Përgatiti: Etrit Rexhepi
Kosova renditet në vendin e 77-të në botë, në një listë që përfshin 124 shtete, për sa i përket pagës mesatare neto mujore pas tatimit, me një shumë prej 564.12 dollarësh amerikanë, sipas të dhënave të publikuara së fundmi për rrogat dhe financat globale, në Numbeo, platformë online. Kjo e vendos Kosovën nën mesataren evropiane, dhe ndjeshëm më poshtë krahasuar me shumicën e vendeve të Ballkanit.
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ka pagat më të ulëta. Nga shtetet e rajonit vetëm Mali i Zi dhe Serbia janë të rënditura në gjysmën e parë të renditjes, me paga mesatare 940.63 $ dhe 876.67 $, duke mbajtur pozitat 52 dhe 56. Nga vendi 63 – 65 janë listëzuar Bosnja dhe Hercegovina – 748.33 $, Shqipëria – 712.31 $ dhe Maqedonia e Veriut – 707.42 $. Çka tregon se Kosova qëndron mbrapa vendeve të rajonit në kë aspekt.
Në nivel kontinental, vetëm Ukraina ka pozicion më të ulët se Kosova. Vendi i përfshirë në luftë është e 89-ti me pagë 462.17 $. Kjo e vendos Kosovën si një ndër vendet evropiane me më pak fuqi blerëse të drejtpërdrejtë për qytetarët e saj.
Top 5 vendet me rrogën më të lartë në botë janë Zvicra – 7,227.00 $, Luksemburgu – 6,314.85 $, Islanda – 4,363.18 $, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 4,326.26 $ dhe Singapori – 4,023.74 $.
Ndërsa, në fund të listës renditen vendet kryesisht, që përballen me krizë ekonomike, luftë apo sanksione ndërkombëtare si, Kuba – 35.35 $, Siria – 45.85 $, Nigeria – 129.98 $, Egjipti – 137.48 $ dhe Kameruni – 159.11 $
Numbeo është një platformë e njohur që ofron informacion të saktë dhe të azhurnuar mbi kostot e jetesës, cilësinë e jetës, dhe faktorë të ndryshëm socio-ekonomikë për qytetet dhe vendet në mbarë botën. Numbeo funksionon si një platformë e hapur, ku përdoruesit nga mbarë bota raportojnë vazhdimisht çmime, paga, qira, etj.
Sa herë që dikush fut një informacion të ri, algoritmi i Numbeo e përditëson mesataren në kohë reale ose në intervale shumë të shkurtra. (shih këtu).
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kishte publikuar në tetor të vitit të shkuar, “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2023.
Publikim përmbante të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në Sektorin Publik (Administrata), Ndërmarrjet Publike dhe Sektorin Privat në Kosovë.
Sipas raportit në vitin 2023, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 570 euro, derisa në vitin 2022 ishin 521 euro. Pra, kishte një rritje prej 49 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2023 ishte 506 euro, krahasuar me vitin 2022 që ishte 446 euro. Pra, një rritje prej 60 eurosh.
Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2023 ishte 515 euro, derisa në vitin 2022 ishte 473 euro. Pra, kishte një rritje prej 42 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto ishte 459 euro, krahasuar me vitin 2022 e cila ishte 401 euro. Pra, një rritje prej 58 eurosh.
Tek sektori publik vërehej një rritje e konsiderueshme e pagës për rreth 18 % krahasuar me vitin paraprak, si rezultat i hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik (Ligji nr. 08/L-196) nga muaji janar 2023.
Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2020 ishte 624 euro, derisa, në vitin 2023 ishte 713 euro, duke u rritur për 89 euro, ose 14.2%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 552 euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 630 euro në vitin 2023. Një rritje prej 78 eurosh, ose 14.1%.
Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2020 ishte 769 euro, derisa në vitin 2023 ishte 789 euro. Një rritje prej 20 eurosh ose 2.6%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 680 euro, sa ishte në vitin 2020, u rrit në 691 euro në vitin 2023. Një rritje prej 11 eurosh, ose 1.6%.
Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.
Paga mesatare bruto në vitin 2023, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (1039 euro); dhe Informim dhe komunikimi (974 euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (345 euro).
Paga mesatare neto në vitin 2023, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si më poshtë: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (870 euro); Informim dhe komunikim (850 euro); Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (312 euro).