Ballina BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

Raporti “Prapa Ekraneve” për çrregullimin informativ (korrik 2023 – qershor 2024): Temat e sigurisë, sociale dhe ato politike u përdorën më së shumti për keqinformim

Përgatiti: Festim Rizanaj

Platforma për verifikim të fakteve, hibrid.info ka publikuar raportin e dytë vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ në Kosovë.

Raporti i bazuar në të dhënat e grumbulluara nga platforma ka për qëllim të pasqyrojë gjendjen e çrregullimit informativ në Kosovë në periudhën vjetore korrik 2023 – qershor 2024.

Raporti përbëhet prej tri pjesëve kyçe: Shqyrtimin dhe analizimin e të dhënave të monitorimit të periudhës njëvjeçare përmes matjeve të ndryshme në funksion të luftimit të çrregullimit informativ; Krahasimin e të dhënave të monitorimit të periudhës në fjalë me atë paraprake vjetore; dhe trajtimin e zhvillimeve më të fundit lidhur me rregullimin e mediave në Kosovë, përfshirë ndryshimet e fundit ligjore sa i përket rregullimit të mediave kosovare, përfshirë ato online.

Gjatë kësaj periudhe vjetore (korrik 2023 – qershor 2024), të dhënat monitoruese të platformës “hibrid.info” për çrregullimin informativ në Kosovë tregojnë se publikues të ndryshëm kanë publikuar më së shumti artikuj në kategorinë vlerësuese “Clickbait”. Rreth 22% për qind e artikujve janë vlerësuar si “Clickbait” dhe në vendin e dytë janë përmbajtjet keqinformuese  të vlerësuara si “Dezinformatë” me 21%.

Sa i përket artikujve keqinformues “Clickbait”, ato janë publikuar dhe shpërndarë më së shumti në fushën e kronikës së zezë dhe temave sociale që nxisin kureshtjen e lexuesve për të klikuar në publikime të tilla. Të gjitha artikujt në këtë kategori vlerësimi janë publikuar në gjuhën shqipe, përkatësisht mediat reale në gjuhën shqipe kanë publikuar më së shumti artikuj me përmbajtje të tillë prej 83% gjithsej, kurse publikues të tjerë dukshëm më pak, siç janë publikues të ndryshëm në Facebook prej 11% dhe portale të dyshimta prej 6%.

Ndërkaq, përmbajtjet keqinformuese të vlerësuara si “Dezinformatë” më së shumti kanë trajtuar çështje politike dhe të sigurisë. Pjesa më e madhe e dezinformatave janë publikuar nga publikues në shqip prej 85%, duke përfshirë këtu publikuesit në media sociale, mediat reale dhe mediat e dyshimta. Sa i përket dezinformatave në shqip, shumica dërrmuese e tyre, ose 61% janë krijuar e shpërndarë në mediat sociale, kryesisht nga faqe dhe llogari në Facebook  dhe TikTok, kurse pjesa tjetër në përqindje dukshëm më të vogël nga mediat reale (12%) dhe ato të dyshimta (12%). Lidhur me dezinformatat e publikuara në gjuhën shqipe, publikuesit në mediat sociale, kryesisht faqe dhe llogari në Facebook dhe TikTok, kanë krijuar më së shumti përmbajtje keqinformuese për ngjarje të sigurisë dhe politikës, në të cilat mbizotëron pashmangshëm konflikti Izrael-Hamas, pasuar nga ngjarjet në veri të Kosovës për sulmin e terroristëve serbë në fshatin Banjskë të Zveçanit kundër Policisë së Kosovës, shpërthime në veri, lufta në Ukrainë, armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës etj. Kurse, mediat reale në gjuhën shqipe, ndonëse kanë publikuar më pak dezinformata, theksi i tyre ka qenë në fushën politike dhe të sigurisë me përmbajtje keqinformuese për veriun, vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb etj. Mediat e dyshimta në shqip kanë trajtuar më tepër çështje sociale në kuadër të dezinformatave të shpërndara dhe më pak për çështje politike apo të sigurisë.

Nga ana tjetër, rreth 14% e dezinformatave të monitoruara përgjatë kësaj periudhe njëvjeçare janë publikuar në gjuhën serbe. Pothuajse të gjitha prej tyre janë publikuar nga mediat reale në gjuhën serbe (12%) dhe një pjesë tjetër nga publikues në gjuhën serbe në mediat sociale (2%). Mediat reale në gjuhën serbe kanë publikuar dezinformata lidhur me ngjarjet në Kosovë për çështje politike e të sigurisë, të cilat trajtojnë më së shumti veriun e Kosovës për sulmin e organizuar terrorist serb në Banjskë dhe pretendimet e mediave në gjuhën serbe se Policia e Kosovës po terrorizon serbët në komunat veriore të Kosovës.

