Artikuj mashtrues, clickbait, dezinformues dhe teoritë konspirative kanë qenë kategoritë që e kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi.
Artikujt mashtrues kryesisht kanë qenë postime në llogari të Facebook-ut me histori të sajuara se bartëset (e rreme) e këtyre llogarive vuajnë nga një sëmundje dhe se kanë shprehur dëshirë që ta ndajnë pasurinë e tyre.
Disa pretendime të institucioneve, zyrtarëve dhe subjekteve politike serbe kishin të bënin me interpretimin se ekziston synimi i Prishtinës zyrtare për dëbimin e serbëve nga vendbanimet e tyre.
Clickbait artikujt kryesisht kanë qenë të ndërlidhur me zhvillime të ndryshme që nuk i është bërë e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull.
Lajm i rremë për vdekjen e këngëtarit të njohur, Sabri Fejzullahu.
Manipulim i fakteve nga mediumi në gjuhën serbe me pretendimin se ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë qartë se Serbia nuk është e detyruar ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj.
Gabim në raportim lidhur me vërshimet që kanë përfshirë jugun e Turqisë, të shkaktuara nga reshjet e shiut, ku është përdorur fotografi që nuk i përgjigjet përmbajtjes.
Dezinformata me pretendimin se Zvicra po kërkon punëtor; se janë arrestuar disa persona.
Mashtrim
Një llogari në Facebook me emrin “Jesus Revient” që në fotografinë e profilit ka një grua të moshuar, me datë 3 mars ka publikuar një status në gjuhën shqipe, përmes së cilit është krijuar histori e sajuar duke pretenduar se bartësja (e rreme) e kësaj llogarie vuan nga një sëmundje dhe se “ka shprehur dëshirë që ta ndajë pasurinë e saj në vlerë prej 558 mijë euro”. Nga procesi i kontrollit të fakteve dhe trajtimi i tyre u kuptua se pretendimi i bërë në këtë postim është tërësisht i sajuar. Pra ky statusi i bërë nga llogaria në Facebook me emrin “Jesus Revient” është një histori e trilluar e bazuar në fotografi false. (këtu)
Një faqe në Facebook me emrin “Shërbime online” ka publikuar një postim me fotografinë e një gruaje, duke pretenduar histori të sajuar në gjuhën shqipe, gjoja se personi që shihet në këtë imazh është Sylvia Beatrice me origjinë kanadeze që jeton në Francë. Në këtë postim, faqja e lartcekur pretendon se personi në fjalë (Sylvia Beatrive) ka vendosur që të ndajë pasurinë e saj, duke qenë se vuan nga një sëmundje. Ndërsa për të pranuar këtë donacion bëhet thirrje që të interesuarit të kontaktojnë në një numër telefoni (+ 370 633 94220). (këtu)
Llogaria “respekteluizejlli” në TikTok ka publikuar një video-material të rremë me pretendimin se moderator i edicionit të lajmeve në BBC, Matthew Amroliwala ka folur për konkurrentin e BBVA, Luiz Ejlli. Autori i këtij video-materiali ka ndërhyrë në fjalët e Amroliwala-s, duke pretenduar se ky i fundit ka folur rreth Luiz Ejllit. Se ky video-material është mashtrues (Deep fake), e vërteton fakti se videoja origjinale e edicionit të lajmeve në BBC, është gjetur e publikuar në Youtube me datë 11 gusht 2022. Në fakt, ajo që Amroliwala kishte folur gjatë këtij edicioni, ishte rreth luftës në Ukrainë. (këtu)
Teori konspirative
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendon pa fakte se grabitja e shtëpisë së Dragisha Mishiqit në Batushë të Fushë Kosovës ka ndodhur si shkak i diskursit urrejtës ndaj serbëve të politikanëve të Prishtinës zyrtare. Ky institucion pretendon në mënyrë tendencioze se ky veprim po bëhet shkak që banorët serb të jenë cak i huliganëve dhe keqbërësve shqiptarë. (këtu)
Subjekti politik i komunitetit serb në Kosovë, “Lista Serbe” pretendon pa fakte se sigurimi i provave nga ana prokurorisë së Ferizajit që Azem Kurtaj të akuzohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, paraqet dhunën sistematike dhe të planifikuar institucionale të regjimit antiserb të Albin Kurtit. Ky subjekt pretendon në mënyrë tendencioze se ky veprim po bëhet me qëllim të dëbimit të serbëve nga vendbanimet e tyre. (këtu)
