Për Kosovën

Reporterët pa Kufij: Kosova regres në lirinë e medias

Kosova ka rënë për 19 vende në indeksin vjetor të organizatës Reporterët pa Kufij për lirinë e medias në vitin 2024. Në indeksin vjetor të kësaj organizate për lirinë e shtypit, Kosova ka rënë nga pozita e 75-të në botë në atë 56 nga 180 shtete. Indeksi u publikua sot, 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Në nivel të përgjithshëm në raportin e 2024-s, Kosova i ka 60.19 pikë, ndërsa një vit më herët kishte 68.38. Ky është niveli më i ulët i pikëve në një dekadë.

Metodologjia që ka përdorur Reportertët pa Kufij ka ndryshuar në vitin 2022. 

Në Indeks që nga viti 2022 janë pesë kritere që merren për bazë: Konteksti politik, korniza ligjore, konteksti ekonomik, konteksti sociokulturor dhe siguria. Renditja e pikëve bëhet nga 0 në 100 për secilin indikator. Secili indikator ka disa pyetje, dhe përgjigjet ofrojnë rankimin në pikë. Rëniet më të mëdha te Kosova janë shënuar në kontekstin legjislativ (nga 80.26 pikë në 73.92) dhe atë të sigurisë (nga 72.95 pikë në 54.81).

Çfarë thotë indeksi për Kosovën? (Shih këtu)

Peizazhi mediatik

Reporterët pa Kufij kanë vlerësuar se Kosova ka treg pluralist e dinamik të medias. Është theksuar se në Kosovë tregu televiziv dominohet nga kanalet private, por transmetuesi publik, RTK, ka rol të rëndësishëm.  

Konteksti politik 

Raporti thotë se edhe pse mediat në Kosovë i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

“Rregullatori joefikas i mediave, KPM (Komisioni i Pavarur i Mediave) po përpiqet ta reformojë veten. Kanali më i madh televiziv, Klan Kosova, që ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga Qeveria, e cila ka kërcënuar gjithashtu edhe pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen si drejtor të një aleati të afërt me partinë në pushtet. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion të forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminimin në qasjen në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raport.

Në këtë kontekst, vitin e shkuar Kosova ka pasur 62.95 pikë e tash ka 56.61.

Korniza ligjore

Teksa është thënë se liria e shprehjes, mbrojtja e burimeve dhe e drejta në informacion është e garantuar, shumë e më shumë gazetarë janë subjekt i padive të quajtura “SLAPP” (Padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike) nga grupe biznesore e politikanë. Në praktikë edhe ligji për të drejtat e autorit nuk respektohet dhe qasja në informacion kërcënohet nga një projektligj drakonian për rregullimin e medias dhe nga procedurat e nisura kundër një operatori telekomunikacioni, thuhet tutje në raport.

Konteksti ekonomik

Në përgjithësi, është konsideruar se mediat në Kosovë varen nga reklamat që vijnë prej Qeverisë ose partive politike. Për më shumë është thënë se mediat, përmes pronarëve, janë më të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politika a biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfida edhe më të mëdha, sipas raportit, për shkak të varësisë nga financimi që vjen prej Serbisë, ndërsa mediumet e pavarura s’mund të mbijetojnë pa financim ndërkombëtar.

Konteksti sociokulturor

Në raport theksohet se edhe pse shoqëria u beson gazetarëve, edhe gazetarët e mediat e pavarura janë shpesh cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare.

Siguria

Te siguria është theksuar se vrasjet e zhdukjet e gazetarëve që kanë ndodhur deri në vitin 2005, janë të pandëshkuara. Është theksuar se gazetarët që hulumtojnë trafikimin e drogës ose ndotjen e ambientit kanë qenë cak i sulmeve fizike e rrjetet kriminale ua kanë penguar raportimin. Është theksuar se rrallë sulmet ndaj gazetarëve përfundojnë me ndjekje penale. Po ashtu është thënë se sulmet ndaj gazetarëve janë rritur në kohën e tensioneve politike mes Kosovës dhe Serbisë. 

Rajoni

Edhe shtete të tjera të rajonit kanë shënuar rënie në indeks. Shqipëria është e 99-ta dhe ka rënie për 3 pozita. Serbia ka shënuar rënie për 7 pozita dhe tash është e 98-ta në listë. Edhe Bosnja ka shënuar rënie. Ky shtet tash është në pozitën e 81-të dhe është për 17 pozita më keq se një vit më herët. Mali i Zi ka rënie për një pozitë dhe tash është i 40-ti.

Maqedonia e Veriut ka ngritje për dy pozita dhe është në vendin e 36-të në listë.

Shkroi: Endrit Berisha

X