Dezinformatat e publikuara nga mediat reale në gjuhën serbe janë pjesë e narrativit serb për të keqinformuar lidhur me zhvillimet në Kosovë pa u bazuar në saktësim, apo verifikim të fakteve dhe burimeve të informacionit me qëllim të dezinformimit për ngjarje për dhe rreth Kosovës. Sipas njohësve të mediave në Kosovë, narrativi serb kundrejt Kosovës është i ngjashëm ose e kopjon narrativin rus ndaj Ukrainës për ta kualifikuar Kosovën si “shtet të dështuar”, dhe e cila shfrytëzohet nga mediat e afërta me pushtetin në Serbi për të krijuar dhe shpërndarë dezinformata të tilla kundër Kosovës.

Tema kryesore e keqinformimit gjatë kësaj periudhe ka qenë konflikti Izrael-Hamas. Kjo temë ka nxitur publikuesit në shqip, kryesisht faqe, llogari dhe media që operojnë në mediat sociale, që të krijojnë dhe shpërndajnë më së shumti artikuj me përmbajtje keqinformuese përgjatë kësaj periudhe. Për këtë konflikt të huaj janë publikuar rreth 10% e temave, kurse rastet tragjike renditen në vendin e dytë me 6.5%, si dhe ngjarjet në veriun e Kosovës me 6.3% në vendin e tretë. Kjo është hera e parë që veriu i Kosovës nuk është tema më e trajtuar nga publikuesit në përmbajtjet e tyre keqinformuese.

Pothuajse të gjithë artikujt keqinformues për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit janë publikuar në gjuhën shqipe (98%) dhe pothuajse në mënyrë absolute ose 96% e tyre janë publikuar dhe shpërndarë nga publikues në shqip në mediat sociale (91% në Facebook dhe 5% në TikTok). Në mënyrë më specifike ato janë publikuar kryesisht nga publikues në mediat sociale, publikimet e të cilëve konsiderohen si pro-islamike me përmbajtje në gjuhën shqipe. “Hibrid.info” ka gjetur se ky është konflikti i parë ndërkombëtar kur për herë të parë është përdorur inteligjenca artificiale për të sajuar imazhe me pretendimin se paraqet gjendjen e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, por të cilat janë vlerësuar si përmbajtje keqinformuese. Lidhur me përmbajtjet keqinformuese për rastet tragjike, të gjitha prej tyre janë publikuar në shqip. Mediat reale në gjuhën shqipe kanë publikuar më së shumti (84%) dhe pjesa tjetër, në përqindje më të vogël, nga publikues në mediat sociale (14%) dhe mediat e dyshimta (2%). Sa i përket veriut, shumica e publikimeve keqinformuese për këtë temë janë shpërndarë nga publikuesit në mediat sociale prej 62%, në mediat reale 32% dhe mediat e dyshimta 6%. Pothuajse ¾ ose 74% e përmbajtjeve keqinformuese për veriun janë publikuar në shqip, prej të cilave dominojnë publikuesit në mediat sociale prej 52%, mediat reale 16% dhe mediat e dyshimta 6%. Për sa i përket publikimeve për veriun në gjuhë të tjera, 24% e tyre janë publikuar në gjuhën serbe, prej të cilave 16% në mediat reale dhe 8% nga publikuesit në mediat sociale. Ndërkaq, rreth 2% e artikujve keqinformues për veriun ishin publikuar në gjuhën angleze në mediat sociale.

Nga ana tjetër, fusha tematike mbi të cilën publikuesit e ndryshëm kanë prodhuar më së shumti përmbajtje keqinformuese është fusha e sigurisë me 27%, e cila pasohet nga përmbajtjet keqinformuese në fushën sociale me 23% dhe fusha politike me 22%. Këto janë tri fushat kryesore më të shpeshta të keqinformimit për këtë periudhë, ndërsa në fushat tjera kishte më pak keqinformime, siç janë kronika e zezë me 14% dhe fusha tjera tematike prej 14% (si sporti, moti, ekonomia, shëndetësia etj.). Duket se arsyeja kryesore që ka dominuar fusha e sigurisë për këtë periudhë qëndron në faktin se më së shumti publikime keqinformuese ka pasur për konfliktin Izrael-Hamas nga publikuesit në gjuhën shqipe në mediat sociale. Përveç kësaj, mund të thuhet se siguria dhe politika kanë mbizotëruar më së shumti gjatë kësaj periudhe prej 49% të dyja së bashku në krahasim më kronikën e zezë dhe çështjet sociale që përbëjnë rreth 37% të të gjithë artikujve keqinformues për periudhën korrik 2023 – qershor 2024.

