Fakte për...

Rishikimi i javës (12-17 dhjetor 2022): Dezinformata lidhur me arrestimet, gabim për dënimin e Salih Mustafës, clickbait artikuj për ngjarje që nuk kanë të bëjnë me Kosovën

Ekosistemi keqinformues medial në javën që shkoi u dominua nga artikuj të kategorizuar si dezinformues dhe clickbait.

Artikujt dezinformues kishin të bënin me pretendimet e pabazuar të disa mediave në gjuhën serbe për ekzistimin e një liste prej 230 serbëve që do të arrestohen nga autoritetet kosovare; për arrestime të reja nga Policia e Kosovës dhe për rastin “Panda” në Pejë të vitit 1998.

Clikcbait artikujt kryesisht ishin me informacione të cilave nuk u bëhej e ditur vendndodhja e ngjarjeve dhe, përmes titujve përgjithësues dhe fotografive jo-adekuate, publikuesit e tyre synonin t’i paraqisnin si lajme nga Kosova. Por që, në fakt, në përmbajtje rezultonte të kishte zhvillime që nuk ndërlidheshin me Kosovën. Vlerësime Clickbait morën edhe artikuj që përbëheshin me deklarata të vjetra, të cilat synonin t’i ri-sillnin si aktuale, përmes titujve nxitës.

Vlerësimin lajm i rremë morri pretendimi i pavërtetë për lirimin e ish-policit të arrestuar nga komunitet serb, Dejan Pantiq.

Përmbajtje e pa verifikuar për një ushtar i cili u prezantua si kroat që është i gatshëm t’i ndihmojë Kosovës.

Gabim në raportim të dënimin të Salih Mustafës, si dhe mashtrim me grua që kërkon lidhje dashurie.

Mashtrim

Portali i dyshimtë “todaynews64.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se një grua e shkurorëzuar po kërkon dikë për ta njohur, e që me anë të titull aludohet rrejshëm se të dhënat e saj gjenden në përmbajtje. Gjithashtu, këtij artikulli i është vënë fotografi e një gruaje, e që pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, ajo është gjetur në një ueb-faqe të huaj “BreakBrunch.com”, e më pastaj e shpërndarë edhe në ueb-faqe tjera. Megjithatë, identiteti i gruas nuk është arritur të vërtetohet. (këtu)

Lajm i rremë

Portali i dyshimtë “GazetaNewborn.info” ka pretenduar rrejshëm se ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, do të lirohet brenda 24 orëve, si dhe do të bëhet heqja e barrikadave në veri të Kosovës. Nga Gjykata Themelore në Prishtinë është bërë e ditur se Pantiqit i është caktuar një muaj paraburgim, pasi i njëjti dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Portali i dyshimtë “Lideri.mk” ka publikuar një artikull duke u bazuar në një llogari në Facebook me emrin “Ban Boric”, ku pretendon se në fotografi është një ushtarë kroat i cili pretendohet se është shprehur “Jam i gatshëm t’i ndihmoj Kosovës në çdo kohë!”. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ushtari në fotografi nuk është kroat, por është pjesëtari i FSK-së, Ermal Zymberi. (këtu)

Dezinformatë

Llogaria në Facebook me emrin “Vitia Post” ka publikuar një fotografi të vjetër në të cilën shihen disa ushtarë të FSK-së. Me anë të kësaj fotografie, kjo llogari ka pretenduar rrejshëm se gjoja FSK-ja është pozicionuar në veri të Mitrovicës. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se kjo fotografi është e vjetër dhe e njëjta është në qarkullim të paktën që nga data 9 nëntor. (këtu)

