Ballina Fakte për... Zhvillime

Parafushata zgjedhore keqinformuese në media sociale

Përgatiti: Endrit Berisha

Edhe pse shkurti i vitit 2025 është afati i fundit për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, mediat sociale kanë nisur të mbushen me përmbajtje që ndërlidhen me liderë politikë e pretendentë për kryeministër të ardhshëm. Muajve të fundit ka pasur rritje të përmbajtjeve keqinformuese në lidhje me temën e zgjedhjeve. Kryesisht bëhet fjalë me përmbajtje në të cilat janë përdorur deklarata të pavërteta që u janë atribuuar politikanëve. Ka pasur edhe publikim të sondazheve të rreme e manipulime me rezultate të sondazheve të vjetra duke i paraqitur si aktuale.

Tema e zgjedhjeve të parakohshme ka qarkulluar nëpër media që nga fillimi i vitit, pasi që Qeveria aktuale e udhëhequr nga Albin Kurti, hyri në vitin e fundit të mandatit. Viti 2024 nga partitë opozitare u konsiderua vit zgjedhor. Deri tash nuk ka pasur afrim qëndrimesh për ndonjë datë për zgjedhje të mundshme të parakohshme. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dy partitë më të mëdha nga zgjedhjet e fundit, kanë pasur një takim më 13 maj, në të cilin ndër tjerash kanë pranuar se është folur për shkuarjen në zgjedhje. Përderisa të dyja këto parti kanë shprehur gatishmërinë për shpërndarje të Kuvendit, dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) duan zgjedhje përmes shkarkimit apo dorëheqjes së Qeverisë së Kurtit (shih këtu).

Kuvendi i Kosovës e përfundon mandatin më 22 mars 2025. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme thotë se zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nuk mbahen më herët se 60 ditë dhe mbahen jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit. Datën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës e cakton presidenti, pas konsultimit me partitë politike.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt 2021. Atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje pati marrë 50.28% të votave. PDK-ja doli e dyta me 17%, LDK-ja e treta me 12.73% dhe AAK-ja e katërta me 7.12%. Institucionet e reja, legjislatura e tetë e Kuvendit dhe Qeveria e re u formuan më 22 mars të atij viti. Qeveria Kurti pati marrë besimin e 67 deputetëve.

Keqinformatat për liderët

Ka qenë kryesisht media sociale TikTok që është përdorur për shpërndarje të keqinformatave. Përmbajtjet keqinformuese kryesisht lidhen me emrat e liderëve partiakë, por edhe të kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Ka pasur publikim të keqinformatave edhe për koalicione para ose paszgjedhore. Një i tillë u publikua më 20 qershor nga llogaria me emrin “albiin_kurti” në TikTok. Nëpërmjet një imazhi me mbishkrim, u pretendua rrejshëm se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se po shqyrtojnë mundësinë e një koalicioni para ose paszgjedhor me PDK-në për ta larguar nga pushteti Albin Kurtin. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për koalicione të mundshme mes partive parlamentare.

Në bazë të gjetjeve të keqinformatave në mediat sociale, kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, Bedri Hamza, është një nga figurat e përfolura muajve të fundit. Është pretenduar rrejshëm nga llogaria me emrin “tavnikcitypdk” në TikTok se ambasadori amerikan ka shprehur mbështetje për Hamzën si kandidat për kryeministër.

Për Hamzën ka pasur edhe publikime keqinformuese se kinse ai ka dhënë premtim për rritje të pensioneve për veteranët e luftës deri në 1500 euro, edhe pse ai nuk e ka premtuar një gjë të tillë, të paktën deri tash. Pretendimi ishte publikuar nga llogaria “albiin_kurti” në TikTok.

Për kandidatin e PDK-së ka pasur pretendim të pasaktë edhe më 27 qershor. Në Facebook ishte publikuar pretendimi se Hamza gjoja ka dalë kundër idesë për hapjen e Urës së Ibrit.

Ndërkaq për kryeministrin Albin Kurti, që pritet të kandidojë për mandatin e dytë në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, ka pasur manipulim faktesh për kinse dështimin e një tubimi me rininë më 25 qershor. Me këtë rast u pretendua nga llogaria “tavnikcitypdk” në TikTok nëpërmjet fotografive se rinia nuk po i shkon Kurtit në takim. Por ndryshe kanë treguar fotografitë zyrtare.

Mashtrimi me sondazhe

Muajve të fundit janë identifikuar edhe sondazhe të rreme për garën për kryeministër. Janë përdorur sondazhe të vjetra duke u paraqitur si të reja, ka pasur shifra të manipuluara e mashtrime të tjera.

Llogaria “albinkurti_kryeminister” në TikTok më 8 qershor pati publikuar një fotografi nëpërmjet të cilës pretendonte se janë shifrat nga një sondazh i fundit. Por bëhej fjalë për publikim të mëhershëm, mbi të cilin janë vendosur shifra të pavërteta. Në të dhënat e pretenduara, garës për kryeministër i printe Albin Kurti (VV) me 54 për qind, i pasuar nga Bedri Hamza (PDK) me 23, Lumir Abdixhiku (LDK) me 19 dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 4 për qind.

Pas kësaj, në një rast tjetër, më 13 qershor Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) reagoi duke e demantuar një publikim të mediumit në gjuhën shqipe “paparaci.com” që pretendoi se ka siguruar të dhënat nga një sondazh të kryer nga NDI për përkrahjen e qytetarëve për partitë politike në Kosovë. NDI e pati quajtur përmbajtjen “lajm të rremë”. Sondazhi i demantuar pretendonte për rënie prej 14 për qind të Lëvizjes Vetëvendosje, që aty printe me 36%. Në vend të dytë dilte PDK-ja me 26%, LDK-ja ishte e treta me 24 dhe AAK-ja e katërta me 10.

Në median sociale TikTok llogaria me emrin “tavnikcitypdk” pretendoi për publikimin e një sondazhi të ri lidhur me zgjedhjet në Kosovë. Por kjo llogari në publikim doli se ka përdorur të dhëna të një sondazhi të vjetër e në pretendim ua ka ndërruar vendet akronimeve të subjekteve politike, për ta nxjerrë PDK-në të parën. PDK-ja në këtë sondazh të pretenduar kishte 35.5 për qind, e pasuar nga VV-ja me 22.2 për qind dhe LDK-ja me 21.5%.

Gjithashtu në TikTok u pretendua se faqja “Secure America Now” ka publikuar rezultate të një sondazhi për zgjedhjet në Kosovë. Pretendimi i rremë i llogarisë “albinkurti_kryeminster” se kinse bëhet fjalë për një “sondazh të fundit nga një portal amerikan” e nxirrte Kurtin prijës të garës me 59%. Pas tij ishte Bedri Hamza me 18%, Abdixhiku me 17 dhe Haradinaj me 6.