Ministri i Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, pretendon se qëllimi kryesor i Albin Kurtit është “dëbimi i serbëve nga Kosova”. Daçiq pretendimin e bërë nuk e argumenton atë me ndonjë fakt, që do të mund të ishte ndonjë dokument apo dëshmi e llojit tjetër. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Zbardhen detajet si 30-vjeçari e mb’yti të dashurën”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, rezulton që titulli i artikullit nuk e qartëson lajmin dhe vendndodhjen e kësaj ngjarje. Përveç që titulli nuk sqaron vendndodhjen e ngjarjes, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk i përgjigjet përmbajtjes, pasi në të shihet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull, me një ngjarje në Los Angeles, i cili flet për 8 fëmijë të cilët përfunduan në spital shkaku i përtypjes së disa karameleve të injektuara me marijuanë. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen. Në fotografi shihen veturat e Policisë së Kosovës, ndërsa ai imazh i përket një ngjarjeje të muajit nëntor 2022 që kishte ndodhur në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. (këtu)
Dezinformatë
Nga verifikimi i fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se faqja “Të Gjithë me Luiz Ejlli” në Facebook ka publikuar një status duke bërë thirrje te lexuesit për të komentuar, duke ngritur pretendimin e rremë se BBVA ka hapur një votim se “nëse kjo fotografi arrin deri 2 mijë komente, atëherë banori (Luiz Ejlli) do të shpallet banori i preferuar i publikut”. Se ky pretendim është i rremë, u vërtetua pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit. Në faqen zyrtare të BBVA në Instagram bëhet e qartë se e vetmja mënyrë për të votuar “të preferuarin e publikut” është përmes numrave të telefonit. (këtu)
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “viraln23.com” ka publikuar një artikull me titull “Аksion i madh policor – mbi 100 persona të arrestuar. Aksioni policor është duke u vazhduar…”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli në fjalë është i vjetër, i publikuar në muajin nëntor 2022 dhe ka të bëjë me arrestimin e disa emigrantëve në Horgosh në veri të Serbisë. Ky portal i dyshimtë është munduar që këtë artikull të vjetër ta paraqes si aktual. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë postuar një artikull me pretendimin se Zvicra po kërkon punëtor në disa sektore. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se lajmi është i vjetër (prill 2022) ku bëhet fjalë për një raport të publikuar ku janë regjistruar 246,942 vende të lira pune të hapura në tremujorin e parë të vitit 2022. (këtu)
Gabim
Media online në gjuhën shqipe kanë raportuar rreth vërshimeve që kanë përfshirë jugun e Turqisë, të shkaktuara nga reshjet e shiut. Këtij artikulli, mediat i kanë vënë një fotografi që nuk i përgjigjet përmbajtjes. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se, imazhi nuk paraqet vërshimet e datës 15 mars, por ato në provincën veriore të Turqisë në vitin 2021. (këtu)
Manipulim i fakteve
Mediumi në gjuhën serbe “srbijadanas.rs” ka pretenduar se ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë qartë se Serbia nuk është e detyruar ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj. Pretendimi i mediumit serb është interpretim i deklaratës e ambasadorit amerikan. Në fakt, ambasadori Hovenier është shprehur se në 11 pikat e prezantuara nuk ka pasur adresim të kësaj çështjeje, dhe nuk beson se kjo çështje ka qenë element specifik i bisedimeve tani për tani. (këtu)
Lajm i rremë
Llogaria në TikTok me emrin “lumjanana009” ka publikuar një video-material të shkurtër (15 sekonda) me imazhin e këngëtarit Sabri Fejzullahu, në të cilën ka vënë mbishkrimin “VDES KËNGËTARI SABRI FEJZULLAHU NGUSHLLIME FAMILJES”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga llogaria e lartcekur, është i rremë. Se ky pretendim është i rremë, u vërtetua përmes llogarisë personale të këngëtarit në Instagram, i cili ka publikuar një njoftim rreth një koncerti në Belgjikë. (këtu)