Medium në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull me pretendimin se dy pjesëtarë të maskuar të UÇK-së ka vrarë gjashtë të rinj në Pejë, në kafenenë Panda në Pejë në vitin 1998 gjatë luftës në Kosovë. Bazuar në deklaratat e protagonistëve të ngjarjeve dhe politikës së asaj kohe del që nuk ka prova se vepra është kryer nga pjesëtarët e UÇK-së, siç pretendohet nga mediumi serb. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull që flet për interesimin e Real Madrid-it për të nënshkruar me sulmuesin kosovar Vedat Muriqi, që sipas portalit italian “Il Messaggero” kjo skuadër është e gatshme të ofrojë 15 milionë për shërbimet e kosovarit, ofertë kjo që pritet të refuzohet nga skuadra e Mallorca-s. Megjithatë, në titujt e vendosur nga portalet e dyshimta, pretendohet rrejshëm se Mallorca ka refuzuar ofertën e parë nga Real Madrid. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Novosti” ka publikuar një artikull me pretendimin se Kurti ka përgatitur një listë me emrat e 230 serbëve që akuzohen për krime luftë, e që pritet të arrestohen. E përditshmja “Novosti” ka publikuar këtë pretendim duke u bazuar në burime jozyrtare, siç i quan. Njëkohësisht pretendohet se një listë e tillë është publikuar nga media në gjuhën shqipe në Kosovë. Pas kontrollit të fakteve nga hibrid.info nuk është gjetur ndonjë artikull në mediat shqipe që pretendon për një listë të tillë, si dhe një gjë e tillë është demantuar nga ministri i brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla. (këtu)

Disa mediume në gjuhën serbe kanë publikuar artikuj me pretendimet se është arrestuar edhe një ish-polic serb nga veriu i Mitrovicës, si dhe pretendimin se policët nuk kanë lejuar punëtorët të  e elektrodistributorit të rregullojnë defektin në rrjetin elektrik në Zubin Potok. Pretendimet e mësipërme i ka pohuar edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili aludimin për arrestimin e Zoran Mihajloviqit e sheh si ide të Kurtit për persekutimin e popullit serb. Pretendimet e mediumeve në gjuhën serbe dhe të Petkoviqit janë përgënjeshtruar nga Policia e Kosovës dhe ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. (këtu)

Clickbait

Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk bëhet e ditur se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se kjo ngjarje ka ndodhur në Francë. Portali informativ “Kosova.info” është portal i cili vepron në Kosovë dhe që lexuesit parësor i ka nga Kosova, (bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook). Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shume lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali “Paparaci.com” ka publikuar një deklaratë të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili përmes rrjetit social Facebook ishte shprehur se pas dakordimit të Parmlamentit, Këshillit dhe Komisionit Evropian mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, i cili do të kalojë në hapat e mëtejshëm procedural para hyrjes në fuqi, do t’ mundësojë qytetërëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza më së largu deri më 1 janar të vitit 2024. Mirëpo, në titullin e artikullit të “Paparaci.com” nuk bëhet e ditur se për janarin e cilit vit ka folor Bislimi, duke lënë vend për keqkuptim te lexuesit.(këtu)

Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk bëhet e ditur se në cilin shtet babai ka vrarë 4 fëmijët e tij. Ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se kjo ngjarje ka ndodhur në Brazil. Ky portal informativ i cili vepron në Kosovë dhe lexuesit parësor i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali i dyshimtë “Rrjeti.net” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2020 lidhur me një ligj në Greqi kundër pirjes së duhanit në veturë, ku thuhet se drejtuesit e automjeteve që shkelin këtë ligj do të gjobiten me 1 mijë e 500 euro. Megjithatë, në titull nuk qartësohet se për cilin shtet bëhet fjalë. Bazuar në artikujt që ky portal i publikon, shumica e të cilëve kanë të bëjnë me Kosovën, kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se lajmi ka të bëjë me shtetin e Kosovës. (këtu)

Manipulim i fakteve

Media në gjuhën serbe kanë publikuar artikuj me pretendimin se i arrestuari nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për sulmet e organizuar ndaj KKZ-së në veri të Mitrovicës, Dejan Pantiq është në rrezik për jetë për shkak se nuk po i ofrohet trajtim mjekësor dhe po mbahet në kushte të këqija. Policia e Kosovës informon se Pantiqit i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore duke demantuar kështu mediat serbe dhe deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën Petar Petkoviqit, për pretendimet e tyre. (këtu)

Gabim

Portali informativ “Arbresh.info” ka publikuar artikullin me pretendimin në titull se ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa është dënuar me 29 vjet burg nga Gjykata Speciale. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i shkruar gabim, pasi që në përmbajtje bëhet e ditur se Salih Mustafa është dënuar më 26 vjet burg. (këtu)