Televizioni shtetëror rus “Russia Today” (RT), i cili transmeton programin e tij në agnlisht, së fundi ka shfaqur një emision të tipit dokumentar për Kosovën të quajtur “Serbia: Shenjat e Luftës” në të cilin konflikti paraqitet si e vetmja zgjidhje e vërtetë.
Ky dokumentar përmbanë një narrativë të pabazuar për nisjen e një konflikti (luftë) të armatosur në veri të Kosovës, përmes disa interpretimeve të devijuara të ngjarjeve të fundit.
Protagonistët kryesorë të dokumentarit të cilët intervistohen janë kryetari i partisë së djathtë serbe, Misha Vaçiq (Miša Vacić), Damjan Knezheviq (Damjan Knežević) nga “Patrullat Kombëtare” (narodne patrole) dhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko. (këtu) (këtu)
“Të shtënat në pikën kufitare Bërnjak, si njëqind vjet më parë në Sarajevë, pothuajse çuan në një krizë globale”, thuhet në hyrje të dokumentarit, duke iu referuar barrikadave të serbëve të Kosovës të muajit të kaluar në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Emisioni fillon me xhirime nga tre programe lajmesh televizive ruse për barrikadat e vendosura në magjistralet mes Mitrovicës dhe dy pikave kufitare në veri të Kosovës, më 31 korrik, dhe një bisedë me qytetarë që vendosnin afishe në targat e makinave afër pikave kufitare.
I veshur me një bluzë me shkronjën e madhe Z në krahun e djathtë, Misha Vaçiq, i cili prezantohet si udhëheqës i disa grupeve radikale djathtiste në Serbi, të njohura si “patrullat kombëtare” tha se “Ashtu si Rusia ia del mbanë në denazifikimin, çmilitarizimin dhe çlirimin e botës ruse, ashtu edhe ne serbët kemi të drejtë të përdorim operacione speciale për të krijuar një botë serbe që do të jetojë në paqe dhe liri”.
Ukraina është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk i përket “botës ruse” (shih këtu). Me fillimin e pushtimit rus, 24 shkurt 2022, si justifikim filluan të përdoren termet “denazifikim”, “demilitarizim”, “operacione speciale” të cilat i përdor edhe djathtisti Misha Vaçiq në dokumentar.
Në dokumentar gjithashtu përdoret narracioni krahasues ndërmjet Kosovës dhe Krimesë. Narratori i këtij dokumentari interpreton se “Shumë në Beograd besojnë se … është koha për të zgjidhur çështjen e Kosovës siç bëri Rusia me Krimenë”.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 (këtu). Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare (këtu). Pavarësia e Kosovës deri më tani është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë SHBA-në dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian (këtu).
Për më tepër, Krimea është pjesë integrale e shtetit të Ukrainës e cila është aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia në vitin 2014 (këtu). Referendumi në Krime, i mbajtur më 16 mars 2014, u refuzua në të njëjtin vit si i paligjshëm – me votat e 100 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (shih këtu).
Edhe pse krahasimi i Krimesë me Kosovën është i paqëndrueshëm, ajo zënë vend në deklaratat e zyrtarëve të lartë të Rusisë, duke filluar nga presidenti, Vladimir Putin, Ministri i Punëve të jashtme, Sergej Lavrov etj. (shih këtu dhe këtu)
Në mesin e të intervistuarve në dokumentar është edhe Fexha Dimoviq, vokalist i grupit “Beogradski Sindikat” i cili thotë se “Kosova është provincë jugore e Serbisë e cila është e okupuar momentalisht nga NATO, e cila po e kthen atë në një shtetet artificial dhe të kriminalizuar”.
Misioni paqeruajtës ndërkombëtar i KFOR-it është i pranishëm në Kosovë, në kuadër të aleancës së NATO-s. Kjo është në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës, të nënshkruar në vitin 1999 nga Republika Federale e atëhershme e Jugosllavisë (RFJ), marrëveshje e cila i dha fund luftës në Kosovë dhe Beogradi mori përsipër të largojë forcat e tij policore dhe ushtarake nga Kosova (shih këtu). KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe prania e tij është në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Pavarësia e Kosovës u shpall në vitin 2008 nga Kuvendi i Kosovës, jo nga NATO (shih këtu). Qeverinë në Kosovë e zgjedhin qytetarët, duke marrë pjesë në zgjedhje.
Pretendime të pabaza dhe propagandë lufte
Damjan Knezheviq, themelues i “Patrullave Kombëtare” (Narodna Patrolla) tha për RT: “Nuk do të lëmë asnjë fëmijë, edhe sikur të jetonin në Mal të Zi, Bosnje dhe Kosovë. Është detyrë e brezit tonë të sigurojmë që askush të mos mbetet pas, askush të mos harrohet. Shumë veteranë lufte janë me ne, shumë njerëz që kaluan nëpër Siri, Ukrainë, bombardimet në 1999”.
Në dokumentar hedhen pretendime se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatitet për likuidimin e serbëve, pretendime të tilla zënë vend në deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, duke përfshirë edhe vet presidentin serb Aleksandër Vuçiq, e të cilat reflektohen edhe në mediat e afërta më të. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Për këtë program ka folur edhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko. Ai jep arsyet se pse Rusia po kërkon të hapë një bazë ushtarake në Serbi. Ambasadori rus thotë se kjo do të ishte një kundërpeshë e bazës amerikane, apo NATO-s, Bondsteel në Kosovë. Ai theksoi se Moska zyrtare e kërkon hapjen e kësaj baze, por nuk insiston dhe nuk ua imponon autoriteteve të Serbisë hapjen e bazës së saj ushtarake në atë vend.
Ambasadori rus hedh pretendimin se gjendja në Kosovë është shumë e rrezikshme duke mos e bazuar në asnjë fakt konkret. Po ashtu theksohet në dokumentar afërsia e Rusisë me Serbinë, duke e interpretuar se Rusia ka ardhur në Ballkan për t’i mbrojtur vëllezërit serb.
Për këtë analizë i jemi referuar edhe artikullit të Radios Evropa e Lirë (REL) në gjuhën serbe. (shih këtu)