Ballina BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK): Prioritet demilitarizimi i veriut

raportin me titull ‘Veriu i Kosovës: Ruajtja e sovranitetit mes besnikërive të ndara’, dedikuar marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me fokus në veriun e Kosovës dhe zhvillimet atje, Kosovës i sugjerohet të bashkëpunojë me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë [KFOR] “për të dmilitarizuar veriun”.

“Kosova duhet të bashkëpunojë me paqeruajtësit e NATO-s për çmilitarizimin e veriut. Në përputhje me marrëveshjet e paplotësuara të kaluara, Prishtina duhet të ndërmarrë hapa të besueshme drejt sigurimit të vetëqeverisjes për pakicën serbe të veriut. Zgjedhjet e reja lokale duhet të pasojnë, së bashku me fundin e bojkotit të serbëve të veriut ndaj institucioneve qeveritare.”

Veriu

Në raport shkruhet që në start se Kosova “po fiton betejën për kontrollin e veriut të rebeluar me shumicë serbe” por se krahas kësaj “shpresat për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi po zbehen”.

“Prishtina duhet të tërheqë policinë e saj speciale nga veriu dhe Beogradi duhet të ndihmojë në parandalimin e aktivitetit të mëtejshëm paraushtarak”.

“Prioriteti kryesor është demilitarizimi. Kosova duhet të tërheqë njësitë e saj speciale policore nga rajonet me shumicë serbe, dhe derisa kjo të ndodhë, duhet t’i vendosë ato me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it të NATO-s, të cilët veriorët i shohin si më të besueshëm duke pasur parasysh përkushtimin e tyre për neutralitet. Për të rritur ndjenjën e sigurisë së Prishtinës, KFOR-i duhet të ndihmojë Kosovën të kontrollojë kufirin e saj, të parandalojë kontrabandën e mëtejshme të armëve të rënda dhe të gjejë depo të futura më parë.”

“Nga ana e saj, Serbia duhet të ndalojë mbështetjen e aktiviteteve paraushtarake dhe duhet të ndjekë penalisht ato të përfshirë në vrasjen e policisë së Kosovës në masën që janë nën juridiksionin e saj. Në mungesë të një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, barra do të jetë mbi BE-në, SHBA-në dhe NATO-n për të ruajtur paqen dhe për të shmangur përshkallëzimin derisa të jenë pjekur kushtet për një marrëveshje të negociuar. Kjo do të nënkuptojë një presion ndaj Prishtinës për tërheqjen e policisë speciale, si ashtu edhe ndaj Beogradit për të ndërmarrë hapat e lartpërmendur, duke mbajtur, dhe nëse është e nevojshme, duke përforcuar praninë paqeruajtëse të NATO-s”, vazhdon raporti.

Pika tjetër që vazhdohet në raport është siguria e minoritet serb qoftë ajo “me ose pa autonomi për ta”

“Minoriteti serb ka nevojë për një zë. Ai ka humbur besimin në përfaqësuesit politikë, të cilët janë emëruar, nga Partia Progresive Serbe në pushtet në Serbi dhe drejtohet nga udhëheqësit e saj. Shumë prej tyre i frikësohen Prishtinës dhe ndjehen të tradhtuar nga Beogradi, ndërsa ndihen të injoruar nga Brukseli dhe Uashingtoni. BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të krijojë institucione të qëndrueshme demokratike pjesëmarrëse për minoritetin e saj serb, por pa rezultat. Në vend të kësaj, Prishtina po ngadalëson zgjedhjet e reja në komunat veriore. Zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se ne verën e vitit 2024”, thuhet në raport.

Asociacioni për Kosovën, njohja de facto për Serbinë

Kur janë përmendur marrëveshjet, në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave janë vlerësuar edhe dy aspektet më problematike në dialogun Kosovë – Serbi dhe normalizimin e raporteve mes tyre.

Në anën e Kosovës është përmendur formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Një tjetër prioritet është përmbushja e nevojave të pakicës së serbëve të Kosovës – me apo pa një kornizë zyrtare për autonomi. Banorët e veriut varen prej shkollave, universiteteve dhe qendrave shëndetësore që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Shumica e banorëve paguhen direkt ose indirekt nga Beogradi dhe pranojnë ndihma në dinarë përmes një sistemi të zyrave postare dhe bankave që Kosova synon t’i mbyllë”, është thënë mes tjerash në raport.

Në anën e Serbisë është përmendur njohja de facto e Kosovës.

“Njohja de facto nënkupton që Kosova të trajtohet si shtet i pavarur pa një deklaratë zyrtare [nga Serbia] dhe ajo t’ua mundësojë shteteve tjera dhe trupave ndërkombëtare, sikurse Kombet e Bashkuara që ta njohin dhe ta pranojnë atë si anëtare. Serbia është e gatshme të merret me Kosovën direkt, por është e vendosur që ta mbajë të hapur çështjen e statusit të saj” është thënë në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.