Ballina BallinaBottom Demografi Fakte për... Për Kosovën Uncategorized

Popullsia në Kosovë në 100 vjetët e fundit

Përgatiti: Fatbardh Dema

Numri i popullsisë rezidente në Kosovë sipas regjistrimit të vitit 2024, është i përafërt me numrin e popullsisë sipas regjistrimit të vitit 1981.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) më 19 dhjetor publikoi të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Sipas raportit, popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2024 arrin në 1,585,566 banorë. Por për shkak të bojkotit në regjistrim nga banorët e katër komunave në veri të vendit (Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok dhe Mitrovicë e Veriut), ASK-ja kreu vlerësim të popullsisë në këto komuna dhe sipas regjistrimit të përgjithshëm dhe vlerësimit për këto komuna, numri total i popullsisë është vlerësuar të jetë 1,602,515.

E ndër tabelat që është publikuar nga ASK-ja është edhe numri i popullsisë ndër regjistrimet e kryera ndër vite në Kosovë, tash e 100 vjet.

Aty mësohet se numri prej 1.58 milionëve sa ka dalë nga regjistrimi i sivjetmë, është i përafërt me regjistrimin e vitit 1981 kur në Kosovë ishin 1.58 milionë banorë rezidentë.

Bazuar në listën që tregon rezultatet e regjistrimeve që prej vitit 1921 kuptohet se numri ka qenë gjithmonë në rritje deri në regjistrimin e vitit 2011.

Më 1921 kanë qenë mbi 439 mijë banorë të regjistruar, duke shkuar në mbi 552 mijë dhjetë vjet më vonë.

Më 1948, sipas të dhënave, në Kosovë janë regjistruar mbi 733 mijë banorë. Pesë vjet më pas numri ka qenë mbi 815 mijë.

Më 1961 numri i popullsisë ka qenë mbi 963 mijë.

Për herë të parë mbi një milion banorë u regjistruan më 1971, kur në Kosovë numri i popullsisë rezidente doli të jetë mbi 1.24 milionë. Trendi rritës pasoi edhe më 1981 kur numri i popullsisë mbërriti në mbi 1.58 milionë.

Të dhënat në këtë tabelë vazhdojnë me regjistrimin e parë pas pavarësisë së Kosovës, atë të vitit 2011. Ky doli të jetë regjistrimi me numrin më të madh të qytetarëve rezidentë ndonjëherë. Më 2011, sipas regjistrimit, në Kosovë ishin mbi 1.73 milionë banorë.

Nga 2011-a e deri në regjistrimin e kryer sivjet, numri i popullsisë të regjistruar është tkurrur për rreth 154 mijë, nëse merret për bazë regjistrimi pa vlerësim për komunat në veri.

Historik i shkurtër i regjistrimeve

Siç shkruhet në dokumentin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, regjistrimet e popullsisë janë praktikë thelbësore për të siguruar të dhëna të sakta demografike dhe ekonomike, të cilat janë të domosdoshme për planifikimin dhe zhvillimin socio-ekonomik të një vendi. Sipas standardeve ndërkombëtare, regjistrimet duhet të kryhen çdo dhjetë vjet, pasi ndryshimet demografike dhe ekonomike që ndodhin brenda kësaj periudhe janë domethënëse për hartimin e politikave të qëndrueshme.

Regjistrimet në vitet 1961, 1971 dhe 1981, u kryen në kuadër të ish-Jugosllavisë dhe ofruan të dhëna për rritjen e popullsisë, ndryshimet strukturore dhe migrimin, duke përfaqësuar burime të rëndësishme të statistikave për zhvillimin rajonal.

Më 1991 regjistrimi nuk u realizua për shkak të masave të regjimit serb ndaj popullsisë shqiptare. Shqiptarët kishin refuzuar të merrnin pjesë në regjistrim të popullsisë për shkak të masave të asaj kohe. Në vend të një regjistrimi të zakonshëm, Enti Federativ Jugosllav, me seli në Serbi, përpiloi vlerësime të njëanshme për popullsinë e Kosovës. Të dhënat nuk u pranuan.

Pas luftës, Kosova, sipas ASK-së, e pati të pamundur organizimin e një regjistrimi të mirëfilltë deri më 2011, për shkak të zhvendosjeve të mëdha të popullsisë dhe pasigurisë politike. Ndërkohë, gjatë administratës nga Kombet e Bashkuara (1999-2008), regjistrimi u planifikua disa herë, por u shty deri në vitin 2011 me rekomandimin e Eurostat-it për të siguruar përputhshmëri me standardet ndërkombëtare dhe krahasueshmëri me vendet e tjera të rajonit.

Pas dy dekadash pa regjistrim zyrtar, Kosova realizoi regjistrimin e saj të parë të mirëfilltë të popullsisë më 1 prill 2011. Ky regjistrim shënoi një pikë kthese për shtetin e ri të Kosovës, duke qenë regjistrimi i parë që u organizua në mënyrë të pavarur pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Procesi u krye nën mbikëqyrjen dhe mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, duke siguruar respektimin e standardeve ndërkombëtare për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave demografike.

Ndërsa ai i vitit 2024 është i dyti pas shpalljes së pavarësisë dhe i pari i kryer plotësisht në formatin digjital. Ky proces u realizua në periudhën 5 prill – 24 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *