Shkroi: Fatbardh Dema
Me publikimin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar edhe ndarjet e popullsisë sipas moshës.
Mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është 34.84 vjeçare. Në regjistrim, popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2024 arrin në 1,585,566 banorë. Por për shkak të bojkotit në regjistrim nga banorët e katër komunave në veri të vendit (Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok dhe Mitrovicë e Veriut), ASK-ja kreu vlerësim të popullsisë në këto komuna dhe sipas regjistrimit të përgjithshëm dhe vlerësimit për këto komuna, numri total i popullsisë është vlerësuar të jetë 1,602,515.
Në raport gjinor në nivel janë 790,014 femra dhe 795,552 meshkuj. Te femrat mosha mesatare është 35.66 vjeçare dhe te meshkujt 34.03.
Në tri ndarje të grupmoshave, nga 0 deri në 29 vjeç janë mbi 718 mijë banorë, që paraqet grupin më të madh. Nga 30-59-vjeçare janë mbi 613 mijë banorë dhe mbi 60-vjeçarë janë më shumë se 254 mijë banorë.
Në ndarjen e publikuar, del se më së shumti qytetarë në Kosovë ka në moshën 23-vjeçare me 31,686 banorë.
Sipas regjistrimit, në Kosovë janë 20,467 fëmijë nën 12 muajsh. Ndërsa janë 50 persona me më shumë se 100 vjet.
Regjistrimi i vitit 2024 është i dyti pas shpalljes së pavarësisë dhe i pari i kryer plotësisht në formatin digjital. Ky proces u realizua në periudhën 5 prill – 24 maj.