Përgatiti: Festim Rizanaj
Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën (28 gusht) të rris pagën minimale në vend në 350 euro bruto për punëtorët e të gjitha moshave, pa dallim. Ky vendim pason hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale, i cili parashikonte një rritje në 264 euro bruto.
Me këtë vendim të ri, i cili hyn në fuqi më 1 tetor, shkalla e re e pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro për orar të plotë në muaj. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se kjo rritje do të prekë rreth 150.000 punëtorë, kryesisht në sektorin privat.
“Ky veprim është një hap tjetër në kuadër të masave që kemi ndërmarrë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se vendimi do të zbatohet me rigorozitet dhe se ai i jep fund diskriminimit të pagave në bazë të moshës.
Përpos rritjes së pagës minimale, ligji parasheh lirimin nga tatimi të pagave deri në 250 euro, që nënkupton se çdo i punësuar do të përfitojë 6 euro e 80 cent më shumë nga shtatori, për shkak të ndryshimeve nga e kaluara. Pagat nga 250 deri 450 euro do të tatohen me 8%, ndërsa ato mbi 450 euro do të tatohen me 10%. Për shembull, një pagë bruto prej 500 euro do të thotë që në vend të 449.7 eurove (pas taksave), punonjësit do të paguhen 456.50 euro (që i shtohen 6 euro e 80 cent).
Murati theksoi se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, përfundimisht hapet rruga për rritjen zyrtare të pagës minimale pas më shumë se një dekade. “Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”, shtoi ai.
Vlera e pagës që lirohet nga tatimi është rritur nga 80 euro në 250 euro, çka nënkupton se të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak të këtij ndryshimi.
Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç. Rritja në 350 euro nuk e largon Kosovën nga fundi i listës së pagave minimale në Evropë.
Deri më tani, projektligji ka kaluar disa faza të rëndësishme. Ai është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 14 qershor 2022. Ndërsa, më 13 korrik 2023, ai është miratuar edhe në lexim të dytë në Kuvend. Ndryshimi vjen pas një debati të gjatë ligjor dhe kushtetues, pasi Ligji për pagën minimale ishte kontestuar nga opozita për mospërfshirjen e rritjes së pensioneve të veteranëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Gjykata Kushtetuese, megjithatë, vendosi që ligji nuk e shkelte Kushtetutën, duke hapur rrugën për zbatimin e tij.