Përgatiti: Festim Rizanaj
Të pagjeturit në Kosovë përbëjnë një nga çështjet më të ndjeshme dhe të dhimbshme që lidhet me luftën e viteve 1998-1999. Pas përfundimit të luftës, mbi 6,000 persona u raportuan të zhdukur, dhe pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare dhe lokale për t’i gjetur, mbi 1,600 persona ende mungojnë. Familjet e të pagjeturve kanë pritur për dekada për të mësuar fatin e të dashurve të tyre, ndërsa institucionet përpiqen të zbardhin rastet përmes gërmimeve, identifikimeve të ADN-së dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), 1.612 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë.
EULEX bëri të ditur se që nga fillimi i mandatit të këtij misioni, ekspertët kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, që kanë rezultuar me identifikimin e 332 persona.
Çështja e të zhdukurve përmendet në nenin 6 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel.
Ndërkaq, në aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje – që u arrit në Ohër më 18 mars – thuhet se Kosova dhe Serbia “pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si çështje urgjente”.
Më 2 maj 2023 Deklarata për Personat e Zhdukur u miratua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq. Pikat kryesore të kësaj deklarate, përfshijnë sigurimin e zbatimin e angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur, është e nevojshme të bashkëpunojmë ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve, dhe të sigurojnë qasje të plotë në informacione të besueshme që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet dhe dokumentet, përfshirë ato të klasifikuara, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, dhe përdorimin e teknologjive të avancuara si të dhënat satelitore dhe teknologji të avancuar për zbulimin e varrezave masive, duke inkurajuar gjithashtu angazhimin aktiv të familjeve dhe krijimin e një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).
Në aspektin ligjor, Kosova ka përfshirë çështjen e personave të pagjetur në disa ligje dhe akte nënligjore, për të garantuar drejtësi dhe mbështetje për familjet e tyre. Ligji për Personat e Zhdukur, miratuar në vitin 2011, është një nga aktet kryesore që trajton këtë çështje. Ky ligj përcakton të drejtat e familjeve të personave të zhdukur, duke përfshirë ndihmën financiare dhe mbështetjen institucionale për të zbardhur fatin e të zhdukurve. Ligji gjithashtu detyron institucionet shtetërore të punojnë për identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore.
Krahas kësaj ekziston edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, si dhe organizata “Qendra Burimore për Personat e Zhdukur” që bashkon familjet e personave të zhdukur nga të gjitha grupet etnike, duke inkurajuar bashkëpunimin për ndarjen e njohurive dhe ndriçimin e fatit të personave të zhdukur në Kosovë, dhe ka për qëllim të shërbejë si një kujtesë e vazhdueshme për qeverinë në përmbushjen e obligimeve për ndriçimin e fateve të të gjithë personave të zhdukur në Kosovë; ajo u themelua në mars 2017 nga përfaqësuesit e familjeve shqiptare dhe serbe të Kosovës të personave të zhdukur.
Mbi 1.600 të pagjeturit
Edhe 25 vjet pas konfliktit, familjet shqiptare, serbe dhe ato të nacionaliteteve tjera, janë ende në pritje për të kuptuar më shumë për më të dashurit e tyre. Radio Evropa e Lirë përmes një harte interaktive, sjell emrat, vitin dhe vendin e lindjes, si dhe rajonet ku janë parë për herë të fundit këta persona. Më shumë se 1,600 individë vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa familjet e tyre, pavarësisht përkatësisë etnike, presin me shpresë që të zbardhet fati i të dashurve të tyre. Të pagjetur vazhdojnë të jenë 1.612 persona.
Personat për të cilët nuk ka informacione për vendin e saktë të lindjes: 56
Personat e lindur ose të zhdukur jashtë territorit të Kosovës: 88
Dragash: 2
Prizren: 144
Shtërpcë: 12
Kaçanik: 14
Gjakovë: 126
Rahovec: 125
Suharekë: 116
Ferizaj: 30
Viti: 5
Gjilan: 30
Lipjan: 14
Shtime: 12
Malishevë: 59
Deçan: 104
Klinë: 123
Drenas: 39
Fushë Kosovë: 11
Novobërdë: 5
Kamenicë: 6
Prishtinë: 57
Obiliq: 17
Skenderaj: 105
Pejë: 131
Istog: 53
Vushtrri: 36
Podujevë: 45
Mitrovicë: 58
Zubin Potok: 6
Zveçan: 2
Leposaviq: 3