Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Religjioni

Popullsia sipas religjionit në Kosovë

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë për vitin 2024, Kosova ka një popullsi prej 1,585,566 banorësh, duke shënuar një rënie të ndjeshme në krahasim me vitin 2011, ku popullsia ishte 1,739,825 banorë. Ndryshimet e popullsisë janë pasqyruar edhe në ndryshimet e përqindjeve të popullsisë sipas besimeve fetare.

Besimi islam

Në vitin 2011, shumica e popullsisë në Kosovë ishte myslimane, me 1,663,412 individë që i përkisnin besimit islam, që përbënte 95.6% të totalit të popullsisë. Në vitin 2024, kjo përqindje është ulur në 93.49%, me 1,482,276 individë që ndajnë këtë besim. Kjo rënie e përqindjes mund të lidhet me ndryshimet demografike dhe sociale.

Besimi ortodoks

Besimi ortodoks ka pësuar një rritje të vogël në këtë periudhë. Në vitin 2011, numri i ortodoksëve ishte 25,837, që përbënte 1.48% të popullsisë. Në vitin 2024, ky numër është rritur në 36,683 individë, ose 2.31% të popullsisë. Ky ndryshim mund t’i faturohet të pjesëmarrjes më të madhe të komunitet serb në këtë proces, të cilët pjesa më e madhe e tyre i përkasin këtij besimi.

Besimi katolik

Popullsia katolike gjithashtu ka pësuar një rënie të numrit të individëve në këtë periudhë. Në vitin 2011, besimi katolik numëronte 38,438 individë (2.2% e popullsisë), ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në 27,815 individë, ose 1.75% të popullsisë.

Përkufizimi i grupeve të tjera dhe ata me asnjë besim fetar

Një aspekt tjetër interesant i këtyre të dhënave është numri i individëve që nuk kanë deklaruar një besim fetar të caktuar. Në vitin 2024, 7,899 individë (0.5%) kanë deklaruar se nuk ndjekin asnjë fe, krahasuar me 1,242 individë (0.07%) në vitin 2011.

Përveç kësaj, numri i atyre që nuk kanë dhënë një përgjigje për besimin e tyre ka shënuar një rritje të ndjeshme: në vitin 2011, ky numër ishte 7,213 individë (0.41%), ndërsa në vitin 2024, ky numër ka arritur në 23,718 individë (1.5%). Kjo mund të jetë një tregues i ndryshimeve në perceptimin dhe preferencën e individëve për t’u identifikuar me besime fetare të caktuara.

Të dhënat e vitit 2024 tregojnë një rënie të popullsisë në Kosovë. Shumica e popullsisë mbetet myslimane, por ka pasur një ulje të përqindjes, ndërsa besimi ortodoks dhe katolik kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Rritja e numrit të individëve që nuk kanë identifikim fetar dhe rritja e numrit të atyre që nuk përgjigjen për besimin e tyre janë zhvillime të tjera interesante, që pasqyrojnë ndryshimet kulturore dhe shoqërore në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *