij viti në emisionin “Novo Jutro” (Mëngjesi i ri) pati deklaruar se në takimin e saj me përfaqësuesit e SHBA-së, ka shprehur shqetësimin që e ka Beogradi zyrtar për, siç shprehet, përshkallëzimin e dhunës në Kosovë. Bërnabiq, gjithashtu ka pretenduar pa fakte se në vitin 2021, numri i sulmeve ndaj serbëve në Kosovë është rritur më shumë se 30, tek monumentet kulturore e fetare. Ajo ka shkuar më tutje duke folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se mbron të gjitha tezat e nazistëve nga Lufta e Dytë Botërore dhe se dëshiron të dëbojë serbët. (këtu)
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë edhe grabitjet e shtëpive të serbëve në vendbanimet me shumicë i ndërlidh me narrativin e lartcekur. Në një komunikatë të lëshuar më 8 maj lidhur me grabitjen e një shtëpie në Graçanicë, e që sipas tyre, përgjegjës për këtë janë shqiptarët duke pretenduar pa fakte se llojet e këtyre incidenteve bëhen me qëllim të shqetësimit, frikësimit dhe dëbimit të serbëve nga shtëpitë e tyre shekullore. (këtu)
Mbishkrimet e ndryshme që ndërlidhen me UÇK-në, e që në raste të caktuar kanë zënë vend në tabela të ndryshme në vendbanimet me shumicë serbe, Zyra për Kosovën i interpreton “si pjesë e kërcënimeve të organizuara për dëbimin e serbëve”. Siç ishte rasti i një fotografie të publikuar ku shihet mbishkrimi UÇK në tabelën emërtuese të fshatit Batushë, afër Graçanicës, e cila është mbuluar me ngjyrë të kaltër. (këtu)
Pse ky narrativ nuk është i vërtetë?
Insistimi i bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, shefi i saj dhe përfaqësues tjerë politikë serbë se “po synohet dëbimi i serbëve nga vendbanimet e tyre në Kosovë”, del të jetë interpretim tendencioz pa fakte konkrete.
Në reagimet e tyre për raste të grabitjeve të shtëpive dhe kishave ortodokse serbe, mbishkrimet e ndryshme që lidhen me UÇK-në, dëmtimet e varrezave serbe nuk ofrojnë fakte konkrete se këto janë kryer nga shqiptarët me qëllim të dëbimit të serbëve.