Përgatiti: Etrit Rexhepi
Indeksi i çmimeve të konsumit në Kosovë ka qenë për 1.6 për qind më i lartë në vitin 2024 në krahasim me një vit më herët.
Inflacioni paraqet rritjen e përgjithshme dhe të vazhdueshme të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në një ekonomi gjatë një periudhe të caktuar kohore. Pra, kur me kalimin e kohës, me sasi të njëjtë parash, mund të blesh më pak mallra dhe shërbime. (Shih këtu)
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rregullisht Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), përkatësisht Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), që nga viti 2002. Publikimet vjetore të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) të mëparshme 2002-2014 janë publikuar me bazë muaj maj 2002=100. Ndërsa publikimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) i harmonizuar sipas konceptit ndërkombëtar, implementohet nga muaji janar i vitit 2016 dhe përmban seritë kohore, periudha 2002 – 2023 të rillogaritura me vitin bazë 2015=100.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit merret si parametër për matjen e inflacionit.
E në kuadër të “Indikatorëve kryesorë statistikorë sipas viteve 2003-2024”, ASK-ja ka publikuar tabelën që tregon normat vjetore të inflacionit sipas kësaj periudhe kohore:
Të dhënat tregojnë se viti 2022 shënoi ngritjen më të madhe të normës vjetore të inflacionit me 11.6 për qind në raport me një vit më herët. Ngritjen më të madhe të çmimeve e patën nëngrupet: Vajra dhe yndyra (44.5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, palet, etj. (34.8%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (32.7%); bukë dhe drithëra (25.2%); gaz (25.0%), ndërsa, rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2022 është vërejtur te nëngrupi i COICOP-it: pemë (-5.4%), me një ndikim të përbashkët prej (-0.1 për qind) në IHÇK. (Shih detajet)