Shumica dërrmuese e publikimeve me përmbajtje keqinformuese për këtë periudhë vjetore janë krijuar dhe shpërndarë në mediat sociale nga publikues të ndryshëm në shqip. Kjo është një nga gjetjet kryesore të këtij raporti monitorues sepse për herë të parë vërehet se ka më shumë përmbajtje keqinformuese të publikuara në mediat sociale sesa në mediat tjera. Në këtë mënyrë, 56% e publikimeve keqinformuese ishin publikuar nga publikues të ndryshëm në mediat sociale, 39% në mediat reale dhe vetëm 5% në media të dyshimta.

Gjatë kësaj periudhe vjetore, sa i përket mediave sociale, publikues të ndryshëm në Facebook, në gjuhën shqipe, kanë publikuar më së shumti artikuj keqinformues prej 38% gjithsej për tema jo vetëm për Kosovën, por edhe për zhvillime ndërkombëtare. Në vendin e dytë janë publikimet keqinformuese në TikTok me 14%, ndërsa mediat tjera sociale kanë dukshëm përqindje më të ulët prej 4% (Telegram, X, YouTube, Instagram dhe Reddit).

Publikuesit në mediat sociale kanë qenë të fokusuar kryesisht në krijim dhe shpërndarje të artikujve keqinformues në kategoritë e dezinformatës (14%) dhe lajmeve të rreme (14%), si dhe në përmbajtje të paverifikuar (11%) dhe mashtrim (10%). Në Facebook janë publikuar më shumë dezinformata dhe përmbajtje e paverifikuar, kurse në TikTok janë publikuar kryesisht lajme të rreme. Për më tepër, publikuesit në mediat sociale, ku pothuajse të gjithë prej tyre janë në gjuhën shqipe prej 98%, kanë publikuar artikuj keqinformues më së shumti në fushat e sigurisë (20%), sociales në vendin e dytë (14%) dhe politikës në të tretin (11%). Siç u përmend më lart, tema kryesore e keqinformimit nga publikuesit në mediat sociale ishte konflikti mes Izraelit dhe Hamasit. Rreth 96% e përmbajtjeve keqinformuese për këtë konflikt të huaj janë publikuar në mediat sociale, gjegjësisht 91% në Facebook dhe 5% në TikTok. Arsyet kryesore të monitorimit të artikujve keqinformues mbi konfliktin Izrael-Hamas janë se përmbajtjet mbi këtë temë kanë mbizotëruar mbi të gjitha temat tjera dhe se kjo temë ka pasur ndikim të madh, veçanërisht nga përdorues të ndryshëm në mediat sociale si temë që ka nxitur klikime dhe komente të shumta në Facebook dhe TikTok. Tema të tjera që ishin trajtuar nga publikuesit në mediat sociale përfshijnë armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (7%), veriun e Kosovës (7%), dhënie të kredive (5%) etj.

Përkundrazi, mediat reale kanë publikuar më së shumti publikime keqinformuese në kategorinë “clickbait” prej 18% dhe kategoritë tjera ishin më pak të pranishme, si dezinformatat me 5% dhe teoritë konspirative me 5%. Mediat reale kanë publikuar kryesisht përmbajtje keqinformuese për politikë (11%), kronikë të zezë (10%), pasuar nga temat sociale (7%) dhe siguria (6%). Tema më e trajtuar nga mediat reale ishin rastet tragjike me 13%, pasuar nga raportime keqinformuese për vdekje me 5% dhe veriu me 5%, po ashtu. Gjithashtu, prej të gjitha publikimeve keqinformuese nga mediat reale, 81% e tyre ishin publikuar nga mediat reale në shqip dhe 18% nga mediat reale në gjuhën serbe. Në kuadër të mediave reale në gjuhën shqipe dominojnë në masë të madhe përmbajtje keqinformuese në kategorinë “clickbait” duke lënë shumë mbrapa kategoritë tjera (gabim, përmbajtje të paverifikuara, dezinformata etj.), kurse tek mediat në gjuhën serbe prijnë keqinformatat në kategoritë e teorisë konspirative dhe dezinformatat në ndërlidhje me ngjarje rreth Kosovës.

Kurse, mediat e dyshimta kanë publikuar kryesisht dezinformata (3%), ndonëse ky lloj i publikuesve kanë publikuar dukshëm më pak në krahasim me publikuesit tjerë (mediat sociale dhe mediat reale). Ato kanë shpërndarë kryesisht artikuj keqinformues për çështjet sociale (2%).

Institucionet më të përfolura nga artikujt keqinformues janë institucionet kosovare të sigurisë, si Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës lidhur me ngjarje që ndërlidhen me këto institucionet të sektorit të sigurisë gjatë kësaj periudhe vjetore. Kurse, personaliteti më i përfolur është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të përmbajtjeve keqinformuese të publikuara nga publikues të ndryshëm për zhvillime kryesisht në fushën politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Shkarko këtu raportin në tri gjuhë.