Ballina BallinaBottom Demografi Fakte për...

Rezultatet e përgjithshme të regjistrimit të popullsisë në vitin 2024

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë. Sipas raportit, popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2024 arrin në 1,585,566 banorë. Për krahasim, në regjistrimin e vitit 2011, Kosova kishte 1,739,825 banorë, duke treguar një rënie të numrit të popullsisë rezidente ndër vite.

Katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovica e Veriut, të banuara kryesisht nga komuniteti serb, kanë bojkotuar në masë të madhe procesin e regjistrimit. Për këtë arsye, ASK ka kryer një vlerësim për popullsinë e këtyre komunave. Sipas regjistrimit dhe vlerësimit të popullsisë në katër komunat veriore, numri total i popullsisë është vlerësuar të jetë 1,602,515.

Popullsia e regjistruar ndahet sipas gjinisë: meshkuj: 795,552 (50.17%) dhe femra: 790,014 (49.83%). Çka tregon se numri i meshkujve është për rreth 5,500 më i madh se ai i femrave.

Mosha mesatare e popullsisë është 34.84 vjeç. Grupi më i madh i popullsisë përfaqësohet nga ata të moshës 65 vjeç e më lart, me 173,875 banorë. Ky grup tejkalon për numër banorët e moshës 20-24 vjeç (134,270) dhe ata të moshës 10-14 vjeç (123,022), grup që kishte numrin më të madh në regjistrimin e vitit 2011 me 176,926 banorë (këtu).

Popullsia sipas përkatësisë etnike ndahet në shqiptarë: 91.76% (1,454,963 banorë), serbë: 2.31% (36,652 banorë), boshnjakë: 1.69% (26,841 banorë), turq: 1.22% (19,419 banorë) dhe komunitetet RAE (romë, ashkalinj dhe egjiptianë): 2.24% (35,518 banorë), të ndarë si vijon: romë: 0.55% (8,730 banorë), egjiptianë: 0.67% (10,581 banorë) dhe ashkalinj: 1.02% (16,207 banorë). 

Në vitin 2011, popullsia ishte kryesisht e vendosur në zonat rurale (61.97%), ndërsa rezultatet e vitit 2024 tregojnë një shpërndarje më të balancuar: popllsia e vendosur në zona urbane, e cila përbën 50.18% (795,627 banorë) dhe ajo e vendosur në zona rurale: 49.82% (789,939 banorë). Kjo rritje në përqendrimin urban reflekton tendencën e migrimit drejt qyteteve.

Përkatësia fetare sipas regjistrimit tregon se banorët që i përkasin besimit islam kanë numrin më të madh nga popullsia e përgjithsme me 93.49% (1,482,276 banorë). Ndërsa komunitetet tjera fetare renditen: ortodoks: 2.31% (36,683 banorë),  katolik: 1.75% (27,815 banorë) dhe të tjerët: 0.45% (7,175 banorë). Banorët të cilët nuk janë përcaktuar (0.5%) ose kanë refuzuar të përgjigjen (1.5%) përbëjnë 2.00% (31,617 banorë) të popullsisë totale.

Kjo është hera e dytë që kryhet procesi i regjistrimit të popullsisë, që pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008. Hera e parë kur Kosova kishte realizuar regjistrimin e popullsisë, ishtë në vitin 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *