BallinaBottom Për Kosovën

Pulsi Publik 26: Varfëria, problemi kryesor me të cilin përballet Kosova

Përgatiti: Endrit Berisha

Varfëria është problemi më i madh me të cilin përballet Kosova aktualisht, sipas perceptimeve të qytetarëve në Pulsin Publik 26 të UNDP-së, të publikuar të enjten (25 korrik).Papunësia është problemi më urgjent sipas vlerësimit të shqiptarëve të Kosovës. Për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera problemi më urgjent është varfëria.

Përmbledhja e Pulsit Publik publikohet dy herë në vit. Të dhënat e përmbledhjes së fundit janë mbledhur nga 17 prilli 2024 deri më 7 maj 2024. Janë anketuar më shumë se 1300 persona që i mbulojnë të gjitha komunat.

Në nivel vendi problemet më urgjente të identifikuara me të cilat po përballet Kosova janë varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.7%). Shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%) kanë qenë ndër pesë problemet kryesore.

Në krahasim me anketën e shkuar (nëntor 2023), varfëria si problemi më i madh ka pësuar rënie në puls me 12%, nga 28.6% sa ishte. Problemi i papunësisë në pulsin publik të shkuar ishte 19.2%. Rritje në anketë si problem madhor kryesor ka shënuar çështja e çmimeve për furnizimet esenciale. Nga 8.9% sa ishte në nëntor 2023, tani është 12.7%.

Sipas anketës, gratë e kanë renditur papunësinë si çështjen më madhore kryesore (18%) dhe varfërinë (17.8%) si çështje madhore të dytë, krahasuar me burrat, të cilët varfërinë (15.3%) e kanë renditur si çështjen më madhore, ndërsa papunësinë (14.7%) si çështje madhore të dytë.

Sa u përket të dhënave të zbërthyera etnikisht, papunësia me 16.8% është problemi madhor kryesor për shqiptarët e Kosovës. Pas papunësisë për shqiptarët e Kosovës problemet më të mëdha janë varfëria (16.6%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.8%). Për serbët e Kosovës, varfëria (15.2%), problemet e hapësirës urbane (13.8%) dhe marrëdhëniet ndëretnike (13.3%) kanë qenë tri çështjet kryesore. Tri çështjet kryesore për komunitetet tjera të Kosovës kanë qenë varfëria (19.5%), furnizimi me energji elektrike (14.2%) dhe problemet e hapësirës urbane (11.1%).  

Të dhënat e kësaj ankete të majit 2024, tregojnë se mesatarisht 50.1% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve kryesore qendrore të Kosovës. ka pasur rritje të përqindjes së kënaqshmërisë me punën e kabinetit ekzekutiv, kryeministrit, Kuvendit, kryeparlamentarit dhe presidentes. Në raport me pulsin e nëntorit 2023 ka pasur rënie të kënaqshmërisë me punën e gjykatave (27.1%) dhe prokurorisë (26.5%) nga 29.3% respektivisht 30%.

Po ashtu ka pasur rritje të kënaqshmërisë me drejtimin ekonomik (27.5% krahasuar me 20.2% në nëntor të vitit 2023), si dhe me drejtimin politik (36.3% krahasuar me 23.9% në nëntor të vitit 2023).

Sipas anketës së fundit, 19.9% për qind e të anketuarve besojnë se korrupsioni në shkallë të gjerë është i përhapur. Kjo shënon rënie në krahasim me 25% sa ishte një vit më herët.

52.9% e shqiptarëve të Kosovës, 25.7% e serbëve të Kosovës dhe 51.2% e komuniteteve tjera besojnë plotësisht ose besojnë që Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës, krahasuar me nëntorin e vitit 2023, kur 59.3% e shqiptarëve të Kosovës, 32.4% e serbëve të Kosovës dhe 62.5% e komuniteteve të tjera të Kosovës kanë besuar në të njëjtën gjë.

X